JOEL ÇELA & MARJO BRAKAJ
Pylli i Semanit në Fier, me një sipërfaqe prej 1,468 hektarësh, rrezikohet nga ndotja dhe zjarret. Edhe pse konsiderohet si “mushkëria” e qytetit, prej vitesh qindra hektare të tij janë djegur, ndërsa hedhja sistematike e mbeturinave vërehet thuajse në gjithë sipërfaqen e tij.
Më 31 korrik, u raportua zjarr në pyllin e Semanit, në vendin e quajtur Godull. Pas raportimeve të vazhdueshme në media, pasi ishin djegur rreth 100 ha me pyje, katër ditë më pas reagoi edhe kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi i cili njoftoi se kishte nisur aksioni për shuarjen e flakëve.
https://www.facebook.com/566133383457834/videos/302902767729761/
Pyjet janë pasuri e qytetarëve dhe mushkëria e qytetit. Mbrojtja e tyre nga zjarri dhe dëmtimet nga dora e njeriut janë detyrim qytetar, në emër të jetës! – shkroi Subashi përmes një postimi në Facebook.
Por, zjarri në pyllin e Semanit u shua më 5 gusht, vetëm pas reshjeve të shiut.
Ministria e Mbrojtjes, pasi flakët u shuan nga rreshjet e shiut reagoi duke shprehur gatishmërinë për të qenë të angazhuar në normalizimin e situatës dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.
Zjarret masive që kanë goditur pyjet e kullotat ditët e fundit kanë marrë përgjigjen tonë të menjëhershme. 200 djem e vajza të Forcës së Armatosur të angazhuar në Seman, Shkodër, Lezhë etj – thuhej në një postim të Ministrisë së Mbrojtjes në Facebook.
Por, zjarri në pylli e Semanit u riaktivizua më 7 gusht duke u shuar pas reshjeve të shiut. Më 23 gusht, pylli i Semanit u përfshi sërish nga flakët.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, strukturë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, më 22 gusht, duke e konsideruar emergjente situatën e shkaktuar nga zjarret, u dërgoi 61 bashkive të vendit një letër duke kërkuar koordinim mes strukturash me qëllim parandalimin e zjarreve.
Sipas të dhënave paraprake, kjo periudhë problematike për zjarrvënien e qëllimshme për marrjen e masave për përballimin e zjarreve. Zjarret kanë krijuar situata emergjente, duhet bashkërendim dhe koordinim strukturash. Merrni masa të plota për parandalimin dhe minimizimin e dëmeve nga zjarret – thuhej në reagimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Shkaktarët e zjarrve nuk gjenden dhe nuk dënohen!
Referuar raportit të vitit 2019 të Prokurorisë së Përgjithshme, në vitin 2019 u regjistruan 12 procedime penale për “Shkatërrim të pyjeve me zjarr” dhe 5 procedime për “Shkatërrim nga pakujdesia me zjarr i pyjeve”. Nga 17 procedime penale në total, u dënua vetëm një person me akuzën e “Shkatërrim nga pakujdesia me zjarr i pyjeve”.
Pylli i Semanit rrezikohet edhe nga hedhja e mbejteve!
Zjarret nuk janë i vetmi kërcënim për pyllin e Semanit. Mbetje kryesisht të plastikës gjenden në sipërfaqen e tij.
Edhe pse konsiderohet si një ndër pasuritë natyrore të qytetit, pylli i Semanit thuajse çdo verë përfshihet nga zjarret duke humbur qindra hektarë nga “kurora e gjelbërt”.