Pretendimi: Presidenti rus Vladimir Putin ka ekspozuar shpërblimin prej 45 miliardë dollarësh nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF) për kokën e Donald Trump.
Verdikti: E paprovuar
———————————————————————
Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon lajmi se presidenti rus Vladimir Putin ka zbuluar një komplot të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) për vrasjen e Donald Trump, duke ofruar një shpërblim prej 45 miliardë dollarësh.
Postimi duket se i referohet një artikulli të botuar më 3 dhjetor në portalin amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch.
Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.
Sipas artikullit të The People’s Voice, presidenti rus paralajmëroi Trump për një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të afërt ndaj jetës së tij.
Në të vërtetë, më 28 nëntor Putin komentoi zgjedhjet e 2024 në SHBA, duke thënë se ishte i tronditur nga mënyra se si u shpalosën dhe “metodat absolutisht të pacivilizuara të përdorura për të luftuar kundër Trump, deri dhe duke përfshirë një tentativë për vrasje – dhe më shumë se një herë”.
Putin më pas tha se ai nuk mendon se Trump ishte i sigurt nga atentate të ardhshme, për shkak të atentateve të fundit dhe një historie atentatesh ndaj presidentëve në Shtetet e Bashkuara:
“Meqë ra fjala, për mendimin tim, ai nuk është i sigurt tani. Fatkeqësisht, në historinë e Shteteve të Bashkuara kanë ndodhur incidente të ndryshme. Mendoj se ai [Trump] është inteligjent dhe shpresoj që të jetë i kujdesshëm dhe ta kuptojë këtë.”
Megjithatë, siç vërrehet, Putin asnjëherë nuk pretendoi apo aludoi se WEF do të ishte përgjegjëse për atentatet e ardhshme ndaj Trump, ose se do të jepte një shpërblim për kokën e tij.
Më tej, shifra marramendëse e vendosur si shpërblim për këtë vrasje duket jashtë çdo logjike ekonomike. Raporti vjetor i WEF për 2023-2024 tregon se organizata ka një xhiro të ardhurash rreth 322 milionë franga zvicerane në para. Siç vihet në dukje edhe nga verifikuesit e tjera të fakteve të Techarp.com, ky buxhet këmbehet në vetëm 363 milionë dollarë amerikanë – ose vetëm 8% e shpërblimit të supozuar prej 45 miliardë dollarësh për kokën e Trump.
Faktoje ka përgënjeshtruar një sërë lajmesh të rreme që kanë në fokus Forumin Ekonomik Botëror dhe drejtuesin e tij Claus Schwab.