BallinaFaktometerE PavërtetëNgrohja globale, CNN dhe WEF nuk propozuan vrasjen e kafshëve shtëpiake

Ngrohja globale, CNN dhe WEF nuk propozuan vrasjen e kafshëve shtëpiake

Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale, ku pretendohet se aktivistët e klimës janë zotuar për të eleminuar 1 milion kafshë shtëpiake për të luftuar ndryshimet klimatike, nuk është i vërtetë. Faktoje verifikoi se artikulli i shpërndarë është dizininformues, duke iu referuar burimeve zyrtare të përhapjes së informacionit.

Ilda Hoxha

Më 13 dhjetor 2022, disa përdorues të Facebook kanë bërë një postim në këtë rrjet social, ku shkruajnë se ‘aktivistët e klimës zotohen të vrasin 1 milion qen për të ulur gjurmën e karbonit’.

Postimi është shoqëruar me një foto, linqe dhe koment nga vetë përdoruesi i rrjetit social, duke shtuar ‘WEF dëshiron të masakrojë miliona mace dhe qen shtëpiak për të luftuar ndryshimet klimatike’.

Screenshot, postimi i bërë në Facebook

Mirëpo, nëse do të shohim linqet bashkëngjitur postimit, shihet se ato janë nga burime informacione jo serioze dhe ndaj “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të tij.

Për këtë lajm, përdoruesi që ka shpërndarë artikullin i është referuar faqes Ufospace.net. Nga kërkimi rezulton që kjo e fundit është një faqe ruse, por që nuk cilësohet si një burim i besueshëm informacioni. Në këtë artikull, media online i referohet një shkrimi të publikuar nga CNN, ku pretendohet se gjigandi mediatik ka raportuar se aktivistët e klimës po bëjnë thirrje për eleminimin e miliona qenve në mbarë botën për të reduktuar gjurmën e karbonit.

Artikulli i publikuar nga CNN mban titullin: “Kafshët tona shtëpiake janë pjesë e problemit të klimës. Këto këshilla mund t’ju ndihmojnë të minimizoni gjurmët e tyre të karbonit”.

Mirëpo, nuk ka asnjë provë në këtë shkrim që tregon se WEF, Forumi Botëror Ekonomik, i vendosur në qendër të shumë teorive konspiracioniste si grupimi i globalistëve dhe burimi i shumë të këqija që ndodhin në botë, ka nisur ndonjë fushatë që bën thirrje për masakrimin e kafshëve shtëpiake, për të trajtuar ndryshimet klimatike.

Madje në artikullin e CNN qartësohet: “T’u thuash lamtumirë miqve më të mirë nuk është zgjidhja. Për këtë arsye, CNN rendit një sërë këshillash të dobishme për të minimizuar ndikimin mjedisor të kafshëve tuaja shtëpiake”.

Në shkrim gjithashtu nuk ka asnjë referencë për një shifër 1 milionë kafshë që duhet të zhduken, ashtu siç citohet në postim.

I kontaktuar nga kolegët amerikanë të PolitiFact, Gregory Okin, profesor në Departamentin e Gjeografisë dhe Institutit të Mjedisit si edhe autor i studimit të cituar nga CNN, deklaroi se ai kurrë nuk kishte pretenduar, as personalisht, as në studim se zhdukja e kafshëve ishte një zgjidhje për të luftuar ndryshimet klimatike.

Artikulli është verifikuar edhe nga kolegët e Facta.news, të cilët me fakte kanë treguar se ky pretendim është i gabuar dhe se WEF nuk dëshiron të “vrasë miliona kafshë shtëpiake” për të luftuar ngrohjen globale.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img