BallinaFaktometerE PavërtetëPunimet në “Lungomaren” e Durrësit nuk përfunduan në maj

Punimet në “Lungomaren” e Durrësit nuk përfunduan në maj

Shëtitorja e Durrësit, e prezantuar si një projekt madhor për transformimin e qytetit bregdetar nuk është ende gati, pavarësisht premtimeve për përfundimin e saj në muajin maj të këtij viti. Projekti me vlerë rreth 285 milionë lekë, që ka njësi zbatuese FSHZH-në, nisi në shtator 2022 dhe planifikohej të përfundonte në maj-qershor 2023. Faktoje bëri një verifikim në terren ku puna në kantierin e ndërtimit vijonte, ndërsa sezoni turistik është në prag.

Ilda Hoxha

“Si afat kemi parashikuar të përfundojë brenda sezonit të ardhshëm turistik. Në vitin e ardhshëm ne do të kemi një shëtitore shumë të bukur në këtë zonë”, deklaroi Sako më 25 tetor 2022.

“Mendojmë ta mbarojmë brenda afateve kohore, për një periudhë 8-mujore, deri në maj”, theksoi inxhinieri i punimeve.

Po në tetor të vitit që lamë pas, kryetarja e Bashkisë së qytetit bregdetar foli në lidhje me projektin. “Faza e parë shtrihet pothuajse në gjysmë të projektit dhe faza e dytë pastaj nga atje ku mbaron faza e parë, deri të Ura e Dajlanit“, sqaroi kryebashkiakja e Durrësit një ditë më vonë.

Ndërsa, e ftuar në Top Story Sako nuk dha afate për përfundimin e projektit, por theksoi: “Është një projekt që ka filluar, me fondet e qeverisë shqiptare, është faza e parë që do të lidhë nga Kavaleshenca deri në zonën e Portit…Do të bëjmë të mundur edhe rehabilitimin e të gjitha fasadave në vijën e parë”.

Në nëntor 2022, Fondi Shqiptar i Zhvillimit bëri të ditur zyrtarisht për Faktoje se vlera e kontratës për projektin është 284,962,076.18 lekë pa TVSH dhe afati i punimeve ishte 9 muaj kalendarikë nga data e fillimit të tyre. Sipas FSHZH, data e fillimit të punimeve është 28.09.2022 dhe si periudhë e përfundimit parashikohej muaji qershor.

“Fondi Shqiptar i Zhvillimit luan rolin e Agjencisë Zbatuese në projektin për transformimin urban në hapësira publike kryesore (Rajoni 1 dhe 2) – ndërtimi i shëtitores së Plazhit nga Ura e Dajlanit deri në godinën e Kavalishencës. Ky projekt parashikon krijimin e hapësirave rekreative, të cilat do të bëjnë të mundur realizimin e një sërë aktivitetesh nga qytetarët, ku përfshihen çiklizmi dhe vrapimi, që do të mundësohen nga ndërtimi i shëtitores lineare përgjatë gjithë shtrirjes së plazhit me korsitë e dedikuara. E gjithë zona do të ketë kënde lojërash për fëmijë, nyje argëtimi dhe breza të gjelbëruar”, sqaronte FSHZH në muajin nëntor 2022.

Por, si po ecin punimet për ndërtimin e shëtitores së Durrës, i cilësuar si një projekt madhor nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako?

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ku ndër të tjera e pyetëm kur pritet të përfundojnë punimet për shëtitoren.

Kërkesa për informacion dërguar FSHZH, 27 prill 2023

Zyrtarisht, FSHZH bën të ditur për Faktoje detaje në lidhje me ecurinë e projektit.

“Në lidhje me projektin që FSHZH po zbaton në Durrës, për transformimin urban në hapësira publike kryesore (Rajoni 1 dhe 2) – ndërtimi i shëtitores së plazhit nga Ura e Dajlanit deri në godinën e Kavalishencës, ju bëjmë me dije se punimet po ecin me ritme të mira dhe pritet të përfundojnë brenda afatit të kontratës. Më poshtë, gjeni të specifikuara fazat ku ndodhen punimet:

 Ka përfunduar shtresa e betonit për 84% të gjatësisë së shëtitores.

Është bërë përpunimi sipërfaqësor për rreth 43% të gjatësisë totale.

Është hedhur shtresa e stabilizantit në gjatësinë 1 km në pjesën ku do të bëhet korsia e biçikletave”, njofton FSHZH.

Për të parë nga afër ecurinë e punimeve, Faktoje bëri një verifikim në terren më 3 maj, në zonën ku po ndërtohet shëtitorja e re e Durrësit. Ajo që vihet ishte se e gjitha zona prej 3 km ishte ende një kantier i hapur ndërtimi, me makineri dhe grumbuj rëre gjithandej.

Shëtitorja në Durrës, 3 maj 2023

Të pyetur nga Faktoje, qytetarë konfirmojnë se ende nuk ka një përfundim të punimeve, ndërsa në javët e fundit kishin vënë re shtim të mjeteve dhe punonjësve në kantierin e ndërtimit.

Shëtitorja në Durrës, 3 maj 2023

“Siç e shikoni dhe ju, nuk duket gjë që të ketë përfunduar. Urojmë të jetë gati për sezonin, por nga ajo që shohim, duket e vështirë që të përfundojë”, thotë Roza, banore e Durrësit.

“Kur nuk e mbaruan për 8 muaj, nuk besoj ta përfundojnë tani për 1 muaj. Është investim i madh, kërkon kohë, deri tani nuk duket gjë në vijë”, shprehet një tjetër qytetar.

Shëtitorja në Durrës, 3 maj 2023

Përpos ndërtimit të shëtitores, është premtuar edhe rregullimi i fasadave të objekteve në vijën e parë, por nga verifikimi në terren konstatuam se deri më tani nuk ishte bërë asgjë në këtë drejtim.

Shëtitorja në Durrës, 3 maj 2023

Në një dalje për mediat nga selia e Partisë Socialiste më 15 maj, Emiriana Sako reagoi për herë të parë pas fitores në Durrës. Gjatë fjalës së mbajtur, Sako e vuri theksin te turizmi. “Do të fillojmë që nesër me përgatitjet për sezonin turistik”, deklaroi kryebashkiakja e Durrësit.

Në muajin nëntor, Faktoje raportoi mbi nisjen e punimeve për “Lungomaren” e Durrësit dhe se shëtitorja duhej të ishte gati këtë sezon turistik. Projekti për shëtitoren është në fakt kompetencë e qeverisë, megjithatë ky nuk është rasti i parë kur kryebashkiakët joshin qytetarët me premtimet madhore, afatet e të cilave zvarriten përtej planifikimit.

Ky shkrim u publikua në kuadër të projektit “Nxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë” mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) dhe zbatuar nga Faktoje.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img