BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëNisja e punimeve për shëtitoren bregdetare në Durrës, një premtim i mbajtur

Nisja e punimeve për shëtitoren bregdetare në Durrës, një premtim i mbajtur

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit në mars të këtij viti premtoi nisjen e punës për shëtitoren e re përgjatë bregdetit, që nis nga Kavaleshenca deri te Ura e Dajlanit, me një shtrirje prej 3 km. Faktoje verifikoi në terren se kishte nisur puna për ndërtimin e saj, ndërsa shëtitorja duhet të jetë gati në verën e vitit 2023. Projekti për shëtitoren është në fakt kompetencë e qeverisë, megjithatë ky nuk është rasti i parë kur kryebashkiakët joshin qytetarët me premtimet madhore.

—————————————————————————-

“Së shpejti nis investimi për shëtitoren e re bregdetare, e cila nis nga ura e Dajlanit dhe përfundon në Plepa”, premtoi kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako gjatë një takimi të zhvilluar me operatorët turistikë.

Në lidhje me këtë premtim të zonjës Sako, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Durrësit, ku e pyetëm ndër të tjera se në çfarë faze ishin punimet për shëtitoren e re në zonën e plazhit.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Durrës, 28 tetor 2022

Mirëpo, nëpërmjet një përgjigjeje zyrtare, ky institucion sqaron se përgjegjës për punimet është Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion FSHZH dhe jemi në pritje të një përgjigjeje, duke respektuar afatet ligjore për të Drejtën e Informimit.

Kërkesa për informacion dërguar FSHZH, 2 nëntor 2021

Në lidhje me këtë zotim të kryebashkiakes së Durrësit, Faktoje ishte në qytetin bregdetar më 4 tetor, për të parë nga afër ecurinë e punimeve. Gjatë verifikimit në terren konstatuam që kishte nisur puna për ndërtimin e shëtitores, teksa makineri dhe punëtorë të shumtë ishin në zonën e njohur si “Pista Iliria”. Por, ajo që vumë re ishte fakti se në tabelën e punimeve mungonte data e nisjes dhe përfundimit të tyre, ndonëse ky është detyrim ligjor.

Tabela e punimeve, 4 nëntor 2022

Sipas tabelës së punimeve në këtë kantier thuhej se vlera e objektit është 284,962,076 lekë pa TVSH.

Ndërkohë, qytetarë të Durrësit bënë të ditur se ka rreth një muaj që ka nisur puna për ndërtimin e shëtitores.

“Ka një muaj që ka nisur puna. Na kanë thënë verën e ardhshme do jetë gati. Tani të presim, se nga e thëna në të bërë ka shumë punë para”, tha një 45-vjeçare për Faktoje.

Pista Iliria në Durrës, 4 tetor 2021

Punëtorët që ishin në kantierin e ndërtimit thanë për Faktoje: “Do bëhet si Lungomare në Vlorë, sezonin tjetër do jetë gati”.

Pista Iliria në Durrës, 4 tetor 2021

Ndërtimi i shëtitores së Durrësit është një prej projekteve madhore të qeverisë. Në muajin prill të këtij viti, kryeministri Edi Rama dha detaje mbi investimin.

“Do e bëjmë siç e bëmë në Vlorë, do të bëhet spektakolare e gjitha, edhe me zgjerimin e brezit të rërës edhe me jetën e natës që do zhvillohet, mos të thonë Durrsakët që mbetem pas Vlorës. Potenciali është i madh, është vlerë e shtuar. Projekti duhet të mbarojë dhe të përgatitet që puna të fillojë në vjeshtë, pas mbarimit të sezonit veror”, tha Rama.

muajin prill, Bashkia shpalli kompaninë fituese që do të hartonte projektin.

“Nëpërmjet këtij projekti synohet rehabilitimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i zonës së Plazhit të Durrësit. Projekti parashikon krijimin e një shëtitoreje që shtrihet përgjatë vijës bregdetare me shtrirje nga zona e Marinës, portit deri tek godina e Kavalishencës, Pista e Madhe Iliria. Shëtitorja do të përbëhet nga linja kalimi këmbësor dhe pista për biçikleta, nga zona e breza të gjelbërta e elementë të tjerë të mobilimit urban.

Midis shëtitores dhe zonës se plazhit, parashikohet krijimi i stacioneve me pajisje sportive për aktivitete fizike në natyrë, si dhe krijimi i zonave për ushtrimin e sporteve ujore. Përgjatë shëtitores do ketë dhe zona të dedikuara lojërash për fëmije, si dhe zona për shërbime. Parashikohet dhe krijimi i nyejve kryesore ku do ofrohen shërbime gastronomie dhe nyje për funksione rekreative. Zona e stacioneve të plazhit synohet të sistemohet duke ndjekur të njëjtën logjike konceptuale”, sqaronte Bashkia.

Në një intevistë televizive, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako deklaroi në fund të muajit tetor se shëtitorja do të jetë gati brenda sezonit të ardhshëm turistik, ndërsa, inxhinieri i projektit shprehej optimist për përfundimin e projektit brenda afateve kohore, për një periudhë 8 mujore, deri në maj 2023, një tjetër premtim që mbetet për t’u verifikuar.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img