BallinaFaktometerE PavërtetëPropaganda me dizinformim për shkollën “Bedrie Bebeziqi“ në Durrës

Propaganda me dizinformim për shkollën “Bedrie Bebeziqi“ në Durrës

E përzgjedhur nga socialistët për të kandiduar për një tjetër mandat në krye të Bashkisë së Durrësit, kryebashkiakja Emiriana Sako po vijon fushatën elektorale edhe në rrjetet sociale. Në postimet e kryebashkiakes propagndohen edhe investimet e mëhershme publike, siç është rasti i shkollës 9 vjeçare “Bedrie Bebeziqi“, e rindërtuar në vitin 2021 me fonde të qeverisë. Mirëpo, Faktoje ka verifikuar se kjo shkollë nuk i ofroi të gjitha kushtet dhe standadet bashkëkohore,  siç deklaron kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, e zgjedhur nga socialistët për të kandiduar për një tjetër mandat, po bën fushatë edhe në rrjetet sociale ku hera-herës propagandon rindërtimin e veprave publike. Në datën 18 prill ajo bëri këtë postim në profilin e saj në Facebook.

“Mirëmëngjes me shkollën ‘Bedrie Bebeziqi’, një tjetër shkollë me kushte e standarte bashkëkohore”.

Screenshot, postimi i Sakos në Facebook, 18 prill 2023

Zonja Sako ka publikuar foto se si është transformuar shkolla 9 vjeçare “Bedrie Bebeziqi”, duke propaganduar një investim të qeverisë në prag të zgjedhjeve të 14 majit. Nga verifikimi rezulton se shkolla “Bedrie Bebeziqi”, pjesë e procesit të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019, është hapur që në vitin 2021.

Shkolla është financuar nga Fondi i Rindërtimit ne Buxhetin e Shtetit miratuar me Vendimin Nr. 212, datë 11.03.2020: “Për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit të objekteve arsimore” dhe është një investim me vlerë rreth 104.7 milionë lekë.

Por përtej propagandës me investimet publike, për fushatën e zgjedhjeve vendore, verifikuam edhe një të pavërtetë në deklaratën e Sakos. Në shkurt 2023, një artikull i publikuar në Faktoje tregoi me pamje se klasa në katin e  sipërm të shkollës “Bedrie Bebeziqi“ ishin të mbuhura me ujin e shiut që kishte depërtuar, edhe pse shkolla kishte më pak se një vit që ishte përuruar, duke e bërë të pamundur zhvillimin e procesit mësimor, fakt të cilin e konfimonte në muajin janar edhe vetë bashkia Durrës në përgjigjen zyrtare për Faktoje.

Përveç kësaj, në muajt e dimrit, sistemi i kaldajave nuk funksiononte, kjo sipas dëshmive të nxënsve dhe fotove që siguroi Faktoje ku ngrohja bëhej me furnela elektrike, ndërkohë që zyrtarisht bashkia e mohonte një gjë të tillë.

Nga ky verifikim i thjeshtë deklarata e zonjës Sako ka një të pavërtetë, pasi disa nga standarded e shkollës në fjalë janë shkelur, ndryshe nga çfarë propagandohet.

Ky shkrim u publikua në kuadër të projektit “Nxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë” mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) dhe zbatuar nga Faktoje.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img