BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëShkolla e saporindërtuar “Bedrie Bebeziqi“ në Durrës, mbushet me ujë, ngrohja me rezistencë

Shkolla e saporindërtuar “Bedrie Bebeziqi“ në Durrës, mbushet me ujë, ngrohja me rezistencë

Qeveria ka premtuar se shkollat e rindërtuara pas tërmetit të 2019-s do të jenë më standarde europiane. Por shkolla 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi” në Durrës, një investim me vlerë rreth 104.7 milionë lekë, ka shfaqur probleme, më pak se një vit nga përurimi. Nga një verifikim në dhjetor 2022 rezultoi se në klasat e katit të sipërm të shkollës kishte depërtuar uji i shiut. Ndërkohë sistemi i ngrohjes me kaldajë nuk funksiononte dhe nëpër klasa ngrohja bëhej me rezisenca elektrike. Në përgigjen zyrtare, bashkia Durrës mohon problematikën edhe pse fotot e siguruara ilustronin realietin.

Nga Albina Hoxhaj

Rindërtimi i shkollave me standarde europiane ka qënë një ndër zotimet e përsëritura në deklaratat e zyrtarëve qendrorë dhe vendorë pas tërmetit të nëntorit 2019. Një prej shkollave të rindërtuara është ajo 9 vjeçare “Bedrie Bebeziqi“.

Në një postim që mban datën 30 gusht 2020 kryeministri Edi Rama flet për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi” në Durrës për të cilën thotë se ajo do të ketë kushte optimale, pa dallim nga shkollat e komunave Europiane”.

Shkolla “Bedrie Bebeziqi” hapi dyert në vitin 2021, por kati i sipërm i ndërtesës  u mbush me ujë pas shirave të parë të vjeshtës që lamë pas (në 2022), duke e bërë të pamundur zhvillimin e procesit mësimor.

Videoja e siguruar nga ne tregon situatën në datën 23 nëntor 2022.

 

Screen nga video e klasave të mbushura me ujë në shkollën “Bedrie Bebeziqi” në Durrës

Ndërkohë ngrohja realizohet ende me rezistenca, edhe pse shkolla e rindërtuar e ka tashmë sistemin e kaldajave. Gjatë verifikimit të kryer në këtë shkollë në muajin dhjetor 2022 rezultoi se kaldajat nuk funksiononin dhe ngrohja në klasë bëhej me rizistencë.

Kaldajat në shkollën 9 vjeçare “Bedrie Bebeziqi”në Durrës, jashtë funksionit, dhjetor 2022

Rezistenca që përdoret për ngrohje në klasat e shkollës “Bedrie Bebeziqi”

Gjatë komunikimit, nxënës të kësaj shkolle, tregojnë se nuk e dinë përse nuk ndizen kaldajat.

“I kam parë kaldajat, por në klasë ne ngrohemi me rezistencë. Kur kemi ftohtë afrohemi te rezistenca dhe ngrohim duart”, thotë një nxënës në klasën e dytë. Ndërsa një tjetër thotë: “Klasa ngrohet nga dreka atëherë kur ne jemi gati për të ikur se mbaron mësimi”.

Një mësuese e shkollës “Bedrie Bebeziqi”, pa dashur të identifikohet thotë: “Nuk e di përse nuk vihen në punë kaldajat, por të gjithë e dinë që ne ngrohemi me rezistencë.”

Prindërit shprehen të shqetësuar për këtë situatë dhe thonë se do të reagonin për ngrohjen nëse do binin temperaturat. “Koha ka mbajtur mirë, i kemi veshur fëmijët dhe nuk kanë pasur ftohtë. E kam fëmijën në klasën e parë, jam i shqetësuar. Nëse do të ketë ngrica do reagojmë”, thotë ai.

Faktoje ka biseduar më mësues dhe nxënës të shkollës në datën 24 nëntor dhe është rikthyer sërish në datën 12 dhjetor ku ka siguruar fotot dhe videot brenda shkollës.

Pas vëzhgimit të kryer në shkollën “Bedrie Bebeziqi”, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së Durrësit në lidhje me këto dy problematika.

Screen e kërkesës për informacion drejtuar bashkisë së Durrësit për problematikat e konstatuara në këtë shkollë

Në përgjigje të informacionit të kërkuar Bashkia e Durrësit argumentoi se mbushja e klasave me ujë nuk vjen si pasojë e mungesës së cilësisë së punimeve:

Në bazë të verifikimit të kryer në shkollën 9 vjeçare “Bedrie Bebeziqi” nga firma zbatuese në prezencë të drejtorisë së shkollës, rezultoi se problematika e shfaqur pas reshjeve të dendura të shiut, nuk lidhej me mosrespektimin e standardeve të ndërtimit, por me bllokimin provizor të infrastrukturës shimbledhëse të tarracës së objektit, me mbeturinat e hedhura  nga objektet përreth, problematikë e cila u zgjidh dhe nuk është përsëritur më në shkollë”.

Ndërkohë bashkia mohon mofunksionimin e kaldajave, edhe pse gjatë verifikimit në muajin dhjetor fotot e siguruara tregojnë se në shkollë përdoren rezistencat për ngrohje, ndërsa burime brenda shkollës konfirmuan se kaldajat nuk funksionojnë.

Screen nga përgjigjja e Bashkisë së Durrësit

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img