Imazhet që duket se tregojnë themeluesin e WikiLeaks Julian Assange të dhunuar në burg janë të rreme. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se këto foto janë prodhim i programeve të inteligjencës artificale (AI).

————————————————————

Disa imazhe që tregojnë një burrë të dobët me flokë të bardha në burg po qarkullojnë së fundi në rrjetet sociale shqipfolëse si të ishin fotografi të themeluesit të WikiLeaks.

Ato shoqërohen me mesazhe mbështetëse për Assange, i cili është në burg në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2019 duke pritur të ekstradohet në ShBA ku akuzohet për spiunazh. “Mos e harroni këtë foto, mund të jetë e fundit e një njeriu që po paguan çmimin e së vërtetës dhe për të gjithë ne, sepse ata nuk duan që ne të dim krimet e tyre,” shkruan një prej tyre.

Megjithatë, lajmi i mirë për mbështetësit e Assange është se këto imazhe nuk janë foto të tij. Ato janë krijuar nga dikush që përdor emrin “The Errant Friend” në Twitter dhe postoi imazhet në llogarinë e tij në 30 mars. “The Errant Friend” konfirmoi për gazetën gjermane Bild se imazhet ishin prodhuar nga ai me anë të programit të inteligjencës artificiale (AI) Midjourney. Ai madje vendosi dhe ‘firmën’ e tij në formën e tekstit që përshkon imazhet dhe shkruan “Photo Property of E” (Foto është pronë e E). Autori u vetëpërshkrua si mbështetës i Assange.

Bashkëshortja e Assange Stella konfirmoi gjithashtu për Bild se imazhet që po qarkullojnë janë gjeneruar me AI. 

Komiteti në mbështetje të Assange, i quajur “Don’t Extradite Assange” (Mos e Ekstradoni Assange) tha të njejtën gjë për AFP më 4 prill.