BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKushtetuesja nuk shfuqizoi Bordin e Karburanteve

Kushtetuesja nuk shfuqizoi Bordin e Karburanteve

Dhjetra portale në vend kanë keqinterpretuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese mbi padinë e një grupi deputetësh demokratë lidhur me Bordin e Karburanteve, duke lajmëruar shfuqizimin e tij. Në fakt, Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e Partisë Demokratike, duke shfuqizuar vetëm një nen të aktit normativ, sipas së cilit Bordi i Karburanteve nuk mund të shkrijë vetveten.

“Gjykata Kushtetuese shfuqizon Bordin e Karburanteve”, ky është titulli që mbushi dhjetra portale online në Shqipëri mbrëmjen e 18 prillit, pasi Gjykata Kushtetuese njoftoi vendimin mbi kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Demokratike, që kishte objekt shfuqizimin e Aktit Normativ për Bordin e Karburanteve.

Të dhënat nga motorri i kërkimit të Facebook, Crowdangle, tregojnë se lajmi për shfuqizimin e këtij bordi është shpërndarë nga portale të ndryshme të paktën 35 herë, duke marrë qindra reagime në rrjet. Adresa e parë që ka shpërndarë lajmin rezulton ajo e televizionit kombëtar Klan.

“Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar Bordin e Transparencës për karburantet duke e konsideruar si të papajtueshëm me Kushtetutën.”, shkruhet ndër të tjera në artikullin e publikuar nga TV Klan më 18 prill në orën 20:45, për t’u ndjekur më pas nga Albeu, Euronews Albania, Politiko, JOQ Albania, Boldnews.al, Vox Albania, Zoom.al, Të Paekspozuarit apo Gazeta Standard.

Ndër të paktat media online që e kanë interpretuar sicc duhet vendimin e Kushtetueses lidhur me Bordin e Karburanteve rezultojnë A2CNN, Dosja.al, Realiteti Post dhe Oligarkia.al.

Në fakt, vendimi i Kushtetueses nuk parashikon shfuqizimin e Bordit të Karburanteve. Në njoftimin e shpërndarë mbrëmjen e së martës, Gjykata Kushtetuese pohon se ka pranuar pjesërisht kërkesën e Partisë Demokratike, duke shfuqizuar një nen të Aktit Normativ, nenin 21/10 pika 2, sipas së cilit Bordi i Karburanteve nuk mund të shkrijë vetveten.

“Zbatimi i parashikimeve të këtij kreu fillon me shpalljen e situatës së veçantë me vendim të Këshillit të Ministrave. Përfundimi i situatës së veçantë dhe i zbatimit të parashikimeve të këtij kreu përcaktohet me vendim të Bordit.”- saktësohet në nenin 21/10 të Aktit Normativ.

Pra, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar si antikushtetuese vetëm këtë pikë të Aktit Normativ që ia lë vetë Bordit në dorë se kur ‘shkrihet’. Ndërkohë vendimi lë në fuqi pjesën tjetër të Aktit Normativ, duke ia njohur të drejtën qeverisë dhe ministrisë përgjegjëse për krijimin dhe shfuqizimin e kësaj strukture të veccantë.

Në fillim të vitit, Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj lajmëroi shkrirjen e Bordit të Transparencës në fushën e hidrokarbureve. Por pak ditë më vonë, dikasteri që ajo drejton, konfirmoi zyrtarisht për “Faktoje” vazhdimësinë e Bordit, duke vërtetuar edhe njëherë se ‘nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë.’ Tashmë, pas vendimit të Gjykatës, do të duhet që Këshilli i Ministrave apo edhe ministria e Financave t’i hapë rrugën ligjore shkrirjes së Bordit.

Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dezinformimin.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img