BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëPetrit Vasili: Godina e Kardiologjisë është urdhëruar të mos zhvillojë aktivitete

Petrit Vasili: Godina e Kardiologjisë është urdhëruar të mos zhvillojë aktivitete

MARJO BRAKAJ

Mes mijëra banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit janë edhe godina të spitaleve publike. “Faktoje” verifikoi një deklaratë të nënkryetarit të LSI Petrit Vasili, për pavionin e Kardiologjisë në QSUT ku aktiviteti mjekësor nuk është ndërprerë pavarësisht dëmtimit.

———————————————————————————————————————————————————— 

“Veprim i rëndë antishtetëror i Kryeministrit! Godina e Repartit të Kardiologjisë është urdhëruar, pas ekspertimit që të mos zhvillojë aktivitete deri në riparimin e ambienteve”.

Nëpërmjet këtij postimi në rrjetin social “Facebook”, Zv.kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili në 10 dhjetor akuzoi kryeministrin Edi Rama se po kryente një “veprim antishtetëror” duke e shpallur godinën si “të banueshme”, pavarësisht akt-konstatimit të Institutit të Ndërtimit.

Nisur nga kjo deklaratë “Faktoje” kontaktoi fillimisht me institucionin përgjegjës që ka lëshuar akt-konstatimin e datës 30 nëntor 2019, për ndërtesën 6 katëshe ku ndodhet reparti i kardiologjisë në QSUT.

Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu i tha “Faktoje”-s se akt-konstatimi konkludon në dëmtime të kategorizuara si “të lehta” ku përfshihen, rënie suvaje dhe çarje të mureve.

Sipas Agron Hysenlliut akt-konstatimi nuk e shpall godinën e 6-katëshit “të pabanueshme”, por nënkupton pezullim të pjesshëm të aktivitetit vetëm në ambientet e dëmtuara.

Kundër deklaratës së zotit Vasili reagoi edhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Terëza”, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”. QSUT sqaroi se akt-konstatimi i Institutit të Ndërtimit i datës 30 nëntor 2019 e shpallte godinën e 6-katëshit si “të banueshme” dhe nuk urdhëronte pezullimin e aktivitet tërësor në pavion.

Ne shkuam në Repartin e Kardiologjisë për të parë nga afër situatën dhe konstatuam se aktiviteti mjekësor vijonte normalisht. Punime po kryheshin në katin përdhes (kati 0) ku ndodhet mjedisi i pritjes dhe recepsioni, ndërsa ashensorët (të domosdoshëm për zhvendosjen e pacientëve) nuk ishin në funksion.

“Faktoje” fotografoi riparimet e përfunduara ndërkohë në katet e tjera të pavionit të kardiologjisë. Disa mjekë të repartit me të cilët folëm na konfirmuan se kishte pasur zhvendosje të përkohshme të aktivitetit në salla të tjera gjatë riparimeve në mjediset e dëmtuara, përfshirë edhe reanimacionin.

Nisur nga verifikimet përmes burimeve zyrtare dhe në terren, deklaratën e nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili, të datës 10 dhjetor 2019, vendosëm ta kategorizojmë si GJYSMË TË VËRTETË.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img