BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookA përjashtoi qeveria Dëshmitarët e Jehovait nga fondet e buxhetit të shtetit?

A përjashtoi qeveria Dëshmitarët e Jehovait nga fondet e buxhetit të shtetit?

Qeveria shqiptare nuk ka përjashtuar “Dëshmitarët e Jehovait” nga financimi me fonde publike për vitin 2023, ashtu siç është interpretuar në portale vendimmarrja e saj e 24 prillit. Si çdo vit, fondet publike financojnë vetëm 4 bashkësitë fetare, të njohura si komunitete të persekutuara nga regjimi komunist.

Jona Plumbi

Kryeministri Rama dhe ministrat e kabinetit të tij miratuan në 24 Prill një VKM që përcakton vlerën e financimit që buxheti i shtetit do i japë bashkësive fetare për vitin 2023. Ky vendim i përvitshëm, është interpretuar nga mediat online duke pretenduar se në listën e bashkësive fetare, të cilat përfitojnë para nga buxheti i shtetit, është përjashtuar njëra prej tyre.

Kështu pretendon rilindje.info në artikullin me titull “Qeveria Shqiptare ndan 1 miliardë lekë për komunitetet fetare, përjashton…”

Lajmi është publikuar në Facebook edhe nga dy profile (këtu dhe këtu) që duket se kanë lidhje me portalin por edhe në emërtimin e tyre.  

Artikulli nis duke njoftuar totalin e fondit të alokuar nga që buxheti i shtetit për komunitetet fetare, por fjalia e fundit është ajo që përmban edhe thelbin e titullit, përjashtimin e një bashkësie nga financimi. Sipas Rilindje.info “ajo që bie në sy, është se Dëshmitarët e Jehovait janë përjashtuar nga kjo mbështetje financiare e Qeverisë shqiptare”.

Nisur nga ky pretendim “Faktoje” vendosi të verifikojë nëse ky “përjashtim” është i vërtetë apo jo. Në faqen e kryeministrisë është zbardhur Vendimi i Këshillit të Ministrave me titull “VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT NË BUXHETIN E VITIT 2023 PËR BASHKËSITË FETARE, QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE”.

*VKM-ja e vitit 2023

VKM-ja përcakton shpërndarjen e 113 000 000 (njëqind e trembëdhjetë milionë) lekësh për tre bashkësi fetare:

  1. Komunitetin Mysliman të Shqipërisë me 33 840 000 lekë
  2. Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë me 26 400 000 lekë
  3. Kishën Katolike në Shqipëri me 26 400 000 lekë
  4. Kryegjyshatën Botërore Bektashiane me 26 360 000 lekë

Për të kuptuar nëse pretendimi i portalit është i vërtetë, për përjashtimin e një bashkësie nga kjo listë, “Faktoje” vendosi të krahasojë VKM-në e këtij viti me ato të viteve të mëparshme. Me një kërkim në rrjet rezulton se në vitin 2022, qeveria miratoi në 26 Maj VKM-në për shpërndarjen e fondeve nga buxheti i shtetit për bashkësitë fetare që kanë marrëveshje me Këshillin e Ministrave.

*VKM-ja e vitit 2022

Përmes kësaj VKM-je në vitin 2022 qeveria vendosi shpërndarjen e të njëjtës shumë prej 113 000 000 (njëqind e trembëdhjetë milionë) lekësh nga buxheti i shtetit për:

  1. Komunitetin Mysliman të Shqipërisë me 33 600 000 lekë
  2. Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë me 26 496 000 lekë
  3. Kishën Katolike në Shqipëri me 26 496 000 lekë
  4. Kryegjyshatën Botërore Bektashiane me 26 408 000 lekë

Siç duket edhe nga lista e komuniteteve që kanë përfituar fonde në vitin 2022, “Dëshmitarët e Jehovait” nuk kanë qënë pjesë. Edhe në vitin 2021 qeveria ka miratuar një VKM për të njëjtin funksion, shpërndarjen e fondeve nga buxheti i shtetit për bashkësitë fetare që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave.

*VKM e vitit 2021

Edhe në këtë rast, vlera prej 113 000 000 lekësh nga buxheti i shtetit është shpërndarë për:

  1. Komunitetin Mysliman të Shqipërisë me 33 120 000 lekë
  2. Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë me 26 640 000 lekë
  3. Kishën Katolike në Shqipëri me 26 640 000 lekë
  4. Kryegjyshatën Botërore Bektashiane me 26 600 000 lekë

Situata përsëritet edhe në VKM-në e vitit 2020.

Nisur nga ky verifikim në tre vitet e kaluara, mund të konstatohet se nuk ka ndonjë përjashtim për t’u vënë në dukje në procedurën e këtij viti.

Për të kuptuar edhe më mirë situatën, “Faktoje” iu referua ligjit mbi të cilin bazohen Vendimet e Këshillit të Ministrave, që është ligji “për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me këshillin e ministrave”. Neni 1 i këtij ligji, i jep përgjigje “dyshimeve” të portalit kur përcakton se “Shteti mbështet financiarisht bashkësitë fetare, Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Kishën  Ortodokse  Autoqefale  të  Shqipërisë,  Kishën  Katolike  në  Shqipëri  dhe  Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, të cilat kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”.

*faksimile e ligjit ku përcaktohen bashkësitë fetare që përfitojnë nga buxheti i shtetit

Nisur nga çfarë ky ligj parashikon, por edhe nga praktika e ndjekur në vitet e mëparshme, bëhet e qartë se “Dëshmitarët e Jehovait” nuk kanë marrëveshje me Këshillim e Ministrave dhe për rrjedhojë nuk përfitojnë financim nga buxheti i shtetit.

Financimi i bashkësive fetare është një praktikë prej 2009-s, ku nëpërmjet një ligji qeveria vendosi të shpërndajë fonde në formë dëmshpërblimi moral për krimet e komunizmit ndaj fesë si dhe moskthimit të pronave të sekuestruara nga shteti në vitin 1967. Këtë kriter e plotësojnë katër bashkësitë kryesore fetare, Komuniteti mysliman, Kisha katolike, Kisha ortodokse dhe Kryegjyshata botërore bektashiane.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img