Lumi Gjanica nuk i ka shpëtuar ndotjes edhe pas shumë premtimeve të bëra ndër vite, për ta pastuar atë. Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi deklaroi në vitin 2015 se do të vendoseshin impiante për filtrimin e ujërave, por situata nuk ka ndryshuar edhe kur kanë kaluar 6 vite nga zotimi i bërë. Më 20 janar të vitit 2018, Subashi njoftoi se kishte nisur puna për filtrimin e ujërave përmes projektit “Recovered Earth Gjanica”. Por, në shtator 2021 një impiant i tillë nuk ekziston. Punonjës të rafinerisë, shprehen se impanti është vënë vetëm një ditë, vetëm sa për t’u inauguruar dhe është hequr më pas.

“Do të ndërtohen impiante për pastrimin e të gjitha ujërave që derdhen në det, në territorin e bashkisë. Me pak fjalë i gjithë ky projekt konsiston në pastrimin e gjithë ujërave të lumit Gjanica”- premtoi Armando Subashi në 20 janar të vitit 2018, gjatë ceremomisë së vendosjes së impiantit për pastrimin e Gjanicës, i shoqëruar nga Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi.

Ministri Klosi dhe kryebashkiaku Subashi tek impianti i filtrimit

Faktoje shkoi në zonën e ish-Azotikut më 20 shtator 2021, për të parë nëse se si po funksiononte impianti për filtrimin e ujërave, mbi lumin Gjanicë.

Por, nga verifikimi ynë në terren rezultoi se aty nuk kishte më impant. Cfarë mundëm të gjenim ishte vetëm një shesh betoni, që gati-gati po mbulohej nga barishtet përreth.

Punonjës e rafinerisë së naftës që ndodhet aty pranë, na shpjeguan se impianti është vënë vetëm një ditë.

Pamje nga vendi ku duhet të ishte impianti, shtator 2021

“Këtu janë çudira shqiptare. Rafineria është bërë që në vitin 1968. Impianti u vu enkas për ne, sepse ne derdhim ujëra teknologjik. Do ta bënin kimisht të pastër ata, por nuk është bërë gjë. Ka dy vjet e gjysmë  që impianti u inaugurua,  por nuk u vu fare në punë”, – u shpreh njëri prej punonjësve të rafinerisë për Faktoje.

Rafineria te ish-Azotiku, shtator 2021

Ndërkohë, nga sa mund të konstatohej në terren ndotja e lumit Gjanicës ishte prezente në çdo cep, duke u kthyer një shqetësim serioz për banorët.

“Është ndotje e madhe, askush nuk po merr masa. Nuk e di si do ja bëjmë, kështu nuk mund të jetohet”, thanë të shqetësuar banorët.

Ndotja prezente ende në Fier, shtator 2021

Në lidhje me këtë problematikë, ne i kemi dërguar një kërkesë për informacion Bashkisë Fier në 17 gusht të 2021, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigje.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Fier

Në një artikull të publikuar më 12 nëntor të vitit 2020, Faktoje ngriti këtë problem shqetësues, i cili duket shumë larg zgjidhjes, pavarësisht premtimeve të bëra.

Në përgjigjen e dhënë për Faktoje në 2020-n, në lidhje me këtë problem, Bashkia Fier theksonte: “Në vitin 2018 kompania ‘Recovered Earth Albania’ është vetofruar në Bashkinë Fier me pretendimin se dispononte teknologjinë e nevojshme për pastrimin e ujërave të lumit Gjanica. Kompania me iniciativën dhe kontributin e saj evidentoi pikat më të ndotura përgjatë lumit Gjanica dhe instaloi me konsensusin e bashkisë Fier aparaturat e filtrimit në zonën pranë ish AZOTIK-ut, ku u bë edhe demonstrimi.

Nga ana e Bashkisë dhe Kryetarit të saj ky demonstrim u pa me shumë interes, pasi është një shqetësim evident. Gjithçka e kryer ishte një kërkesë e kompanisë RECOVERED EARTH ALBANIA për të prezantuar aparaturat dhe rezultatin e tyre në pastrimin e ujit të lumit dhe nuk ka patur asnjë investim, apo projekt të përbashkët në lidhje me të. Pas përfundimit të këtij demonstrimi kompania i tërhoqi përsëri aparaturat. Pas këtij momenti Bashkia Fier nuk ka asnjë informacion në lidhje me to”.

Edhe në një vëzhgim të bërë në dhjetor 2020, nga Faktoje, problematika e ndotjes së lumit dhe mos ndëshkimi i autorëve vijonte, pavarësisht së kreu i Bashkisë shprehej se do i jepej fund.

“Për sa i përket ndotjeve të lumit Gjanica, sigurisht është një sfidë e vazhdueshme. Pa dyshim do të merremi realisht më të gjitha strukturat ligjzbatuese që kanë kompetencë përkatëse në këtë fushë, që ta frenojmë deri në heqjen e plotë të këtij fenomeni”, deklaroi Subashi në shtator të 2020-s.

Edhe pse kanë kaluar tashmë 6 vite, problemi për pastrimin e lumit Gjanica nuk ka gjetur zgjidhje. Nga vëzhgimi në terren dhe informacioni i grumbulluar, Faktoje e konsideron premtimin të PAMBAJTUR.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna  nga kryebashkiakët.