BallinaBurokraciMSH: Vaksina Covishield u injektua tek arsimtarët, policët dhe punonjës të fasonerive

MSH: Vaksina Covishield u injektua tek arsimtarët, policët dhe punonjës të fasonerive

Ministria e Shëndetësisë zbardhi zyrtarisht, pas kërkesës së Faktoje se në cilat kategori është injektuar vaksina me emërtimin Covishield. Në një artikull të publikuar më 10 Shtator, Faktoje raportoi se për herë të parë Ministria e Shëndetësisë përmendte 50 mijë doza Covishield, për të cilat nuk kishte ndonjë njoftim zyrtar publik, ashtu sikurse ndodh për vaksinat e llojeve të tjera të administruara nga Shqipëria Pfizer BionTech, Coronavac, AstraZeneca, Sputnik V, që prej nisjes së procesit të vaksinimit kundër Covid 19.


Faktoje ishte vënë në dijeni përmes një tjetër burimi se kontigjenti në fjalë kishte ardhur në formë donacioni nga India, por nuk kishte ndonjë informacion se në cilat kategori ishte injektuar kjo lloj vaksine. Në 10 shtator Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion në Ministrinë e Shëndetësisë ku interesohej për hollësitë mbi këtë vaksinë.

Kërkesa dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, datë 10 Shtator

Përgjigjja zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë erdhi pas ankimimit në zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, 1 muaj pas dërgimit të kërkesës.

Në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë jepet ky sqarim:

“Vaksina e kompanisë Astrazeneca me emërtimin Covishield ka mbërritur në vendin tonë në datën 18 Prill 2021. Kjo vaksinë u përdor kryesisht gjatë periudhës 18 Prill- Qershor në grupmosha të ndryshme, pasi përkonte me periudhën kur vaksinoheshin arsimtarë, punonjës të forcave të rendit, punonjës fasonerie.”

Përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë, 11 Tetor

Ende pa mbërritur përgjigjja zyrtare nga ministia, disa vaksinatorë nga qendrat shëndetëore të Tiranës dhe në çadrën e ngritur në Sheshin “Skenderbej”, i konfirmuan Faktojes se Covishield kishte nisur të injektohej në muajt prill-maj, por ky lloj emërtimi nuk figuronte në ndonjë deklaratë apo njoftim publik, çfarë ngriti pikëpyetje mbi transparencën e procesit.  Në një reagim në ABC News, pas publikimit të artikullit në Faktoje, shefja e vaksinimit Erida Nelaj pranoi se në Shqipëri ishte injektuar kontigjenti prej 50 mijë dozash të vaksinës Covishield dhe sqaroi se kjo lloj vaksine është e ngjashme me atë Astra Zeneca. Megjithatë Covishield ende nuk njihet zyrtarisht nga EMA dhe FDA, ashtu sikurse ndodh vaksinat Astra Zeneca, Pfizer BionTech, Moderna apo Johnson&Johnson, megjithatë pjesa më e madhe e shteteve të Europës e njohin këtë vaksinë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img