Plani për hartimin e një pakete të tretë ekonomike, e paralajmëruar nga kryeministri Rama në mesin e muajit prill, u “braktis” për t’u zëvendësuar nga një plan madhor siç është ai i rimëkëmbjes. Ky i fundit parashikohet të marrë më shumë kohë si proces dhe sipas ekspertëve mund të penalizojë ato grupime të prekura më rëndë nga pasojat e COVID-19.
Kryeministri Rama, më 13 prill paralajmëroi për mundësinë e një pakete të tretë ekonomike si ndihmë për të përballuar pasojat e pandemisë së COVID-19.
“Në të gjitha rastet ne jemi gati dhe do të jemi gati për paketën e tretë mes datave 20 dhe 25 maj, duke parë gjithmonë dinamikën në të dyja frontet dhe përsëri do të jemi në gjendje t’i gjendemi pranë të gjithë atyre që nuk do të kenë të ardhura nga puna në atë moment për shkak të pamundësisë së daljes nga perimetri i rrethimit mbrojtës.” – tha ai.
Ideja për një paketë të tretë u mirëprit nga ekspertët e fushës së ekonomisë pasi ashtu siç kemi shkruar më parë, paketa në fjalë do ishte e orientuar për t’i ardhur kryesisht në ndihmë bizneseve.
“Paketa C në vetvete mund të mbajë një nënpaketë për sektorin e turizmit dhe sektorin e shërbimeve që është sektori më i prekur dhe pak mundësi ka që të ringrihet në këtë sezon vere. Mund të ketë elementë të veçantë për sektorin e fasonëve, që është sektor që punëson një numër të konsiderueshëm punonjësish.”- tha eksperti i ekonomisë, zoti Adrian Civici për “Faktoje” më 18 prill.
Por më 8 qershor, dy javë përtej afatit të paralajmëruar nga kryeministri Rama për një paketë të tretë të mundshme, ai deklaroi se ajo ishte e panevojshme. Duke folur në emisionin “Open”, kryeministri, idenë e paketës së tretë e zëvendësoi me planin e rimëkëmbjes ekonomike.
“Kemi vendosur që biznesi i vogël të mos paguajë tatim-fitimi deri në fund të këtij viti, pra s’ka asnjë tatim-fitimi. Që do të thotë do të ketë shumë më tepër sesa paga e një pakete të tretë direkte, sepse nuk do paguajë tatim-fitimi dhe në qershor do të çojmë në parlament një program bashkë për buxhetin e riparë dhe do të ndërhyjmë në paketën fiskale në qershor dhe do t’ia heqim biznesit të vogël deri në 140 mijë dollarë xhiro tatim-fitimin deri në vitin 2029.” – tha ai.
“Faktoje” kontaktoi me ish-Ministrin e Financave, zotin Arben Malaj mbi këtë ‘ndryshim plani’ të qeverisë dhe efektet që mund të japë. Malaj, si përkrahës i idesë për një paketë të tretë ekonomike beson se do të ketë gjithmonë e më shumë nevojë për një të tillë, bazuar në ecurinë e dy paketave të para, duke parë edhe rrezikun e rikthimit të efekteve negative të pandemisë.
“Ideja se paketa e tretë do zëvendësohet nga një plan rimëkëmbës besoj se ka mospërputhje në kohë dhe problemi me krizën është pikërisht si të menaxhosh efektet negative të menjëhershme dhe në qoftë se ne i përmbahemi BERZH-it, ekonomia shqiptare do rritet -9%, atëherë paketa e rimëkëmbjes është një dokument strategjik i cili do kërkojë kohën e tij për t’u përgatitur, hapësirë në kohë për oponencë nga studiuesit, akademikët, por dhe nga agjentët e tjerë ekonomikë. “ – tha ai.
Rëndësinë e elementit kohë zoti Malaj e theksoi në përmbajtjen potenciale që mund të kishte një paketë e tretë ekonomikë. Sipas tij, ajo do të vinte si vijimësi e dy paketave të para, që kishin në qendër të tyre tre kolona kryesore: mbështetja e sektorit shëndetësor, elementi i kohezionit dhe solidaritetit social si dhe mbështetja për biznesin, nga ai vogël deri tek biznesi i madh.
“Duke ruajtur të njëjtat kolona dhe duke analizuar masën e efektshmërisë së tyre në rastin e paketës së parë dhe të dytë, unë mendoj që nuk ka nevojë të shpiknin instrumenta të tjerë, por ka nevojë të shkurtojnë kohën e transmetimit të politikave lehtësuese tek përfituesit realë dhe në ekonominë reale të Shqipërisë.” – tha eksperti i ekonomisë.
*Foto e parë është marrë nga Forbes
JOEL ÇELA