Pretendimi i përsëritur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç për eksod të serbëve nga Kosova, gjoja nga dhuna dhe persekutimi i Prishtinës zyrtare, është një narrativë e qëllimshme dhe e pabazuar në fakte. Raporti me titull “Spastrimet e sajuara – Statistika, gënjeshtra dhe konfuzion në Kosovë” i publikuar së fundmi nga një think tank me fokus Europën Juglindore dhe zgjerimin e BE-së, përgënjeshtron tezën e Vuçiç. Ekspertët e pyetur nga Faktoje paralajmërojnë se narrativa të tilla rrezikojnë të shfrytëzohen si pretekst për agresion ndaj Kosovës.

Çfarë pretendon Vuçiç

Më 5 tetor 2023, presidenti Vuçiç tha për mediat serbe se si rezultat i “terrorit shqiptar” 11% e serbëve të Kosovës ishin larguar nga vendi që nga fillimi i vitit 2021.

Më 8 shkurt 2024, duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vuçiç e rriti shifrën dhe referoi se 14% e serbëve të Kosovës ishin larguar vetëm brenda vitit 2023.

Dhuna dhe persekutimi që Prishtina tani po kryen hapur ndaj serbëve është pjesë e natyrshme e sulmit afatgjatë, sistematik dhe të përhapur ndaj popullatës civile serbe në mbarë Kosovën dhe Metohinë. Vetëm vitin e kaluar, padyshim për shkak të dhunës së përshkruar fizike dhe strukturore të institucioneve të Prishtinës ndaj popullatës serbe, më shumë se 14 për qind e serbëve u larguan nga Kosova dhe Metohia.”  – Aleksandar Vuçiç, 8 shkurt 2024, Këshilli i Sigurimit, OKB

Faktoje kërkoi informacion të mëtejshëm nga qeveria serbe për këtë pretendim të ngritur, por nuk mori përgjigje.

Në asnjë rast Vuçiç nuk ofron prova apo fakte për të mbështetur pretendimin e tij për “spastrim etnik të serbëve të Kosovës” përpos pretendimit se Albin Kurti dhe qeveria e Kosovës po e bëjnë jetesën e minoritetit serb atje të padurueshme. Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ermal Hasimja, këto deklarata të pambështetura në fakte të presidentit serb, i sheh si përpjekje të Vuçiçit për t’i shtuar argumente artificiale qëndrimeve të tij.

Do të ishte problem nëse pretendime të tilla përdoren si një pretekst për agresivitet shtesë ndaj Kosovës ose çfarëdolloj ndërhyrjeje të mëtejshme të Serbisë në Kosovë.”

Çfarë dëshmojnë statistikat për popullsinë serbe në Kosovë

Statistikat e fundit zyrtare të serbëve në Kosovë datojnë në vitin 1991, kur Slobodan Millosheviç kishte rivënë kontroll të plotë ndaj Kosovës. Asokohe serbët e Kosovës u nxitën të merrnin pjesë masivisht në census dhe rezultati dëshmonte për 194,000 serbë në Kosovë. Ky ishte censusi i fundit në të cilin serbët e Kosovës morën pjesë.

Ermal Hasimja heq një paralele mes dy retorikave.

Mos të harrojmë që Millosheviçi erdhi në pushtet në Jugosllavi duke u vetëshpallur mbrojtës i serbëve të Kosovës nga ‘persekutimi prej shqiptarëve’.” – thekson ai.

Nisma Europiane për Qendrueshmëri, nga një informacion i marrë rreth 20 vjet më parë nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, për numrin e popullsisë serbe në Kosovë doli në përfundimin se në vitin 2002 në Kosovë jetonin 129,474 serbë.

Për vitin 2004, kjo organizatë vijoi me mbledhjen e të dhënave për nxënësit e shkollave fillore në gjuhën serbe në Kosovë, (14,368 nxënës). “Duke përdorur një anketë mbi strukturën moshore të popullsisë serbe të Kosovës, ishte e mundur të përllogaritej një popullsi totale serbe në vitin 2004 prej 128,000.” – shkruan rapoti i ESI.

Sa është sot popullsia serbe në Kosovë

Ndërkohë që Vuçiç pretendonte “spastrim etnik” të serbëve të Kosovës nga karrigia e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Lista Serbe – partia politike e pakicës serbe në Kosovë – i dërgoi një letër ambasadorëve të vendeve të Quint-it ku i kërkonte ndaljen e terrorit të Albin Kurtit dhe eksodit të popullsisë serbe.

Ne po ju drejtohemi në emër të popullit serb nga Kosova dhe Metohija, duke ju përcjellë lutjet dhe pritshmëritë e njerëzve që të përdorni autoritetin tuaj të madh, personal, si dhe autoritetin e vendeve të respektuara që përfaqësoni në këto fusha, që urgjentisht të ndaloni eksodin e popullit tonë nga vatrat e tij shekullore.” – shkruhej  në letrën e Listës Serbe.

Në këtë letër, shtete anëtare të Quint informoheshin se për shkak të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës mbeten pa burim të ardhurash 100,000 serbë.

Deklaratën e përsëriti me zë dhe figurë për mediat serbe kreu i listës serbe, Zlatan Elek. Pasi përmendi 100,000 serbët e Kosovës që do të preken nga vendimi për heqjen e dinarit, Elek vijon duke thënë se kjo prakitkisht do të thotë se preket e gjithë popullsia serbe në Kosovë dhe Metohi.

Nisur nga kjo deklaratë mund të deduktojmë se sipas institucioneve serbe, në Kosovë jetojnë rreth 100,000 serbë.

VitiTotali
2002129,000
2024100,000
* Popullsia vendase serbe në Kosovë (sipas burimeve serbe)

Sipas këtyre të dhënave, në 22 vjet, popullsia serbe në Kosovë është zvogëluar me 22%.

Çfarë fakton raporti i ESI

Sipas të dhënave të censeve të kryera rregullisht në Serbi trendi i luhatjes së popullsisë atje ka ndryshuar si më poshtë:

VitiTotali
20027,498,001
20117,186,862
20226,647,003
 *Popullsia e Republikës së Serbisë (rezultatet e censeve)

Nga viti 2002 deri në vitin 2022 popullsia serbe ka rënë me 850,998 banorë, e barbartë me 11%.

Nëse ky trend i rënies se popullsisë ndahet në bazë të 25 zonave administrative të Serbisë, pamja bëhet më e qartë:

* Burimi EIS, rënia e popullsisë serbe në përqindje

Analiza e trendeve të popullsisë rajonale në Serbi kryer nga Nisma Europiane për Qendrueshmëri tregon tre rezultate:

Së pari, gjatë dy dekadave të fundit ka pasur një rënie të popullsisë prej së paku 10% në të gjitha zonat administrative serbe, me përjashtim të Beogradit, Novi Sadit (Backa Jugore) dhe Rashkës.

Së dyti, ka pasur një rënie prej të paktën 20% në 13 nga 25 zonat administrative.

Së treti, në 8 zona administrative të Serbisë ka pasur një rënie më të madhe të popullsisë sesa në Kosovë. Një tjetër përfundim në të cilin del vëzhgimi i ESI është fakti se në zonat administrative të Serbisë të cilat ndodhen pranë Kosovës, vërehet një rënie drastike e popullsisë, si për shembull në Pçinjë, në Rasinë, në Jabllanicë dhe Toplicë. (shih hartën më poshtë)

Raporti i Nismës Europiane për Qendrueshmëri, nga kjo analizë ka dalë në përfundimin se rënia e popullsisë serbe në Kosvë është pjesë e një zhvillimi më të gjerë që përfshin edhe vetë Serbinë.

Rënie më drastike mes të rinjve

Raporti ka vijuar analizën duke parë shifrat e nxënësve serbë në Kosovë dhe në Serbi. Rezultati i shpjeguar me detaje në raportin në fjalë tregon se në 22 zona administrative nga 25 në total, rënia e numrit të nxënësve është më e lartë në Serbi sesa në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

“Rënia e numrit të nxënësve të shkollave fillore në Kosovë është dramatike (26 përqind). Rënia në të gjithë Serbinë, jashtë Beogradit është edhe më dramatike (34 përqind). Ndërsa rënia në Republika Srpska, njësia me shumicë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, është katastrofike. Në shkollat në Republika Srpska, rënia ka qenë 32 për qind në më pak se dy dekada!” – thekson raporti.

Përfundim

Një nga narrativat më të përsëritura të presidentit serb Aleksandër Vuçiç është ajo e ‘kushteve të padurueshme të jetesës’ që qeveria e Kosovës sipas tij i imponon minoritetit serb atje. Ky pretendim u ripërsërit nga Vuçiç pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e pagesave në dinarë në komunat me shumicë serbe. Duke ngritur ‘shqetësimin’ për eksod të serbëve nga Kosova, Vuçiç përmendi shifra në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat nuk i mbështeti asnjëherë me të dhëna dhe statistika.

Raporti i detajuar mbi poullsinë serbe në Kosovë, i Nismës Europiane për Qendrueshmëri (European Initiative for Stability) rrëzon pretendimin e Vuçiç për eksod të serbëve të Kosovës duke faktuar rënien e popullsisë serbe, kaherë me ritme më të shpejta se rënia e popullsisë serbe në Kosovë. Studiuesi Ermal Hasimja pretendimet e Vuçiç i sheh si përpjekje e tij për të mbrojtur pozitat lokale dhe ndërkombëtare, përmes krijimit të tensionit nacionalist. Kjo, sipas ekspertit, do të ishte problematike nëse përdoret për agresivitet të shtuar ndaj Kosovës, ndaj vërtetimi i fakteve dhe nxjerrja në dritë e të vërtetës është e një rëndësie parësore.