BallinaPertejNdotja e ajrit në Tiranë është më e lartë se 10 vite më parë

Ndotja e ajrit në Tiranë është më e lartë se 10 vite më parë

Ndotja e ajrit në Tiranë e tejkalon normën e BE, çka konfirmohet edhe nga agjencitë vendore. Ndërsa Shqipëria renditet e para për numrin e vdekjeve si pasojë e ekspozimit ndaj ozonit dhe dioksidit të azotit. Nga një krahasim i të dhënave, rezulton se ajri i Tiranës, ku jeton rreth një e treta e popullsisë së Shqipërisë është më i ndotur se para 10 vitesh. Ekspertët shpjegojnë se si grimcat e pluhurit rrezikojnë mjedisin, por edhe organizmin e njeriut. Ato depërtojnë në rrugët e frymëmarrjes dhe në gjak, duke ndikuar deri në shkaktim të çrregullimeve të sistemit nervor.

Një vit më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se cilësia e ajrit në Tiranë ishte në nivele të optimale.

“Jam këtu me ju tani dhe po hap Il Meteo dhe Koperniku jep sistemin dixhital të cilësisë së ajrit për çdo qytet. Tirana është 8 nga 10. Kur mbaj mend para 8 vitesh që i njëjti aplikacion na nxirrte komplet në të kuqe, 2, 3, 4, pra as notë kaluese jo, qartazi diçka ka ndodhur”- deklaroi Veliaj në 20 shkurt 2023.

Për të njohur se në çfarë niveli është cilësia e ajrit në Tiranë, iu drejtuam me një kërkesë për informacion Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, të cilës i kërkuam të dhënat mbi monitorimin e fundit në kryeqytet.

Referuar të dhënave për vitin 2023, AKM pranon se Tirana ka tejkalim të normave të Bashkimit Europian për PM10 dhe dioksidin e azotit.

“Nga monitorimi që Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka realizuar tashmë ndër vite rezulton që në qytetin e Tiranës kemi tejkalim të normës së Bashkimit Europian për PM10 (grimcat e pluhurit me dimensione 10 micron) dhe të NO2 (dyoksidi i azotit), të dy këta tregues që vijnë nga djegia e lëndëve fosile (qymyri, nafta, benzina etj. në temperatura të larta), kryesisht nga trafiku”, thekson AKM.

Ndotja në Tiranë për 2023, të dhënat e AKM

Eksperti i mjedisit, Olsi Nika shpjegon të dhënat e siguruara nga Faktoje, duke vënë në dukje mungesën e tyre për periudha të gjata kohore.

“Përfundimisht, me kaq të dhëna sa keni në dispozicion mund të thuhet se problematike paraqitet situata e PM 10 dhe PM 2.5.

PM do të thotë grimca të ngurta që rrinë pezull në ajër (Particulate Matter) dhe numri 2.5 ose 10 është diametri i tyre i matur në mikrometër. (Pra 1/1000 e milimetrit).

Këto grimca janë shumë të rrezikshme për mjedisin, por edhe për shëndetin e njeriut. Tek njeriu grimcat PM 2.5 mund të depërtojnë në rrugët respiratore dhe në sistemin e qarkullimit të gjakut duke ndikuar në funksionimin normal e fiziologjik të tyre”, argumenton Nika.

Sipas tij, këto grimca kanë burime të ndryshme, duke nisur që nga pluhurat e gjeneruara nga materialet inerte si ndërtimet, punimet inxhinierike, fabrikat, e deri te skorjet e gjeneruara nga marmitat e makinave, oxhaqet e fabrikave, uzinave, TEC-eve etj.

Tabela më poshtë tregon parametrat optimalë të elementëve ndotës, sipas ekspertit Olsi Nika.

Raportet mbi ndotjen e ajrit në Tiranë

Një raport i Agjencisë Europiane të Mjedisit, publikuar në nëntor të vitit 2023 dëshmon se Shqipëria ka shkallën më të lartë të vdekjeve në rajon, për 100 mijë banorë, si pasojë e ekspozimit ndaj ozonit, që krijohet nga kombinimi i gazrave të dëmshëm që emetojnë automjetet nga mosdjegia e plotë e karburantit apo cilësia e dobët e tij, sidomos në ditët me temperatura shumë të larta.

Screenshot nga raporti

I njëjti raport e rendit vendin tonë në krye të listës sa i përket vdekjes si pasojë e Dioksidit të Azotit për 100 mijë banorë, një substancë që prodhohet nga djegia e karburanteve fosile si gazi, qymyri dhe nafta.

Sipas po këtyre të dhënave, në periudhën 2017-2021 në Shqipëri kanë humbur jetën 5.410 vetë, si pasojë e ekspozimit afatgjatë ndaj PM2.5 e dioksidit të azotit dhe ekspozimit afatshkurtër ndaj ozonit.

Pasojat e ndotjes së ajrit në shëndet

Mjekët pneumologë argumentojnë se ajri, toka dhe uji i ndotur shkaktojnë çrregullime të gjithanshme, duke nisur nga sëmundjet e lëkurës, çrregullimet nervore, sëmundjet e aparatit respirator, kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet hepatike, diabetike, endokrinologjike dhe të rrugëve urinare.

“Tendenca është në rritje. Shikoj gjithnjë e më tepër mosha të reja të ndikuara nga këto ndryshime. Të tërë jemi dëshmitarë, të paktën vizualë, të shtimit të sasisë së polenit në qytet. Nga ana shkencore, është provuar që ka një paralelizëm për sa i përket shtimit të dioksidit të karbonit dhe shtimit të polenit në ajër. Fenomenet alergjike janë shtuar në masë. Fëmijët me probleme që në moshë infantile mund të justifikohen deri diku nga ana shkencore nëpërmjet trashëgimisë, por nuk mjafton. Është përpara nesh fakti që ndotja jo vetëm është e pranishme, por edhe e shtuar ndër vite”, thekson mjeku Ardian Jorgji për Deutsche Welle.

Mjeku Ilir Alimehmeti rendit problemet e shëndetit si pasojë e përqendrimit të lartë të dioksidit të azotit, sidomos në kryeqytet.

“Dioksidi i Azotit shton vdekshmërinë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore dhe përkeqëson astmën, infeksionet e frymëmarrjes dhe sëmundjet kronike të mushkërive”, tha Alimehmeti.

Cilësia e ajrit 10 vite më parë ‘më e mirë‘ se sot

Një raport i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit në vitin 2014 tregon se edhe në atë periudhë kishte tejkalim të normave të BE për PM10. Mirëpo, shifrat sot tregojnë nivel më të lartë ndotjeje se para një dekade.  

“Vihet re nga grafiku se kemi tejkalim të vlerës kufi të BE prej 40μg/m3 në tre stacione monitorimi, stacionin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Ministrisë së Mjedisit dhe Elbasanit. Të tre stacionet janë me burim ndotjeje trafikun, pasi numri i makinave që qarkullojnë në rrugët pranë stacioneve është shumë i lartë. Në stacionin e AKM në ndotjen e ajrit nga PM10 përveç shkarkimit të automjeve ndikon edhe pluhuri i rrugëve dhe ndërtimet. Vlera më e lartë ditore është monitoruar në muajin Prill dhe është 142.55 μg/m3 nga 50 μg/m3 që është standarti ditor i BE”-sqaronte AKM 10 vite më parë.

Vlerat për PM10 Tiranë, 2014

Norma të larta raportoheshin në vitin 2014 edhe për ozonin i cili shkakton gjithashtu dëme në organizmin e njeriut.

“Niveli i lartë i ozonit mund të shkaktojë problem të shëndetit respirator duke zvogëluar funksionimin e mushkërive, përkeqësimin e astmës dhe sëmundje të tjera të mushkërive deri në vdekje të parakohshme. Ozoni gjithashtu është gaz me efekt serë duke kontribuar në ngrohjen e atmosferës”, shpjegonte AKM në raportin e vitit 2014.

Nisur nga shifrat zyrtare dhe shqetësimet e ekspertëve rezulton se cilësia e ajrit në Tiranë është një rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe se kryeqyteti nuk është më i pastër se një dekadë më parë, përkundrazi.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img