Pretendimi:Një turist i huaj shëtiti nudo në qytet dhe askush nuk reagoi

Rate: Missing context

Shfaqja e një burri të zhveshur në mesditën e 20 majit në qytetin e Durrësit ka ngjallur komente të shumta pas publikimi në mediat online. Pretendimi kryesor që qarkulloi dhe krijoi këtë pështjellim ishte identiteti i nudistit, i cili u identifikua si një turist i huaj, duke ngritur shqetësimin në lidhje me pasojat “negative” të fluksit të turistëve. 

Nuk pyet turisti i huaj në Durrës, shëtit nëpër qytet nudo, momenti kur fotografon xhaminë”-shkruajnë portalet.

Turisti i huaj shijon Durrësin… krejt nudo/ A jemi gati për të menaxhuar të mirat, por edhe të këqijat e turizmit?”- titullohet një koment në një tjetër portal.

Postimet e shpërndara në mediat online

Mirëpo, nga informacionet zyrtare të policisë konfirmohet se personi në fjalë në fakt nuk është turist, por një qytetar me banim në Durrës, me probleme të shëndetit mendor. Pas shqetësimit të ngritur në rrjetet sociale, policia bëri shoqërimin e tij në Komisariat dhe më pas në spitalin psikiatrik.

“Paraditen e sotme, menjëherë pas njoftimit se një shtetas kishte dalë i zhveshur në rrugë, shërbimet e Policisë gjetën shtetasin R. L., 40 vjeç, banues në Durrës.

40 vjeçari u dërgua në Komisariat dhe më pas në spitalin psikiatrik, ku pas kontrollit mjekësor rezultoi se ishte në gjendje depresive. Pas mjekimit të nevojshëm, 40-vjeçari iu dorëzua familjarëve”, njoftoi zyrtarisht Policia e Durrësit.

Personi në fjalë ngjalli shqetësimin e qytetarëve të Durrësit, të cilët njoftuan policinë dhe kjo e fundit mori masat për ta dërguar në institucionet shëndetësore dhe më pas ta dorëzojë 40-vjeçarin te familja e tij.

Një pjesë e mirë e mediave që kanë ndarë lajmin e policisë, vijojnë megjithatë ta cilësojnë burrin si një turist të huaj.