Fushata elektorale për zgjedhjet lokale të vitit 2019 ishte e pazakontë, për shkak të bojkotit të opozitës, që e shndërroi atë në një proces pa garë. Në vend të premtimeve gjatë fushatës për Bashkinë Lezhë, “Faktoje” vuri re se kandidati Pjerin Ndreu, ka bërë më tepër identifikim të problemeve ekzistuese. Ndër problematikat e listuara, zoti Ndreu veçoi gjendjen e kanaleve kulluese, që sipas banorëve të zonës pastrohen vetëm në kohë zgjedhjesh.
Më 25 qershor 2019, pak ditë përpara zgjedhjeve lokale për Bashkinë e Lezhës, kandidati i Partisë Socialiste, zoti Pjerin Ndreu gjatë një interviste për ERTV, u ndal në problematikat me kanalet kulluese, gjendja e të cilave ndikon drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen e punëve të bujqësisë në zonën e Lezhës.
“Ka probleme me kanalet kulluese që s’janë prekur fare.” – deklaroi zoti Ndreu.
Më 27 tetor 2020, “Faktoje” shkoi në Lezhë për të parë në terren situatën në lidhje me këtë problematikë të ngritur nga zoti Ndreu. Ne u drejtuam fillimisht në zonën e Torovicës. Grumbullimi i ujit në mes të fushave të mbjella, tregonte se situata e kanaleve kulluese nuk është zgjidhur.
Më pas ne shkuam në fshatin Barbullojë të njësisë administrative Kolsh, një tjetër zonë e cila më parë ka vuajtur nga përmbytjet, si pasojë e mosfunksionimit të kanaleve kulluese.
Në ndryshim nga Torovica vumë re që në Barbullojë ishte punuar për pastrimin e kanaleve kulluese, edhe pse ende nuk kishte përfunduar si proces.
Këtë na e konfirmoi edhe një banor i moshuar i kësaj zone:
“Tani ka filluar të pastrohet, ka një muaj. Këtu ka qenë plot me kallama. Të them të drejtën kur bie shi shumë edhe përmbytet, por është më mirë. Më përpara bëhej keq, përmbytej komplet. Por prapë, ka nevojë të pastrohet edhe më shumë.”
Një tjetër banor kalon mbi këtë kanal për të shkuar nga rruga kryesore në shtëpinë e tij. Ai shprehet i kënaqur që më në fund kanali u pastrua, edhe pse sipas tij diçka e tillë bëhet vetëm për arsye elektorale. Por, në kritikat e tij nuk ka kursyer as bashkëfshatarët, të cilët ndikojnë në përkeqësimin e problemit.
“Këtu ka pas 2-3 vjet pa u pastruar. Vijnë e pastrojnë vetëm për fushata. Por tani është më mirë vallaj. Për herë të fundit e pastruan në qershor. Shyqyr ia hoqën këto kallamishtet, Përmbytej dhe vazhdon të përmbytet kur ka reshje të forta, se nuk ka grykëderdhje dhe s’ka ku shkon uji. Por është edhe populli i paedukatë se hedhin mbeturina. Këto gjërat e vogla jemi munduar t’i pastrojmë vetë.” – tha ai për “Faktoje”.
Ne e pyetëm zyrtarisht Bashkinë Lezhë për problematikën e kanaleve kulluese në këto dy zona, përmes një kërkese për informacion, për të cilën morëm përgjigje më 13 nëntor. Në përgjigjen e saj, Bashkia Lezhë na bën me dije se Drejtoria e Bujqësisë pranë kësaj bashkie po punon në sistemin e kullimit në këto dy zona.
Sipas saj, në Barbullojë po përfundon puna për sistemin e kullimit ndërsa në Torovicë është në proces.
Në Torovicë jetojnë rreth 5 mijë banorë, ndërsa zona e Barbullojes popullohet nga rreth 1 mijë banorë. Në Barbullojë kryesisht mbillen kultura bujqësore si misër, jonxhë, dhe grurë. E njëjta gjë edhe për Torovicën, duke shtuar këtu edhe bostanin, i cili është i përhapur në këtë zonë. Bujqësia është aktiviteti kryesor i banorëve të këtyre dy zonave, me Torovicën që njihet si një ndër zonat me rendimentin më të lartë bujqësor në Bashkinë Lezhë.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend, dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.