BallinaFaktometerE PavërtetëBlendi Klosi: Inceneratori i Fierit përfundon në muajin dhjetor, ashtu siç e parashikon kontrata

Blendi Klosi: Inceneratori i Fierit përfundon në muajin dhjetor, ashtu siç e parashikon kontrata

Inceneratori i Fierit, sipas parashikimit fillestar në kontratën e nënshkruar me kompaninë “Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k” duhej të ishte në funksion prej muajit shtator 2019. Pas dështimit të këtij afati, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi se kjo vepër do përfundonte në muajin dhjetor 2020. Nga verifikimi i Faktoje rezulton se edhe ky afat është shkelur, ndërsa dokumentat konfirmojnë se këtë deklaratë zoti Klosi e ka dhënë pasi ishte vendosur që punimet të vijonin deri në mars 2021.


Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në 18 tetor të këtij viti deklaroi:

“Siç shikoni inceneratori i Fierit është në përfundim Ka përfunduar impianti i trajtimit të ujërave të mbetjeve, kanë përfunduar të gjithë landfillet jo vetëm ato për mbetjet urbane, ka përfunduar impianti i trajtimit të mbetjeve të riciklueshme dhe siç e shikoni brenda muajit dhjetor, që është kontrata 3 vjeçare, ky impiant përfundon dhe inceneratori që e shikoni atje, sonda që po montohen dhe gjithë të tjerat”.

Nëse i referohemi kontratës së lidhur mes Ministrisë së Mjedisit (e emërtuar kështu në vitin 2016) dhe subjektit “Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k”, punimet do duhet të kishin përfunduar në shtator të vitit 2019. Ky afat dështoi.

Edhe afati i ‘ri’ i shpallur nga Ministri Klosi, më 18 tetor 2020 kur deklaroi se “brenda muajit dhjetor, ky impiant përfundon”, po ashtu ka dështuar.

Më 29 dhjetor 2020, “Faktoje” ishte në fshatin Verri në Fier, aty ku po ndërtohet inceneratori.

Inceneratori i Fierit në fshatin Verri, 29 dhjetor 2020

“Faktoje” u përpoq të merrte një informacion nga mbikqyrësit e punimeve, por kërkesa u refuzua me justifikimin se duhej marrë leje nga drejtorët në Tiranë”. Një punonjës, i cili nuk preferoi të identifikohej me argumentin se “kishte urdhëra të qartë për të mos dhënë asnjë lloj informacioni pa lejen e eprorëve”, konfirmoi faktin se aty ende po kryheshin punime.

Zhvillimin e punimeve e konfirmojnë edhe pamjet e mëposhtme ku makineritë po kryenin vendosjen e disa mekanizmave në funksion të përpunimit të mbetjeve.

Punime në inceneratorin e Fierit në fshatin Verri, 29 dhjetor 2020

Incenerator i Fierit zgjat ‘agoninë’ në fushën e mbetjeve në Mbrostar!

Në mungesë të inceneratorit, fusha e mbetjeve në Mbrostar të Fierit vijon të jetë e hapur, edhe pse prej kohësh ajo përbën emergjencë mjedisore.

Fusha e mbetjeve në Mbrostar, Fier / 29.12.2020

Afati për përfundimin e punimeve të inceneratorit u shty për në mars 2021!

Referuar të dhënave të publikuara nga Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve, kontrata për financimin, projektimin, ndërtimin, vënien në punë, administrimin dhe mirëmbajtjen e impiantit të përpunimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë, u shty në më 31 mars 2021.

Kontrata e riparë për inceneratorin e Fierit, 11 shtator 2020

Nga ky dokument, vërehet se shtyrja e afatit për përfundimin e inceneratorit në muajin mars 2021, është bërë thuajse një muaj para se ministri Klosi të deklaronte se punimet mbyllen në dhjetor të këtij viti. Pas verifikimit në terren dhe informacionit të grumbulluar, vendosëm që deklaratën e ministrit Blendi Klosi për inceneratorin e Fierit ta kategorizojmë si të pavërtetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img