.

.

BallinaPertejMungesa e transparencës, virusi i ri që ushqen teoritë konspirative

Mungesa e transparencës, virusi i ri që ushqen teoritë konspirative

Pandemia e koronavirusit të ri COVID-19 shënon sot mbi 3 milionë e gjysëm raste të konfirmuara dhe i ka shkaktuar botës rreth 250 mijë viktima përgjatë muajve të fundit. Një nga debatet që ka përfshirë botën është prejardhja e këtij virusi dhe teoritë konspirative kanë “fituar” shumë mbështetës. Edhe në Shqipëri, persona me ndikim publik, përfshirë politikanët janë pozicionuar lidhur me këtë çështje. Por pavarësisht mendimeve polarizuese në rang global, duket se është arritur në një konkluzion të pranuar gjerësisht.


Kanë kaluar thuajse 7 muaj që prej nëntorit, kur u konfirmua rasti i parë me koronavirusin e ri COVID-19 në Kinë. Që nga ai moment, Organizata Botërore e Shëndetit llogarit 3,557,235 raste të konfirmuara dhe 245,150 vdekje. Debatet kanë shoqëruar pandeminë përgjatë këtyre muajve, ku ndër më diskutuarat mbetet prejardhja e virusit. Doli nga laboratoret e Wuhan apo i përket një procesi natyror zhvillimi?

Në këtë debat janë përfshirë edhe politikanë dhe aktorë të diskursit publik shqiptar, që janë përpjekur të argumentojnë qëndrimin e tyre.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, zonja Monika Kryemadhi, siç kemi shkruar më parë, këmbëngul në deklaratat e saj se virusi COVID-19 është prodhuar në laborator.

“Nuk është më sekret që t’u thuash shqiptarëve që koronavirusi është një virus laboratorik. Ky nuk është virus bakterologjik. Dhe mjekët këtë e kuptojnë shumë mirë dhe çdo njeri që ka bërë biologji. Ne e dimë shumë mirë që ky është një virus laboratorik. Nuk është i prodhuar nga natyra, por është prodhuar në laborator.” – u shpreh zonja Kryemadhi në një intervistë për Report TV më 24 prill dhe ripërsëriti këtë qëndrim edhe në emisionin “Ora News”.

Në të njëjtën linjë ishte dhe inxhinieri Sazan Guri, i cili në emisionin “360 gradë” më 4 maj është shprehur:

“Kemi të bëjmë me një virus më shumë laboratorik. Sot shkenca të jep mundësinë që të thuash virusi…më shumë është laboratorik, sepse virusi nuk ngjan fare me virusët e tjerë. Këtë e thonë të gjithë ata. Që virusi ka një qasje tjetër me virusët e tjerë.”- tha ai.

Më pak i prerë është shfaqur ish-Ministri i Shëndetësisë, zoti Nard Ndoka, i cili është shprehur në emisionin “Shqipëria Live” më 4 maj se edhe shkenca mbetet e pavendosur mbi origjinën e virusit.

“As shkenca nuk është e qartë, nëse ishte një grip stinor apo prodhim në laborator, është shumë e vështirë” – tha ai.

Po shkencëtarët çfarë thonë?

Përtej argumentave, jo gjithmonë të bazuara në fakte shkencore të politikanëve apo opinionistëve, që marrin një kohë të konsiderueshme televizive, tek audienca krijohet konfuzion mbi atë se çfarë duhet të besojnë dhe si qëndron e vërteta. “Faktoje” në përpjekje për të qartësuar këtë “kakofoni” idesh, bëri një kërkim mes publikimeve të fundit bazuar në të dhëna shkencore mbi prejardhjen e koronavirusit.

Dr. Eldores Sula, biolog molekular, ka përshtatur në shqip një hulumtim të revistës “Nature Medicine” rreth origjinës fillestare të koronavirusit të ri. Ai e nis artikullin me përfundimin që ka nxjerrë nga hulumtimi i revistës shkencore, duke thënë që COVID-19 nuk është produkt laboratorik.

“COVID-19 nuk është krijuar dhe madje, as është manipuluar në laborator.” – shkruan zoti Sula.

I ndryshëm është mendimi i Dr. Luc Montagnier, fitues i çmimit Nobel në Mjekësi në vitin 2008 për zbulimin e virusit të imunodefiçencës humane, i njohur ndryshe si HIV. Në një intervistë për televizionin francez të lajmeve, “CNEWS”, më 2 maj ai tha se COVID-19 është krijuar në një laborator, duke sugjeruar se mund të ishte një përpjekje për të gjetur një vaksinë për HIV/AIDS.

“(Virusi) Nuk është natyral. Është punë e profesionistëve, punë e biologëve molekularë.”, – tha dr. Montagnier.

Ky mendim konsiderohet kontrovers dhe bie ndesh me konsensusin e gjerë shkencor, sipas të cilit virusi nuk është krijuar në laborator. Komuniteti amerikan i inteligjencës në një deklaratë që ka botuar Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare më 30 prill deklaron:

“Komuniteti i Inteligjencës gjithashtu pajtohet me konsensusin e gjerë shkencor se virusi COVID-19 nuk është krijuar nga dora e njeriut apo të jetë modifikuar gjenetikisht.”

Mbi këtë çështje ka pasur edhe një reagim zyrtar nga Organizata Botërore e Shëndetit më 21 prill nëpërmjet zëdhënëses Fadela Chaib, e cila është pyetur në një konferencë në Gjenevë. OBSH ka mohuar në mënyrë zyrtare mundësinë se koronavirusi është i ndërtuar në laborator.

“Të gjitha të dhënat që disponojmë sugjerojnë se virusi ka origjinën tek kafshët dhe nuk është manipuluar apo krijuar në një laborator, apo diku tjetër”- tha ajo.

The Economist, në një artikull të përshtatur në Shqip nga “Faktoje”, thekson konsensusin e gjerë sipas të cilit koronavirusi i ri nuk është krijuar në laborator. Ndërsa konfirmohen raste të mëhershme kur virusi “u ka ikur nga duart shkencëtarëve” siç ndodhi me virusin SARS, për COVID-19 nuk vlen i njëjti qëndrim.

“Virusi nuk tregon asnjë shenjë të ndërtimit të qëllimshëm nga ana e njerëzve dhe nuk ka arsye për të dyshuar evolimin e plotë të tij në botën e egër. Por aksidentet ndodhin. Bakteret e studiuar gjatë eksperimenteve legjitime në laboratore janë arratisur në të kaluarën. SARS, një virus që vrau 774 persona gjatë viteve 2002-2003, “rrëshkiti” nga një laborator në Pekin dy herë në vitin 2004. Sëmundja e këmbëve-dhe-gojës, që kërkoi eleminimin selektiv të 6 milionë kafshëve në Britani në vitin 2001, shkaktoi 11.5 miliardë dollarë dëme. Një kampion, më vonë ‘u arratis’ nga një institut hulumtimi në vitin 2007, por u arrit të përmbahej. Amerika vuajti 24 infeksione të marra nga laboratorët përgjatë periudhës 2000-2009, që rezultuan në 4 vdekje. Laboratorët amerikanë kanë transferuar në mënyrë aksidentale antraksin (plasjen), gripin e shpendëve dhe Ebolën në institucione të sigurisë më të ulët në vitet e fundit. Një indeks i sigurisë shëndetësore sugjeron se treçereku i shteteve kanë rezultate shumë të ulta në biosigurinë.” – shkruan The Economist.

The Economist ka ngritur një shqetësim tjetër. Sipas saj, mungesa e transparencës nga ana e Kinës dhe politika e saj mbi hermetizimin e informacionit i ka lënë vend lulëzimit të teorive konspirative.

Foto e parë është marrë nga Bloomberg

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img