Mashtrimi i lexuesve nëpërmjet mediave online, me qëllim shitjen e medikamenteve të caktuara, është kthyer në një shqetësim serioz. “Faktoje” verifikoi se si portalet përdorin emrin e një mjeku të rremë për të shitur një
produkt që sipas tyre “bën mrekullinë” kundër parazitëve që gjenden në papiloma.
Portalet kanë publikuar një artikull, ku ofrojnë një medikament që pretendohet se ofron zgjidhje kundër parazitëve në trupin e njeriut.
“Papilomat shkaktohen nga parazitet ne trup! Nëqoftëse keni papiloma në qafë ose në vende të tjera – parazitet po ju hanë nga brenda!” – shkruan faqja që për ironi mban emrin “ Jetë e Shëndetshme ”.
Screenshot nga portali “Jetë e Shëndetshme”
Artikulli është shkruar në formën e një interviste me mjeken Dr. Shpresa Karaj, ku thuhet se ajo ka një përvojë prej 25 vitesh në fushën e mjekësisë, duke shtuar: “Profesor i Asociuar në Institutin e Kërkimeve Shkencore të Mjekësisë Tropikale”.
Mirëpo, nga kërkimi në faqen zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë rezulton se ne nuk kemi një institut të tillë në vendin tonë.
Për më tepër, nga një kërkim i thjesht në listën e mjekëve shqiptarë nuk rezulton të ketë një profesioniste shëndeti me këtë emër në vendin tonë.
Nga një kërkim në Tineye rezulton se imazhi i përdorur për mjeken është foto ilustruese e përdorur në internet.
Faktoje ka raportuar edhe më herët mbi këto skema mashtrimi, ku përdoren mjekë “fantazmë” për të shitur produktet.
Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin