BallinaPertejMarrëveshja Kosovë – Serbi në 11 pikat e planit franko-gjerman

Marrëveshja Kosovë – Serbi në 11 pikat e planit franko-gjerman

Marrëveshja Kosovë – Serbi, e njohur si plani franko-gjerman, ‘shtron rrugën’ drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve. Ajo është një pikënisje e mirë e diskutimeve të vështira që do duhet të vijojnë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, për të arritur marrëveshje që do të mundësojnë normalizimin e marrëdhënieve mes palëve.

Jona Plumbi

Kosova dhe Serbia kanë të drejta të barabarta dhe njohin në mënyrë të ndërsjelltë simbolet dhe dokumentat kombëtare. Shtetet respektojnë pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit dhe veçanërisht parimin e barazisë sovrane sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara. Njëkohësisht, komuniteti serb në Kosovë siguron një nivel të përshtatshëm vetë-menaxhimi, përfshi mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia. Kështu thotë marrëveshja Kosovë – Serbi, e dakordësuar në Bruksel.

Marrëveshje për marrëveshje të tjera

E publikuar nga Bashkimi Europian në faqen e saj zyrtare, marrëveshja Kosovë – Serbi ka 11 pika (nene). Aty përcaktohen në mënyrë të përgjithshme parimet dhe temat kryesore mbi të cilat dy shtetet do duhet të vijojnë bisedimet për të rënë dakord.

Neni 6 i marrëveshjes sqaron se zbatimi i këtij plani kërkon vijimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe dakordësimin e detajeve përmes marrëveshjeve të tjera shtesë, që do të mundësojnë zbatimin e 11 pikave të planit franko-gjerman.

Pikënisje e mirë?

Interpretimi i marrëveshjes, të bërë publike zyrtarisht në fund të muajit shkurt 2023, ‘pushtoi’ mediat në Kosovë dhe Shqipëri.

Arbër Zaimi, këshilltar i Lëvizjes Vetëvendosje në koaovë
Arbër Zaimi, këshilltar i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë

Pjesa më e madhe e tyre kërkojnë të hedhin dritë mbi atë çka pritet të jetë marrëveshja përfundimtare mes palëve, edhe pse kjo dakordësi mund të jetë vite të tëra larg.

Këshilltari politik i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi tha për Faktoje se marrëveshja hedh disa hapa të mirë drejt qëllimit përfundimtar të Kosovës.

Dardan Sejdiu, Partia Socialdemokrate e Kosovës
Dardan Sejdiu, ish-nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, analist politik

Ndryshe e sheh situatën Dardan Sejdiu, ish deputet i Vetëvendosjes e më pas Partisë Socialdemokrate në Kosovë, sipas të cilit “marrëveshja në fjalë nuk sjellë asgjë përmbajtësisht të re për Kosovën, përveçse një përmbledhje e marrëveshjeve të vjetra me zotim të “ri” nga Serbia për mospengesë”.

Fitim Gashi, gazetar, Sbunker
Fitim Gashi, gazetar, Sbunker

Për gazetarin e politikës në Kosovë, Fitim Gashi, kjo marrëveshje mund të kosiderohet avancim në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, por nuk i jep zgjidhje finale problemit.

Temat e ‘nxehta’ të marrëveshjes Kosovë – Serbi

Dakordësia mes Kosovës dhe Serbisë parashikon bisedime mbi disa tema të cilat konsiderohen ‘të nxehta’ për shkak të qëndrimeve ekstremisht të ndryshme të palëve. Ajo që Kosova kërkon të arrijë në përfundim të këtij procesi dialogu që vijon prej më shumë se një dekade, është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Në anën tjetër, Serbia kërkon njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të minoritetit serb në Kosovë, si dhe lejimin e një vetërregullimi të komunave me shumicë serbe.

Gazetari Fitim Gashi shpjegon për Faktoje se “për Serbinë, konsiderohet i papranueshëm neni që ia ndalon asaj t’i vë pengesa Kosovës sa i përket anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare duke e konsideruar si pranim “de fakto” të shtetit të Kosovës. Ndërsa për palën kosovare, problemtike ka qenë pika e marrëveshjes që flet për zbatimin e dakordimeve të arritura nga dialogu i mëhershëm, e që kryesorja është marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.”

Njohja e pavarësisë së Kosovës

Edhe pse “njohja e shtetit të Kosovës” nuk shkruhet si togfjalësh në dokumentin e dakordësuar nga Kosova dhe Serbia, ka disa nene të planit franko-gjerman mbi të cilat mund të nisë ky diskutim.

Neni 1 i marrëveshjes Kosovë – Serbi përcakton se palët njohin në mënyrë të ndërsjelltë simbolet dhe dokumentet kombëtare. Po në këtë nen përcaktohen të drejta të barabarta për palët e përfshira në marrëveshje.

Neni 2 i planit franko-gjerman përcakton se Kosova dhe Serbia zbatojnë parimet e barazisë sovrane të shteteve, si dhe respektojnë pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial të tyre. Për këshilltarin politik të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi kjo praktikisht përfaqëson njohje de fakto prej Serbisë, dhe nuk mund të mos pasohet nga njohja de jure [ligjore]. “Pasi i njeh një populli të drejtën për vetëvendosje, nuk mund të mos ia pranosh pavarësinë” – shpjegon Zaimi për Faktoje.

Pavarësisht, një pjesë e interpretimeve të planit franko-gjerman argumentojnë se kjo marrëveshje nuk e mundëson njohjen e pavarësisë.

Kështu sipas Dardan Sejdiut ish nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, marrëveshja në fjalë në vend se të zgjidh një herë e mirë çështjen e njohjes, vetëm se e shndërron dialogun nga një mjet për arritje të një qëllimi, në mjet në vetvete.  “Me këtë marrëveshje ne kalojmë nga shpresa se do të ketë marrëveshje finale me Serbinë, në gjendje permanente dialogu.” – shpjegon Sejdiu.

Neni vijues i marrëveshjes (neni 3) përcakton një pakt mos-sulmi mes palëve, të cilat heqin dorë nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve përmes agresionit ushtarak. Lidhur me këtë përcaktim të marrëveshjes, Zaimi argumenton se kur pranohet mos-sulmimi ushtarak, praktikisht hiqet dorë nga sovraniteti serb mbi Kosovën, pasi përveçse ushtarakisht, Serbia nuk ka ndonjë mënyrë tjetër për të tentuar rikthimin.

Aplikimi i Kosovës në organe ndërkombëtare

Neni 4 i marrëveshjes përcakton se asnjë nga të dy palët nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare, apo të veprojë në emër të saj. Ky nen i ndalon Serbisë kundërshtimin e antarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Pikërisht ky nen, shpjegon Arbër Zaimi për Faktoje, i hap udhë sovranitetit të jashtëm të Kosovës, dhe përparimit të njohjeve e marrëdhënieve të saj diplomatike.

Neni 5 i ndalon Kosovës dhe Serbisë bllokimin e njëra-tjetrës në rrugën e tyre drejt integrimit europian.

Asosacioni i komunave serbe

Krijimi i një bashkësie të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një nga temat më të diskutuara të këtij dialogu. Edhe termi “asosacion i komunave serbe” me të cilët njihet në publik kjo bashkësi, nuk përmendet specifikisht në marrëveshjen e dakordësuar mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo që marrëveshja Kosovë – Serbi përcakton në nenin 7 të saj është bërja e mundur e një niveli të përshtatshëm vetë-menaxhimi për komunitetin serb në Kosovë, si dhe mundësinë që ky komunitet të mbështetet financiarisht nga Serbia.

Njëkohësisht, neni 10 i marrëveshjes kërkon që palët të konfirmojnë detyrimin për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara, ku përfshihet edhe ajo për krijimin e Asosacionit të komunave me shumicë serbe.

Mospërmendja asnjëherë në tekstin e marrëveshjes të “Asociacionit” është gjë pozitive për Kosovën, shpjegon Arbër Zaimi për Faktoje.

Detyrimi për marrëveshjet e kaluara është për të gjitha (33 marrëveshje) e jo vetëm për njërën. Është për Kosovën dhe Serbinë, jo vetëm për Kosovën. Pra lihet hapësirë për t’u parë këto çështje hap pas hapi. Takimi i radhës do të jetë në Ohër, për të diskutuar një udhërrëfyes për zbatimin e planit që mund të jetë aneks i marrëveshjes. Por në Ohër, 22 vite më parë, u lidh me garancinë ndërkombëtare “Marrëveshja Kornizë e Ohrit” për pushimin e luftës në Maqedoni, me parimin kryesor “Nuk ka zgjidhje territoriale për problemet etnike”. I njëjti parim duhet të vlejë edhe kësaj radhe, sepse nëse jo, Ballkanit i hapen probleme.” – tha Zaimi për Faktoje.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Asosacionin

Ajo që vlen të theksohet është fakti se Gjykata Kushtetuese e Kosovës tashmë e ka vlerësuar krijimin e Asosacionit sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel si antikushtetuese.

Ky vendim i gjykatës duhet zbatuar me patjetër, thekson Arbër Zaimi sipas të cilit, ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës do mund të kishte pasoja fatale për këtë dialog dhe “ndërrim pllake” për politikat e Kosovës në raport me Shqipërinë.

Partnerët perëndimorë nuk besoj se synojnë prekjen e Kushtetutës së Kosovës, sepse pastaj balancat etnike do të shpërthenin, dhe shqiptarët absolutisht që nuk do të kishin më asnjë arsye për të mos kërkuar bashkim të menjëhershëm me Shqipërinë. – argumenton këshilltari i Lëvizjes vetëvendosje, Arbër Zaimi.

Dardan Sejdiu, ish funksionar i Lëvizjes Vetëvendosje, sot në opozitë, e sheh me rrezik pranimin e këtij dokumenti nga parlamenti i Kosovës.

Nëse Qeveria e Kosovës e pranon këtë dokument, me planin për implementim (së paku ate që e kemi parë duke qarkulluar në media) atëherë rruga përpara në aspektin kushtetues do jetë bukur sfidues, dhe mund të sjellë edhe deri tek nevoja për ndryshime kushtetuese.” – argumenton Sejdiu për Faktoje.

Marrëveshja Kosovë – Serbi, ende pa firmosur

Në përfundim të takimit mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, u bë e qartë se marrëveshja nuk është firmosur ende nga palët. Shkak për këtë, sipas Kurtit është bërë Vuçiç, i cili refuzon të firmosë një dokument ku Albin Kurti firmos si kryeministër i Kosovës.

Për Arbër Zaimin, arsyeja është një tjetër. “Nenet 2,3,4 kanë rëndësinë më të madhe për Kosovën dhe përbëjnë arsyen pse Vuçiqi dhe nacionalistët serbë nuk dëshirojnë ta nënshkruajnë.: – thekson ai për Faktoje. Ndërsa neni 7 përfaqëson rrezik për Kosovën, pasi plani i Vuçiqit është që ta përdorë minoritetin serb dhe kishën serbe në Kosovë, njësoj siç e përdor Putini minoritetin rus dhe kishën ruse në Ukrainë, pra si minë, si bombë, si armë destabilizuese.” – shpjegon ai.

Takimi i rradhës që do të mbahet në Ohër, ku pritet të diskutohet edhe udhërrëfyesi i zbatimit të marrëveshjes së dakordësuar në Bruksel, është edhe synimi i unionit për të arritur firmosjen e dokumentit nga palët.

Edhe pse dokumenti është dakordësuar mes Kurtit dhe Vuçiç në prani të ndërkombëtarëve, presidenti serb i tha mediave lokale se “do të negociojë planin e implementimit, por këtë [marrëveshjen] nuk e firmos”.

Përfundim

Edhe pse marrëveshja Kosovë – Serbi konsiderohet e arritur, pasi palët kanë rënë dakord me përmbajtjen e saj, fakti është se ajo mbetet nje dokument i pa nënshkruar nga drejtuesit e qeverive që janë palë.

Sipas këshilltarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi kjo marrëveshje nuk e kënaq plotësisht asnjërën nga palët. “Kjo marrëveshje nga ana e Kosovës po trajtohet si një lëshim i fundit, shumë i dhimbshëm. Nuk e dimë a do ta pranojë populli i Kosovës këtë lëshim.” – deklaron Zaimi.

Për opozitarin Dardan Sejdiu, ky dokument sjell për Kosovën një premtim të “ri” nga faktori ndërkombëtar se do të ketë avancim të sovrantitetit të jashtëm, me kosto ndaj atij të brendshëm.

Ndërsa gazetari Fitim Gashi e konsideron thelbësor dhe sfidues përcaktimin e Udhërrefyesit të zbatimit të marrëveshjes, për të cilin diskutimet sapo kanë nisur dhe qëllimi është që të finalizohen deri në mesi të muajit mars.

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img