ANXHELA RUÇI
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i shtohet listës së institucioneve që nuk japin informacion, pavarësisht ligjit 119/2014 i cili siguron “Të drejtën për informim”.
“Faktoje”, si fillim ka dërguar një kërkesë për informim ne Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, konkretisht më datë 26 shkurt ku kërkohej numri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë në vitin 2017. Po e njëjta kërkesë dhe në po të njëjtën datë, është dërguar tek Agjencia Kombëtare e Turizmit.
Më datë 5 mars, në të dyja institucionet e lartpërmendura është dërguar një email rikujtimi për kërkesën e informimit. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve për të marrë një informacion, ende sot nga institucionet nuk është marrë asnjë përgjigje edhe pse afati kohor që ligji i jep institucioneve për të kthyer një përgjigje është 10 ditë pune.
E vetmja përgjigje për numrin e turistëve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë vitit 2017, është marrë përmes platformës së bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”.