BallinaPertejMbaruan vaksinat, por jo kërkesat, vaksinohen vetëm ata që "ua mban xhepi"

Mbaruan vaksinat, por jo kërkesat, vaksinohen vetëm ata që “ua mban xhepi”

INVA HASANALIAJ

Stina e gripit dhe e virozave ka shtuar kërkesat e qytetarëve për t’u vaksinuar, por në qendrat shëndetësore vaksinat kanë mbaruar që para dy muajsh. “Faktoje” bëri një vëzhgim për situatën në Tiranë, ku në pamundësi për të bërë vaksinën në shtet, detyrohen ta blejnë mbi 1500 lekë në farmaci.

……………………………………………………………………………………………………………………………….

“Faktoje” kishte bërë më herët kërkimet e veta në lidhje me këtë proces për të cilin vizituam edhe disa qendra shëndetësore në Shkodër, Pogradec, Vlorë. Nga vëzhgimet konstatuam se vaksinat nëpër qendrat shëndetësore kanë përfunduar që prej dhjetorit të vitit të kaluar, ndërkohë që kërkesat për t’u vaksinuar kanë vijuar.

Edhe në Tiranë qyteti me numrin më të lartë të banorëve konstatuam të njëjtën problematikë gjatë vëzhgimit në 3 qendra shëndetësore.

Qendra shëndetësore nr. 9 Tiranë

Në datën 23 janar është përfunduar procesi i vaksinimit të popullatës që mbulon qendra shëndetësore nr. 9. Kanë qenë 760 doza të cilat janë dërguar nga ISHP për këtë qendër, e cila mbulon 70 000 banorë.

Periudha e këshillueshme për vaksinimin kundër gripit është nga shtatori deri në dhjetor, tha kryeinfermierja e poliambulancës 9, por me ndryshimet klimatike ajo është shtyrë të paktën deri në muajin janar. Vaksinat në këtë qendër janë marrë në dorëzim në datën 8 nëntor dhe procesi ka ecur me ritme të shpejta, pasi edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve ka qenë mjaft i madh këtë vit krahasuar me vitet e tjera. Kërkesat për vaksina kanë qenë të shumta edhe për të paktën dy javë pas përfundimit të dozave.

Qendra Shëndetësore nr. 1 Tiranë

Edhe në këtë qendër shëndetësore kërkesat e banorëve kanë qenë të larta pas përfundimit të procesit të vaksinimit, i cili ka ecur shume shpejt pasi të interesuarit janë paraqitur më herët për t’u vaksinuar sesa vitet e kaluara. Nga ISHP janë dërguar 670 vaksina, për këtë qendër e cila mbulon 44 mijë banorë. Në kryeinfermieri na sqaruan se për banorët që kanë kërkuar të vaksinohen pas mbarimit të kontigjentit, janë mbajtur shënim numrat e kontaktit dhe do të njoftohen nëse nga Ministria e Shëndetësisë do të sillet një kontigjent tjetër. Ndryshe nga qendra shëndetësore nr. 9 këtu u informuam se vaksinimi mund të vazhdojë deri në muajin mars.

 “Faktoje” pyeti ISHP nëse do të ketë një fazë të dytë të vaksinimit, por sipas tyre vaksinat kanë përfunduar dhe një kërkesë e dytë do të kërkonte tre muaj kohë.

Sipas raportit të publikuar nga ky institucion, numri i të prekurve nga virozat këtë vit ka shënuar rritje sidomos nga muaji janar. Kjo gjendje vazhdoi edhe në javën e parë të muajit shkurt. “Në javën e 05 të vitit 2020 vërehet një prirje në rritje e numrit të infeksioneve Respiratore të Sipërme dhe të Poshtëme”-shkruhet në buletinin e gripit publikuar nga  ISHP.

Pasi morëm konfirmimin nga dy qendrat shëndetësore se nuk mund t’u përgjigjeshin kërkesave për vaksina, pasi kontigjenti ka mbaruar, pyetëm në disa farmaci. Në 5 farmacitë ku pyetëm na u konfirmua se shumë qytetarë interesohen për vaksinat e gripit, por stepen ta blejnë kur mësojnë çmimin. Një vaksinë në farmaci kushton rreth 1500 lekë.

G.N farmaciste në zonën e 21 dhjetorit tha se përgjithësisht vaksinat blihen nga nënat e reja me fëmijë të vegjël ose individë të cilët kanë njëfarë mirëqenieje.  

“Pensionistët shumë rrallë mund të vijnë dhe ta blejnë, mund të jenë fëmijët që ua blejnë, se vetë nuk mund ta përballojnë”- u shpreh G.N.  

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img