Në shtator të vitit 2021 skadoi zyrtarisht ai që mund të quhej si “Moratoriumi 1- vjeçar” i nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në Shtëpinë e Bardhë, si pjesë e marrëveshjes për Normalizimin Ekonomik mes të dy vendeve.

Nevila Gjata

Kosova ishte zotuar të mos aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare për një periudhë 1 vjeçare.

Po për këtë periudhë, Serbia zotohej ta ndalonte lobimin me vendet e treta për mosnjohjen e pavarësisë. Prej një viti, Prishtina ka nisur me aplikimet për anëtarësimin në disa organizata, ndërsa fushata e Beogradit I ka fillesat në vitin 2018.

Nga ajo kohë disa shtete kanë marrë pozicion të ri, duke deklaruar se kanë tërhequr njohjen e Pavarësisë ose e kanë ngrirë atë, kryesisht vende të botës së tretë.

Tre vjet më parë, atëherë Ministër i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, tha se  njohjen e Kosovës e kishin tërhequr Sao Tome e Principe, Suriname, Guineja Bisao, Burundi, Liberia, Papu Guineja e Re, Lesoto, Komonvelthi Dominika, Unioni i Komoreve, Ishujt Solomon, Madagaskari, Palau dhe Grenada.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Kosovës këto shtete figurojnë ende të pandryshuara.

(screenshot e listes se shteteve qe njohin Kosoven e shkeputur nga faqja zyrtare e Ministrise se Puneve te Jashtme te Kosoves, ku përfshihet edhe Republika e Guineja Bisao qe e ka çnjohur)

Ministria e Jashtme e Kosovës, në faqen e saj mban njoftimin e njohjes nga 117 shtete.

Debati rikthehet tre vjet më pas në dritën e zhvillimeve të reja politike mes Serbisë dhe Kosovës.

Gjatë debatit të javës së shkuar në parlamentin e Serbisë, në një seancë maratonë dy ditore, Aleksandër Vuçic tha se Serbia në asnjë mënyrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës siç tha ai, të njëanshme.

Ai njoftoi gjithashtu se 8 shtete do të tërhiqen nga njohja e Pavarësisë në ditët e ardhshme.

Një lajm i reflektuar edhe në gazetën KohaJonë në versionin e saj online të datës 14 shtator. Media në fjalë i referohet fjalimit që Aleksandar Vuçiç mbajti në fillim të legjislaturës në Kuvendin e Serbisë.

(screenshot e lajmit te publikuar nga kohajone)

Një lajm ky i shpërndarë nga agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” e cila nënvizonte më tej se fjalimi i Vuçiç për Kosovën u prit me duartrokitje nga deputetët

Edhe 4 muaj më pare Vuçiç njoftoi për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga 4 shtete, por pa nxjerrë emra.

(screenshot e lajmit te publikuar nga gazeta ‘Blic”)

Gjatë këtyre katër muajve nuk doli asnjë emër konkret nga mediat serbe që të kishte çnjohur Kosovën.

Atëherë pse ky debat tani? Dhe sa të vërteta janë letrat që proklamon Vuçiç?

Rritja e toneve për çnjohje të pavarësisë vjen një javë para mbajtjes së Punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku liderët e vendeve anëtare do të mbajnë fjalën, e ndërsa Shqipëria pritet që të bëjë thirrjen si çdo vit për njohjen e Kosovës.

Po ashtu ky zhvillim vjen në kohën kur flitet për një Plan në kornizën e re për marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Portali Albanianpost.com ka publikuar së fundi eksluzivisht dokumentin që u është vë në tryezë palëve, ku citohet: “Në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht. Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE”.

(screenshot e dokumentit te publikuar nga albanianpost.com mbi marrëveshjen finale Kosove-Serbi)

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.