Anulimi në ‘momentin e fundit’ i mbledhjes së përbashkët të qeverive Shqipëri-Kosovë, ishte qershia mbi tortë në marrëdhëiet e tensionuara mes dy kryeministrave Rama e Kurti. Përplasjet u intensifikuan me nismën e Ramës për të negociuar çëshjten e Veriut të Kosovës dhe mediat e portalet patën pjesën e tyre të ‘tortës’ me spekulimet, lajmet e pasakta dhe shpesh kontradiktore.
Barbara Halla
Ka pasur shenja prej kohësh se marrëdhënia midis Edi Ramës dhe Albin Kurtit nuk i përmbahej idealit vllazëror me të cilën jemi mësuar të shohim qëndrimin e Shqipërisë ndaj Kosovës, dhe anasjelltas. Dyshime për këtë marrëdhënie janë hedhur që në 2021-in, dhe janë shtuar me afrimin midis Ramës dhe Vuçiç përmes krijimit të projektit Open Balkan, në të cilin Kurti ka refuzuar të marrë pjesë.
Por këto dyshime dhe hipoteza duken të jenë vërtetuar gjatë qershorit. Ndërsa kritikoi Kurtin për qasjen e tij ndaj serbëve të Kosovës, Rama prezantoi një draft për Asociacionin pa u konsultuar me qeverinë e Kosovës, dhe më pas anuloi (në dukje pa e njoftuar palën tjetër paraprakisht) takimin e nëntë vjetor midis qeverisë se Kosovës dhe Shqipërisë.
Aspekti emocional dhe etnik i marrëdhënies Shqipëri-Serbi-Kosovë ka qenë shpesh burim i spekulimeve në mediat shqiptare, por edhe për figura të ndryshme politike. Ky ka qenë edhe rasti si me asociacionin dhe me takimin e anuluar. Disa prej këtyre titujve janë të natyrës click-bait, ku portalet spekuluan për të marrë klikime nga lexuesit. Megjithatë të tjera, treguan sesi qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës nuk po komunikonin mes tyre, duke prodhuar tituj të pasaktë dhe keqinformues.
Drafti i Ramës për Asociacionin
Më 8 qershor, në një konferencë për shtyp, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri të ditur se i kishte prezantuar krerëve të Francës dhe Gjermanisë një draft për Asociacionin e Komunave me Pakicë Serbe. Rama e kishte përpiluar dhe prezantuar draftin pa konsultimin e qeverisë kosovare.
Në hapësirat mediatike shqiptare, spekulimet mbi draftin e Ramës qenë të menjëherëshme. Një nga narrativat kryesore e sjellë përpara nga figura të opozitës ishte se drafti i Ramës ishte shkruar me bashkëpunimin e presidentit Vuçiç. Kryetari i opozitës, Sali Berisha, pretendoi pikërisht se “Teksti është shkruar në Beograd dhe rishkruajtur në Tiranë.”
Burim: A2News
Një mesazh i ngjashëm u dha dhe nga ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu i cili shkroi në Facebook se “Rama është analizuar prej kohësh si një trashëgimtar i linjës vëllazërore me Serbinë në gjurmët e themeluesit të kësaj marrëdhënieje, Enver Hoxha.”
Burim: Albanian Post
Ndërkohë, ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se drafti është shkruar nga persona që interesohen për ndarjen e Kosovës. Ky mesazh i referohet një marrëveshjeje të bërë në Uashington në 2020-n, midis kryeministrit të atëhershëm Avdullah Hoti dhe Vuçiç. Marrëveshja e mbikqyrur nga presidenti Trump parashikonte edhe shkëmbimin e territoreve midis të dyja vendeve.
Disa portale i shtynë spekulimet edhe më tej, duke pretenduar se ky draft, jo vetëm është shkruar me dorën e Vuçiç, por tregon se Edi Rama është i gatshëm të tërhiqet nga njohja e pavarësisë së Kosovës.
Burim: Syri
Së pari, edhe pse ka pasur shumë diskutime mbi natyrën e asociacionit dhe domethënien e tij në lidhje me integritetin territorial të Kosovës, nuk ka asnjë provë se Rama ka qëllim cënimin e pavarësisë së Kosovës.
Përsa i përket spekulimeve se drafti është shkruar me ndihmën e Serbisë, si Vuçiç edhe Rama e kanë mohuar këtë gjë. Në një deklaratë për shtyp, Vuçiç ka dalë kundër draftit, duke e konsideruar atë jashtë kompetencave të Ramës.
Burim: Shqiptarja
Anulimi i Takimit Midis Dy Qeverive
Me datë 14 qershor, qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës ishin përgatitur për takimin e nëntë vjetor, ku pritej finalizimi i 13 memorandumeve të arritura që në vitin 2020. Megjithatë, një ditë para nisjes së takimit në Gjakovë, Rama e anuloi atë. Vetë qeveria e Kosovës dukej se ishte zënë gafil, pasi vetëm pak minuta para anulimit, këmbngulte se takimi do të zhvillohej. Në portalet shqiptare, kjo çoi në raportime kontradiktore.
Burim: Lapsi
Një artikull i BIRN tregon se qeveria e Kosovës nuk e priste këtë vendim të qeverisë Rama. Engjëll Berisha, drejtori i Bibliotekës se Gjakovës tha se gjithçka ishte gati. Edhe pasditen e së martës, 13 qershor, kur u publikua komunikata për shtyp nga Shqipëria, puna vazhdonte ende. Ne punuam deri rreth orës 22:00.”
Marrëdhëniet midis Kurtit dhe Ramës ishin ftohur edhe më parë, duke qenë se Rama mbajti anën e BE-së dhe SHBA-së kur ato kritikuan Kurtin për situatën e krijuar në Veri të Mitrovicës. Megjithatë, ndërhyrja e Ramës me draftin për Asociacionin duket t’i ketë përkeqësuar ato. Kurti e kritikoi ndërhyrjen e Ramës, duke thënë se ai ka për detyrim të mbrojë shqiptarët edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Për më tepër, ai e ftoi Ramën “t’ia paraqesë atë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.”
Disa orë pas kësaj deklarate të Kurtit, Rama anuloi takimin duke dhënë si justifikim tensionet në veri. “Në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar,” tha Rama gjatë një konference për shtyp.”
Çfarë përmbajnë tre draftet për Asociacionin
Për momentin, po qarkullojnë tre drafte përsa i përket asociacionit. I pari, ka qënë drafti i propozuar nga i ashtuquajtur Ekipi Menaxhues (i përbërë nga katër pjestarë të komunitetit serb) dhe prezantuar para Vuçiç dhe Kurtit më 2 maj. Dokumenti, i cili përbëhet nga 67 nene sipas Radio Evropa e Lirë, dhe përmban detaje mbi Asociacionin si një “formë e veçantë organizimi,” e cila do të jetë një entitet juridik më vete, me një Kuvend të veçantë, si dhe njësi të ndryshme organizative dhe administrative. Drafti është gjithëpërfshirës, dhe i jep kompetenca të gjera asociacionit, duke filluar nga propozimi dhe krijimi i ligjeve, tek menaxhimi i financave, dhe mbajtja e regjistrave civilë.
Por, Kurti e refuzoi këtë draft, duke e konsideruar në shkelje të kushtetutës së Kosovës. Të nesërmen e takimit, ai shkarkoi të gjithë pjestarët e Ekipit Menaxhues. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se me prezantimin e draftit, ata e kishin përfunduar mandatin e dhënë nga marrëveshja e nënshkruar në Bruksel në 2013-n.
Vetë Kurti propozoi një “draft vision” po më 2 maj, bazuar në nenin 7 të marrëveshjes së Ohrit, ku theksohet se duhet “siguruar një nivel i përshtatshëm vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësia e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.”
Asociacioni ka qënë pikë kyçe që në 2013, dhe detyrimi i Kosovës për ta zbatuar atë është ritheksuar në marrëveshjen e Ohrit e cila u diskutua me 18 mars.
Draft-vizioni i Kurtit thekson aspektin vetëmenaxhues, ku pjestarët e komunitetit serb të Kosovës do të kenë mundësinë “për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta përmes një kornize vetëmenaxhimi,” duke përfshirë këtu dhe aktivitete kulturore dhe artistike të cilat zhvillojnë identitetin serb. Drafti parashikon po ashtu mundësinë për të marrë financime si nga qeveria e Kosovës ashtu dhe ajo e Serbisë, por duke ndjekur rregullat e Ministrisë së Financave të Kosovës.
Mbi të gjitha, draft-vizioni i Kurtit vë në dukje se përpjekjet për vetëmenaxhim të komunitetit serb në Kosovë nuk mund të cënojnë integritetin territorial të Kosovës dhe duhet të respektojnë kushtet.
Ende nuk janë bërë publike detajet e drafit të Ramës, edhe pse përfaqsues të BE-së thanë se po e trajtojnë atë me seriozitet. Megjithatë, ai konsiderohet vetëm si një nga disa opsione të mundshme.
Pasojat e draftit të Ramës dhe sjelljes së tij të përgjitjshme ndaj Kurtit që me fillimin e situtës në veri, vazhdojnë. Ndërsa tensionet në veriun e Kosovës vazhdojnë të larta, edhe marrëdhënia midis Kurtit dhe Ramës vazhdon po ashtu e akullt ndërkohë që nuk ka ende një datë e re për takimin midis dy qeverive.
Më 6 korrik, Rama ishte ne Prishtinë për një takim në kuadrin e Procesit të Berlinit, ku u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Rama deklaroi se po pret konfirim nga qeveria e Kosovës për takimin e ardhshëm dhe konfirmoi se i kishte nënshkruar 13 marrëveshjet e arritura midis të dyja vendeve. Nga ana tjetër Kurti njoftoi se do të takohej me Ramën vetëm në kuadrin e një takimi midis të dyja qeverive, duke e anashkaluar një takim kokë për kokë gjatë vizitës së Ramës në Prishtinë.
*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor
Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli