Protestuesit në Francë nuk kanë liruar kafshët e egra të kopshtit zoologjik 

491

Pamjet e disa kafshëve të egra që vrapojnë mes makinave, duke pretenduar se ato janë pjesë e kopshtit zoologjik në Francë, nuk kanë lidhje me protestat e fundit. Verifikimet dëshmojnë se video është e manipuluar, me qëllim dezinformimin në kohën kur Franca është ndezur nga protestat. 

Përdoruesit në rrjete të ndryshme sociale po qarkullojnë një video duke pretenduar se xhirimet e saj vijnë nga Franca. Në klipet e videos shfaqen kafshë të ndryshme duke ecur rrugëve të një qyteti, në atë që thuhet se është rezultat i sulmit ndaj kopshtit zoologjik nga protestuesit. 

‘Protestuesit në Francë hapën dyert e kopshit zoologjik. Luanët dhe zebrat bredhin rrugëve të Francës.’, kështu shkruan një përdorues i rrjetit facebook në Shqipëri teksa ndan videon që ka marrë mbi 6 mijë shikime dhe qindra reagime. 

Video ka tre klipe të ndryshme: në të parën shihen një kalë dhe një zebër duke vrapuar në rrugë natën mes makinave; i dyti tregon disa mace të mëdha që enden në një rrugë të qytetit gjatë natës, ndërsa klipi i tretë portretizon një elefant të filmuar në errësirë ​​nga një person me kapuç. Videoja shoqërohet me një koment, të shkruar nga autori i postimit, ku thuhet: «Francë. Protestuesit i liruan kafshët nga kopshti zoologjik”.

Referenca është për protestat dhe dhunën që shpërtheu në Francë pas vrasjes të një djali 17-vjeçar nga një polic gjatë një kontrolli në Nantere më 27 qershor.

Por verifikimet tregojnë se video është e manipuluar dhe përcjell një lajm të rremë. Kolegët tanë të Facta.news kanë verifikuar çdo klip të videos. 

Klipi i parë, i cili tregon zebrën dhe kalin në rrugë, daton në 10 prill 2020 dhe është regjistruar në rrugët e qytetit Champigny-sur-Marne, në departamentin Val-de-Marne. Siç raportuan media të ndryshme lokale në atë kohë, kafshët ishin arratisur nga një cirk i vendosur në qytetin e afërt të Ormesson-sur-Marne.

Klipi i dytë, i cili tregon macet e mëdha në rrugë, u postua për herë të parë në YouTube në shkurt 2020. Në përshkrimin që shoqëron videon thuhet se skena tregonte luanë që enden nëpër rrugët e komunës Saint-Denis. Por verfikuesit e fakteve të Libération në Francë thonë se nuk dihet se në cilin kontekst është xhiruar video në atë kohë. Për më tepër, duke pasur parasysh cilësinë e ulët të imazheve, është e vështirë të përcaktohet me siguri nëse kafshët ishin vërtet luanë. Në shkurt 2020, asnjë artikull i shtypit nuk raportoi arratisjen e maceve të mëdha në Saint-Denis.

Dhe në fund, klipi i tretë duket se është publikuar nga llogari të ndryshme në TikTok dhe në një kanal Telegram dhe është i lidhur me protestat në Francë. Klipi origjinal është më i gjatë se ai në postimin e analizuar dhe falë kësaj mund të shihet se elefanti nuk është në liri, por brenda një tende. 

Në video përdoruesit e internetit pretendojnë se skena ishte filmuar në komunën e Tremblay-en-France. Megjithatë, nuk ka asnjë pranim nga media dhe institucionet se një elefant nga një kopsht zoologjik apo cirk është liruar gjatë protestave të fundit franceze.