Një video që tregon zbarkimin e një avioni luftarak mbi një aeroplan-mbajtëse po shitet në rrjet si provë e manovrave mbresëlënëse të pilotëve rusë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video në fjalë është në të vërtetë nga një video-lojë.
——————————–
Një video që tregon një avion luftarak duke zbarkuar mbi një luftanije po qarkullon në rrjetet sociale si shfaqje e kapaciteteve të aviacionit rus.
Me anë të një kërkimi në motorin e kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, “Faktoje” zbuloi se kjo video ishte postuar në TikTok me titullin “DCS: Ulja Cobra (me Sukses) e Su-27 mbi Aeroplan-mbajtëse.”
Një kërkim tjetër në Google zbulon se DCS është akronimi për Digital Combat Simulator (Simulator Dixhital Lufte), një video-lojë në të cilën simulohen beteja ajrore.
Su-27 është një lloj avioni luftarak me origjinë sovjetike, i cili ekziston vërtet. Bazuar mbi të, është dizenjuar dhe modeli Su-27 në video-lojën DCS, të cilin lojtarët mund ta blejnë për $14.99.
Manovra Cobra, simulimi i së cilës tregohet në video, është një manovër e vërtetë. Ajo mund të përdoret, teorikisht, në betejë ajrore për të ndaluar momentalisht avionin, duke bërë një avion ndjekës të kalojë përpara tij, si në videon e mëposhtme, por e vështirë që të përdoret për një ulje në pistën e reduktuar të një anijeje. Ajo performohet kryesisht në shfaqje me avionë dhe nuk ka raste të dokumentuara kur është përdorur në beteja të vërteta.
Lufta në Ukrainë është shoqëruar me një sërë rastesh kur klipe video-lojrash janë ngatërruar apo keqinterpretuar si video të ngjarjeve të vërteta. Në Shkurt 2022, vetë Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës shpërndau një video të krijuar me DCS si të ishin pamje nga lufta në Ukrainë.