BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingTregu agro-ushqimor në Farkë u hap, por me disa mungesa

Tregu agro-ushqimor në Farkë u hap, por me disa mungesa

Tregu agro-ushqimor i Farkës u hap 4 vite pas premtimit të bërë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Mirëpo, për “produktet bio të fshatit’ nuk ishte ndërtuar ende një hapësirë ku ato mund të tregtoheshin, ndërsa mungonte tabela e madhe e çmimeve për të informuar blerësit, siç u premtua.

Më 18 mars të këtij viti, kryebashkiaku Erion Veliaj, i shoqëruar nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca prezantuan tregun e ri “AgroPark Tirana” në zonën e Farkës.

“Ky ishte premtimi i fundit i pambajtur dhe më vjen mirë që pranvera na gjen me një projekt, ndoshta më i miri dhe më i arrituri në rajonin tonë… Do të kemi një tabelë të çmimeve, ku njerëzit dinë sipas kërkesës dhe ofertës, ku rrahin çmimet”. tha Veliaj 3 muaj më parë.

Më 8 maj, Veliaj njoftoi hapjen e “AgroPark Tirana”.

“Është tamam si kurora e një mbretëreshe, e cila si gurë të çmuar ka Petrelën, Farkën, Baldushkun, Dajtin, Zall-Bastarin, Zall-Herrin, Ndroqin, Vaqarrin, Pezën”, deklaroi ndër të tjera kryebashkiaku i Tiranës.

Faktoje bëri një verifikim në këtë treg më 2 qershor, për të parë nga afër si funksionte dhe nëse ofroheshin shërbimet siç premtoi Veliaj, tregtim i produkteve të zonës dh tabelën e çmimeve që informon blerësit. Nga komunikimi që patëm me tregtarë të tregut agroushqimor na u bë e ditur se 70% e tij shërben për shitjen e produkteve me shumicë, ndërsa 30% për shitje me pakicë.

Ndërtimi i kapanoneve për shitësit me pakicë, nuk kishte përfunduar dhe produktet i shisnin në sheshin në qendër të tregut, pa një “çati” mbi kokë ku temperaturat e larta e bëjnë të vështirë tregtimin.

“Unë jam nga Lundra, shes domate, patëllxhanë. Për momentin i shes këtu, nuk kam një dyqan. Vijnë për të blerë qytetarë, por pak për momentin”, shprehet shitësi.

Gjatë vëzhgimit takuam edhe blerës, të cilët shpreheshin të kënaqur nga cilësia e produkteve.

“Ne morëm perime, fruta, plot gjëra kishte. Çmimet ishin mirë, si në treg, produktet cilësore, relativisht të freskëta. Mbetëm të kënaqur, por do ishte mirë që këtu të ishte edhe tregu i fshatarëve që të merrnim edhe disa gjëra të tjera dhe të vihet ndonjë çadër se kështu është problem nga dielli”, shprehet një blerëse.

Por, a furnizohen tregtarët nga fshatrat rreth e rrotull zonës? Disa tregtarë thanë për Faktoje se nuk kanë asnjë produkt që vjen nga fshatrat e Tiranës.

Nga ana tjetër, edhe pse ishte premtuar se do të kishte një tabelë me çmimet e produkteve të ekspozuara, nuk e konstatuam këtë gjatë verifikimit në terren.

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë, ku ndër të tjera e pyetëm për vlerën e investimit për ndërtimin e tregut. Jemi në pritje të një përgjigjeje, duke respektuar afatet ligjore për të Drejtën e Informimit.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Tiranë, 5 qershor 2023

Premtimet për tregun agro-ushqimor në Farkë

Në vitin 2019, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj premtoi se në Farkë do të hapej një treg agro-ushqimor.

“Kemi vendosur që Bashkia, në anën tjetër të qytetit në zonën e Farkës dhe të Lundrës, të hapë një treg agro-ushqimor të shumicës”, njoftonte Veliaj asokohe. Mirëpo, në vitin 2021, Faktoje raportoi se ky premtim nuk ishte realizuar.

Në muajin nëntor të vitit 2022, Veliaj njoftoi:

“Kjo është arsyeja pse për herë të parë do të hapim tregun publik, që edhe fshatarët e zonës, edhe një milion banorët e Tiranës, ta kenë më afër dhe ta kenë pa pagesë tregun, që të sigurohen që ata mbajnë familjet e tyre dhe ne ta kemi ushqimin pak më të lirë, për një gjë që nuk vjen nga Ukraina, por që vjen nga Baldushku, nga Farka, Mulleti, Iba ose Krraba,” sqaronte ai.

Në 26 shkurt të këtij viti, kryebashkiaku shkruante në një postim në rrjetet sociale:

“Gjatë inspektimit të rrugës së re pranë tregut agro-ushqimor në Farkë që do të hapet së shpejti për të gjithë fermerët e Tiranës”.

Screenshot, postimi i Veliajt në Facebook

Ndërsa, në muajin mars, kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga tregu i ri, duke e cilësuar si një hapësirë të re shembullore me kushte shumë më të mira për fermerët dhe konsumatorët.

Tregu agroushqimor i Farkës ka një sipërfaqe prej 55 mijë m2, prej të cilave 20 mijë janë hapësira magazinuese dhe 5 mijë m2 janë hapësira për fermerët me tregtim ditor dhe 10 mijë m2 hapësira parkimi.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img