BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookLopët në Itali u helmuan nga ushqimi, jo nga vaksina anti-Covid

Lopët në Itali u helmuan nga ushqimi, jo nga vaksina anti-Covid

Një video që tregon disa lopë në Itali që presupozohet se kanë ngordhur nga injektimi i vaksinës së Covid-19 rezulton e pasaktë. “Faktoje” verifikoi se kafshët u helmuan për shkak të konsumimit të një bime, që prej thatësirës bëhet e rrezikshme.

Në rrjetet sociale po qarkullon një video ku pretendohet se disa lopë kanë ngrodhur, pasi u është injektuar vaksina e Covid-19.

Autoritetet detyruan fermerët që të vaksinojne lopët e tyre me vaksinën K@vid. Menjëherë pas kësaj lopët u sëmurën dhe ngordhën”, shkruajnë disa përdorues në rrjetet sociale.

Screenshot, postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

Planet tregojnë një fushë, ku duken dhjetëra lopë të ngordhura. Por, si qëndron e vërteta mbi këtë video? “Faktoje” bëri një verifikim të saj, fillimisht duke bërë një kërkim në internet, ku konstatuam se pamjet i përkasin gushtit të vitit 2022. Asokohe u raportua se një fermë italiane ishte kthyer në një “morg”, pasi rreth 50 lopë ishin helmuar pasi kishin ngrënë një bimë helmuese.

Referuar të dhënave nga ekspertët, bagëtitë në fermën në Sommariva del Bosco, afër Torinos në Italinë veriperëndimore, ngordhën papritur për shkak të helmimit akut me acid prusik më 6 gusht.

Mjekët veterinerë arritën në përfundimin se kafshët u sëmurën dhe ngordhën nga konsumimi i bimëve që përmbanin përqendrime të larta të një kimikati natyror që bëhet toksik në kushtet e thatësirës. Pra, bima prodhon kimikatin e rrezikshëm si rezultat i thatësirës, duke sjellë edhe pasoja të tilla për bagëtitë.

“Lopëve nuk u është injektuar vaksina kundër Covid-19”, tha për ‘Associated Press’ Stefano Giantin, një veteriner me qendër në provincën veriperëndimore italiane të Cuneo, i cili punon për një zyrë lokale të shërbimit veterinar kombëtar të vendit.

Ai konfirmoi për AP, se video tregon një incident të vitit 2022 në të cilin rreth 50 lopë ngordhën në një fermë në Sommariva del Bosco, Cuneo.

“Lopët u helmuan nga melekuqe e kultivuar”, tha Giantin, duke shpjeguar se bima normalisht nuk është vdekjeprurëse, por një thatësirë në atë kohë bëri që bima të zhvillonte “përqendrime shumë të forta” të acidit prusik, ose cianidit.

Kushtet si ngrirja ose thatësira e madhe dihet se shkaktojnë prodhimin e acidit prusik në melekuqe dhe bimë të tjera.

Artikulli është verifkuar edhe nga kolegët e organizatave të tjera fakt verifikuese në botë, ku është provuar me fakte se lopët kanë ngordhur nga helmimi dhe jo nga vaksinimi.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img