BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëLindita Nikolla: Në 20 shkolla 9-vjeçare ka nisur projekti pilot “Bëjmë detyrat e shtëpisë”

Lindita Nikolla: Në 20 shkolla 9-vjeçare ka nisur projekti pilot “Bëjmë detyrat e shtëpisë”

ANXHELA RUÇI

Në dhjetor të vitit 2017-të, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, firmosën marrëveshjen për projektin pilot “Bëjmë detyrat e shtëpisë” i cili do t’u mundësonte nxënësve ushqim dhe mësim falas, pas mbarimit zyrtar të orëve të mësimit.

Projekti pilot, parashikonte që të zbatohej në 20 shkolla 9-vjeçare, në pesë bashki të vendit, konkretisht në bashkinë Tiranë, Korçë, Fier, Lezhë dhe Elbasan. Në këto shkolla, nxënësit pas përfundimit zyrat të mësimit, do të qëndronin në shkollë deri në orën 16:00, kohë gjatë së cilës ata do të kryenin dhe zhvillonin detyrat por gjithashtu do të konsumonin edhe vaktin e drekës.

Në shkurt të vitit 2018-të ministrja Lindita Nikolla, së bashku me kryeministrin vizituan shkollën “Besëlidhja” në Lezhë për të parë ecurinë e projektit “Bëjmë detyrat e shtëpisë”. Gjatë takimit, Nikolla tha se në qershor do të bëhej një vlerësim për ecurinë e projektit, në mënyrë që implementimi i tij të shtrihej në të gjitha shkollat e vendit.

Por sa ka funksionuar projekti pilot “Bëjmë detyrat e shtëpisë” në pesë bashkitë e vendit?

Në Bashkinë Tiranë, “Faktoje” mësoi se ky projekt ka nisur implementimin në muajin shkurt, deri në përfundim të vitit shkollor. Katër shkollat që kanë përfituar nga ky projekt janë :

  1. Shkolla 9-vjeçare “Ardian Klosi”
  2. Shkolla 9-vjeçare “Hasan Tahsin”
  3. Shkolla 9-vjeçare “Bati Muço”
  4. Shkolla 9-Vjeçare “E Kuqe”

Bazuar mbi këto të dhëna mund të themi se projekti pilot i ministrisë, mund të quhet i suksesshëm në këtë bashki.

Ndërkaq në Bashkinë Lezhë, “Faktoje” mësoi se ecuria e projektit të ministrisë nuk ka qenë dhe aq i sukseshëm sa në bashkinë Tiranë. Nga katër shkolla në të cilat ky projekt duhej të zbatohej, ka gjetur zbatim vetëm në dy prej tyre që prej muajit janar të këtij viti dhe konkretisht në:

  1. Shkolla 9-vjeçare “Besëlidhja”
  2. Shkolla 9-vjeçare “Gjergj Fishta”

Kujtojmë se “Besëlidhja” është edhe shkolla që ministria së bashku me kryeministrin vizituan për të parë implementimin e këtij projekti pilot.

Bashkinë Elbasan, projekti mund të cilësohet gjithashtu i suksesshëm, pasi në të katërta shkollat raportohet se ka nisur implementimi i “Bëjmë detyrat e shtëpisë. Për “Faktoje”, bashkia Elbasan njofton se janë rreth 400 nxënës që përfitojnë nga ky projekt, që nga muaji shkurt. Shkollat në të cilat zbatohet projekti janë:

  1. Shkolla 9-vjeçare Shkollla 9- vjeçare “Qamil Guranjaku”
  2.  Shkolla 9 – vjeçare “Jeronim De Rada”
  3.  Shkolla 9- vjeçare “ Sulë Misiri”
  4.  Shkolla pedagogjike “Luigj Gurakuqi”

Bashkinë Korçë, ashtu si në bashkinë Tiranë dhe në Bashkinë Elbasan, ky projekt është zbatuar në katër shkolla që nga janari i 2018-ës. Shkollat në bashkinë Korçë janë:

  1. Shkolla 9-vjeçare “Stavri Themeli”,
  2. Shkolla 9-vjeçare “Ismail Qemali”
  3. Shkolla 9-vjeçare “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”
  4. Shkolla 9-vjeçare “Pandeli Cale”

Ndërkohë në Bashkinë Fier, ky projekt duhet klasifikohet si një dështim, pasi nga katër shkolla që duhet të zbatohej, projekti “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, nuk ka nisur të zbatohet në asnjë prej shkollave të paracaktuara. Për “Faktoje”, në përgjigjen e saj, bashkia thotë se pengesë për mos-zbatimin e këtij projekti ka qenë mungesa e ofertave nga subjekte të licensuara, për të ofruar shërbimin e ushqimit nëpër shkolla.

Duke bërë një bilanc të 20 shkollave të cilat duhet të zbatonin këtë projekt pilot të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në bashkëpunim me Bashkitë përkatëse, “Faktoje” liston vetëm 14 prej tyre, ndërkohë që në gjashtë shkolla, ky projekt nuk ka gjetur zbatim.

Duke u nisur nga faktet e renditura më lart, deklaratën e Ministres Lindita Nikolla, se ky projekt do të shtrihet në pesë bashki dhe prej tij do të përfitojnë 20 shkolla,  do ta klasifikojmë GJYSMË TË VËRTETË.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img