Esmeralda Topi
“Në një vlerësim timin, brenda tremujorit të parë të vitit 2023 ky ligj pritet të miratohet në parlament.” – deklaroi ministrja e Financave Delina Ibrahimaj fundvitin e kaluar teksa u pyet mbi ‘fatin’ e ligjërimit të basteve online në Shqipëri.
Por koha tregoi se afati i deklaruar publikisht nga ministrja e Financave u shkel sërish. Verifikimet tregojnë se deri në fund të muajit mars, drafti për disa shtesa dhe ndryshime në lojërat e fatit jo vetëm që nuk u miratua në parlament, por nuk ishte hedhur as për konsultim publik.
Zvarritjet e njëpasnjëshme të draftit kontrovers që pritet të ligjërojë bastet online kanë bezdisur edhe Kryeministrin Edi Rama që bën llogari se si do t’i shpërndajë 2 miliardë lekët e të ardhurave që do të mbledhë buxheti i shtetit nga aktiviteti i kumarit këtë vit.
“Së shpejti do të kalojmë më në fund për miratim, pasi të hyjë në këto ditë në procesin e konsultimit publik dhe pastaj në miratimin e qeverisë në Kuvend pastaj ligjin për aktivitetin e basteve online… sipas ligjit të gjitha të ardhurat do t’i shkojnë sportit, do t’i shkojnë kulturës dhe do t’i shkojnë teknologjisë.” – deklaroi Rama gjatë një aktiviteti me sportistët elitarë më 28 mars.
Dy ditë më vonë, ministrja e Financave Ibrahimaj, tha se drafti do të hidhej për konsultim publik javën e parë të muajit prill.
“Në fillim të javës së ardhshme do të hidhet për konsultim publik ligji për hapjen e basteve sportive online… ligji parashikon rihapjen online të basteve sportive, dhe jo të gjitha basteve siç kanë qenë më parë në pika fizike.”, pohoi Ibrahimaj gjatë një konference për treguesit ekonomik të tremujorit të parë, pa dhënë sqarime mbi arsyet e vonesave në përfundimin e draftimit të ndryshimeve ligjore për lojrat e fatit.
Për t’u informuar mbi këto arsye, në fund të muajit mars Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Financave.
Më 5 prill, një ditë pasi drafti u hodh për konsultim publik, ministria e Financave na adresoi këtë përgjigje:
“Projektligji është draftuar dhe është hedhur për konsultim publik.”, por edhe institucioni nuk dha shpjegime për shkeljen e vazhdueshme të afateve të dhëna në publik nga Ibrahimaj.
“Projektligji pas konsultimit do të dërgohet për mendim te institucionet e tjera. Pas kryerjes së këtyre procedurave do të dërgohet pë miratim në Këshillin e Ministrave dhe më pas në Kuvend.”- sqaron më tej ministria e Financave.
Afatet ligjore
Referuar ligjit për konsultimin publik, palët e interesuara kanë 20 ditë afat për të dorëzuar komente dhe rekomandime lidhur me ndryshimet e propozuara nga qeveria në ligjin për lojrat e fatit.
Kjo nënkupton se deri në 3 maj, drafti është ‘peng’ i procesit të konsultimit publik, ndaj Kuvendi nuk e ka programuar në kalendarin e punimeve të këtij muaji procesin e diskutimeve në komisionet parlamentare.
Sipas afateve ligjore, këto diskutime pritet të nisin në muajin maj.
Me ligj pa ligj, bastet online vijojnë aktivitetin
Erjoni është një 37 vjeçar nga Tirana. Kjo është skedina online që ai ka luajtur mëngjesin e kësaj të mërkure.
“Nuk u shkëputa asnjëherë nga skedinat, ndonëse pikat e llotove u mbyllën, unë gjeta këtë mënyrën për të vënë skedina online. Vë thuajse çdo ditë, e fundit është kjo që po të tregoj për dy ndeshje të Champions League. Kam vënë 4100 lekë dhe pres të fitoj 50 000 mijë lekë.”, tregon ai për Faktoje.
Të njëjtat ndeshje ka luajtur në skedinë edhe Ervisi, një 43 vjeçar që ndryshe nga Erjoni na tregon se luan me shuma të vogla parash.
“Kam vënë 200 lekë për të fituar 22,807 lekë. Shuma më e madhe që kam vënë është 500 lekë. Luaj shpesh, por me shuma të vogla.”, pohon ai.
Në 25 tetor të 2018 Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin që mbyllte thuajse të gjithë industrinë e bixhozit në vend. Por katër vite më vonë, në verë të 2022 qeveria u angazhua në dëgjesa publike për rikthimin e tyre online, duke zhbërë një nga ligjet më të bujshme dhe populiste të qeverisjes socialsite.
Një ditë më parë Faktoje publikoi artikullin që nxirrte në pah mungesën e një qendre rehabilitimi për kumarin, një zotim i vitit 2018 nga socialistët në kohën kur vendosën mbylljen me ligj të këtij aktiviteti në Shqipëri.
Ndërsa më poshtë, gjeni dy artikuj të tjerë që trajtojnë vendimin kontrovers të qeverisë për të ligjëruar bastet sportive online.