Në 25 tetor të 2018 Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj që mbyllte thuajse të gjithë industrinë e bixhozit në vend. Por katër vite më vonë, qeveria është angazhuar në dëgjesa publike për rikthimin e tyre online, duke zhbërë një nga ligjet më të bujshme dhe populiste të qeverisjes socialsite që asokohe u cilësua si dhuratë fundviti për çdo familje shqiptare. Mesa duket, këtë fundvit qeveria po përgatit terrenin për të shndërruar “ Fundin e marrëzisë” në “Marrëzi pa fund”.

Esmeralda Topi

“Që të mos kemi asnjë iluzion dhe asnjë keqkuptim, ne nuk do kthehemi në asnjë mënyrë tek sallat, tek lojërat, tek batërdia e lojërave të fatit as për baste, as për makineta e as për dreq e shejtan. E vetmja konsideratë që ne po bëjmë është konsiderata për bastet sportive online dhe për asgjë tjetër.” – u shpreh Kryeministri Edi Rama më 31 gusht gjatë një dëgjese publike me përfaqësues të federatave sportive.

31 dhjetori i 2018 ishte dita e fundit e lejimit me ligj të basteve sportive në Shqipëri. Koha tregoi se pas kësaj date ky aktivitet jo vetëm që nuk u mbyll, por lulëzoi në tregun e zi, përmes platformave online.

Skema është e thjeshtë; Llogaria e bastit hapet në një vend ku lejohet aktiviteti dhe skedina vendoset online duke u paguar përmes një llogarie bankare. Më pas personi që vë bastin i shlyen paratë CASH.

Për të gjetur një person që vendos baste online nuk është aspak e vështirë ndonëse ky aktivitet ndalohet me ligj.

E.H është një 35 vjeçar nga Tirana që vendos baste online thuajse çdo ditë. Mbyllja e pikave fizike të llotove nuk e ka larguar nga vesi.

“Nuk vendos shuma të mëdha parash, por thuajse çdo ditë kam vënë një apo dy skedina online. Edhe pse më shumë kam humbur para sesa kam fituar sërish vijoj me llotot, është ves dhe vesi del me shpirtin. Këto të dyja i vura dje dhe humba…” – pohon ai për Faktoje.

Screenshot i biletës së luajtur online për ndeshjet e dt. 31.08.2022

Edhe E.T ka qënë një lojtar i rregullt i basteve sportive, por mbyllja e pikave fizike e detyroi të hiqte dorë nga llotot.

“Unë nuk kam shumë njohuri nga teknologjia dhe tani llotot janë online, duhet të kesh njohje dhe për mua u kthye në angari të madhe. Fillimisht kur u mbyllën dyqanet e llotove në lagje provova këtë rrugën tjetër përmes njohjeve, por m’u duk shumë e ndërlikuar dhe më merrte kohë. Unë nuk luaja me shuma të mëdha. Mbyllja e dyqaneve më ndihmoi të hiqja dorë prej tyre. Do të tundohesha nëse do të lejonin sërish pikat fizike të llotove.” – thotë ai për Faktoje.

Ekspertët e kibernetikës dhe IT e cilësojnë si mision të pamundur mbylljen e basteve online. Doktor Elton Domnori sqaron se nga ana teknike autoritetet mund të zbusin fenomenin, por nuk do të munden kurrë ta zhdukin atë.

“Jo të gjitha mund të mbyllen, sepse presupozohet që ti të njohësh të gjitha faqet në botë që ofrojnë një shërbim të tillë. Pastaj ka dhe mekanizma që jo çdokush mund t’i përdorë, sepse duhet një lloj njohurie informatike për t’i anashkaluar këto kontrolle duke përdorur ato që quhen proksi që janë si palë të treta që të lejojnë të aksesosh, një faqe jo në mënyrë të drejtëpërdrejtë, por në mënyrë të tërthortë. Nga ana teknike është thuajse një mision i pamundur. Mund të zbutet se jo të gjithë kanë njohuri të arrijnë të bëjnë këto ura, pra një përdorues i thjeshtë. Por nëse ka kompani që arrijnë ta ofrojnë si shërbim, pastaj është krejtësisht e pamundur.” – argumenton ai për Faktoje.

Artan Shyti, që katër vite më parë mbante postin e kreut të shoqatës së basteve në Shqipëri, e përqafon idenë e rikthimit të tyre, madje e cilëson të vonuar.

“Unë jam shumë entuziast për formalizimin e tyre. Bastet nuk janë mbyllur ndonjëhere, bastet vetëm u bënë nga të ligjshme në të paligjshme. Në këto kushte më mirë t’i bëjmë të ligjshme prapë se për t’u mbyllur s’janë mbyllur ndonjëherë, sepse njerëzit kanë luajtur si kanë dashur gjithë këtë kohë. Më mirë të pranosh realitetin dhe t’i rregullosh e të përfitosh të ardhura. Dhe këto të ardhura shkojnë në shtet, ndërsa ashtu shkonin tek kriminelët. Sepse këta të fundit janë ata që nuk kanë frikë nga ligji.” – përfundon komentin e tij z.Shyti për Faktoje.

Ndërsa socialisti Fidel Ylli që në tetor të 2018 votoi pro mbylljes së basteve, prej dy vitesh po kërkon rikthimin e tyre. Pyetjes se çfarë ndryshoi nga ajo kohë ai iu përgjigj:

“Isha pro me të dyja duart sepse qeverisë i kishte dalë nga duart i gjithë kontrolli dhe ishin bërë shëmtuar, poshtë pallatit, poshtë shkollës, ishin një tmerr i vërtetë. Ajo ishte katastrofë që krijonte plagë sociale. Kurse kur ti e kontrollon dhe ne nuk themi të hapen bastet fizike, por do të jetë online. Me kompjuter ose me telefon celular dhe me shuma të caktuara. Zhduket plaga sociale, lekë vijnë nga sporti dhe vesi vdes me shpirtin. Sporti ka nevojë për të ardhura dytësore.”- thekson z.Ylli që aktualisht mban postin e Presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, duke shtuar se të ardhurat nga taksimi i basteve do t’i shërbejnë sportit.

“Ky fenomen që ndodh këtu tek ne me bastet ka ndodhur në vitet 80’ në Itali. I mbylli Italia dhe atje lulëzuan bastet në të zezë, i mori mafia dhe u detyruan që t’i merrte shteti t’i mbyllte, t’i kontrollonte dhe t’ia jepte Komitetit Olimpik dhe tani e ka në përgjegjësi ministria e Ekonomisë të drejtën e dhënies së licensave. Me ato lekë bëhen qendra olimpike, bëhen terrene sportive, jepen shpërblime për sportistët elitarë. Dhe ne këtë po kërkojmë.”

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2018 të ardhurat nga lojërat e fatit llogariteshin afro 40 milionë euro. Ndërkohë që në 2019 paratë e mbledhura nga ky aktivitet ranë në 7.6 milionë euro për shkak të ndalimit me ligj të thuajse gjithë industrisë së bixhozit, me përjashtim të kazinove dhe lotarisë kombëtare.

Viti më i keq rezulton 2020 me vetëm 6 milionë euro të ardhura nga lojërat e fatit, ndërkohë që në 2020 kontributi është dyfishuar për shkak të hyrjes në lojë të tri kazinove të tjera.

Edhe pse debati publik mbi bastet është ndezur, për momentin i vetmi zë që i mbetet votës pro mbylljes së tyre në radhët e socialistëve është Erion Braçe. Përmes një postimi në rrjetet sociale Braçe shkruan:  Nga ‘Fundi i Marrëzisë’ tek “Marrëzia pa fund”.