BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashVideo e sulmit të ushtrisë në spitalin egjiptian risillet online si sulm izraelit në Gaza

Video e sulmit të ushtrisë në spitalin egjiptian risillet online si sulm izraelit në Gaza

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, ku shihet një sulm ndaj spitalit, nuk i përkasin zhvillimeve aktuale mes Izraelit dhe Hamasit. Faktoje verifikoi se video i përket 10 viteve më parë dhe është regjistruar në Egjipt.

Një video është shpërndarë në rrjetet sociale më 15 nëntor, ku shihen disa njerëz në një spital të shkatërruar dhe ndërkohë dëgjohen edhe të shtëna armësh. Këto pamje shoqërohen edhe me një koment të shkruar nga autori i postimit ku pretendohet se video i përket sulmit ndaj spitalit Al-Shifa në Gaza.

Momenti i mësymjes së spitalit Shifa në Gaza. Dhe pretendojnë se do fitojnë luftën”-shoqëron postimin përdoruesi në rrjetet sociale.

Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

Në lidhje me këtë postim, ne vendosëm të bëjmë një verifikim, fillimisht duke përdorur mjetet e verifikimit të fotove dhe videove, për të kuptuar më tepër mbi pamjet e shpërndara.

Nga kërkimi rezulton se videoja është reale, por nuk ka asnjë lidhje me konfliktin aktual në Lindjen e Mesme midis Izraelit dhe Hamasit. Videoja në fjalë u publikua në YouTube më 16 gusht 2013 nga gazeta egjiptiane “Rassd News Network” (RNN).

Krahas videos së publikuar thuhet se skena tregon të shtëna me armë brenda spitalit Rabaa el Adaweya, që ndodhet në periferi të qytetit Nasr në Kajro, Egjipt, gjatë masakrës në Rabaa në gusht të 2013-s.

Në atë kohë, protesta të mëdha u zhvilluan në Egjipt për të kërkuar rivendosjen e presidentit të parë të vendit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohamed Morsi, i cili ishte shkarkuar nga detyra pas një grushti shteti të drejtuar nga udhëheqësi ushtarak dhe presidenti aktual egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi.

Më 14 gusht 2013, forcat egjiptiane të sigurisë hapën zjarr ndaj protestuesve të pranishëm në protestën në sheshin Rabaa al-Adawiya. Sipas organizatave të ndryshme të të drejtave të njeriut, në atë kohë kishte më shumë se një mijë viktima. Në ato ditë, ushtria egjiptiane hyri gjithashtu në spitalin Rabaa el Adaweya, duke qëlluar mbi demonstruesit e pranishëm në strukturë.

Video është verifikuar edhe nga kolegët e mediave të huaja, të cilët konfirmuan se pamjet nuk tregojnë forcat izraelite duke hapur zjarr brenda spitalit al-Shifa në Gaza.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img