Video e një treni që mban automjete ushtarake po përdoret nga konspiracionistët për të pretenduar se në ShBA po bëhen parapërgatitje për luftë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video në fjalë nuk është xhiruar në ShBA por në Montreal, Kanada, dhe tregon automjete të ushtrisë kanadeze duke u kthyer nga një stërvitje e përvitshme.

——————————————–

Javët e fundit, disa video që tregojnë lëvizje të mjeteve ushtarake në zona të banuara kanë ka ndezur frikërat dhe shpresat e konspiracionistëve për luftë. 

Shfaqja e një avioni ushtarak që transporton stafin e Shtëpisë së Bardhë në qiellin e Kalifornisë përpara vizitës së presidentit Joe Biden në këtë shtet dhe lëvizja e tankeve në një autostradë në Idaho për të shkuar nga vendi i stërvitjes në hangarin ku mbahen zakonisht u interpretuan në internet si paralajmërues të një lufte apo inkursioni.

Këtyre u shtohet edhe video që tregon një tren që mban automjete ushtarake, e shoqëruar në rrjetet sociale shqipfolëse me pretendimin se “në 27 shtete në Shba raportohen lëvizje mjetesh të rënda luftarake.”

Për të verifikuar vërtetësinë e këtij pretendimi, “Faktoje” u drejtua fillimisht tek llogaria në TikTok ku është postuar video e mësipërme, @freedom.wayne.

 Kjo llogari e ka postuar fillimisht videon e mësipërme në 12 qershor 2023, por nuk pretendon se ajo është xhiruar në ShBA. Përshkrimi i videos e vendos atë në Montreal, Quebec të Kanadasë.

Kolegët e Reuters kanë arritur ta konfirmojnë vendxhirimin e videos, në Ronald Drive, në Montrealin Perëndimor, siç mund të shihet edhe në Google Street View.

Vendi ku është xhiruar video, në Montreal, Kanada.

Një zëdhënës i Departamentit kanadez të Mbrojtjes Kombëtare tha për Reuters se automjetet në video i përkasin Forcave të Armatosura Kanadeze, të cilat po ktheheshin me tren nga “një stërvitje e madhe ushtarake kanadeze e quajtur Maple Resolve, në Wainwright, Alberta,” për në bazën ushtarake në Valcartier, Quebec. Ai shtoi se kjo stërvitje është standarde dhe e përvitshme.
Stërvitja Maple Resolve u mbajt nga 8-22 maj 2023, dhe përshkruhet nga faqja zyrtare e qeverisë kanadeze si “stërvitja më e madhe dhe komplekse e Ushtrisë Kanadeze në 2023”.