BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE pasaktë prova për mijëra viktima nga vaksinimi në Skoci

E pasaktë prova për mijëra viktima nga vaksinimi në Skoci

Vaksinimi kundër Covid-19 në Skoci nuk ka shkaktuar dëme serioze te mijëra persona, si pretendohet në disa postime të shpërndara në rrjetet sociale. Faktoje verifikoi se informacionet e bëra publike nuk kanë asnjë bazë.

Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se 25 mijë persona kanë pasur pasoja negative serioze si pasojë e vaksinimit kundër Covid-19.

25.000 persona të dëmtuar pas vaksinave në Skoci. Një kërkesë për lirinë e informacionit drejtuar Agjencisë Rregullatore të Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor zbulon se ka pasur pothuajse 25 mijë ngjarje negative serioze nga vaksinat në Skoci”-shkruajnë përdoruesit në rrjetet sociale.

Screenshot, postimi i publikuar në rrjetet sociale

Krahas postimit, është publikuar edhe një shkresë, ku pretendohet se Agjencia Rregullatore e Barnava dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësore i është përgjigjur një kërkese për informacion, duke konfirmuar ndikimet negative te mijëra persona. Mirëpo, shkresa në anglisht, e cila është bërë publike nga përdoruesit e rrjeteve sociale nuk e konfirmon një gjë të tillë.

Shkresa e plotë

Letra e bërë publike tregon vetëm një përmbledhje të kërkesës për informacion të dërguar në adresë të agjencisë britanike, ku kërkohen të dhëna në lidhje me: “numrin e kartonëve të verdhë të dorëzuar te agjencia, pas një efekti anësor të dyshuar si pasojë e të gjitha llojeve të vaksinave kundër Covid-19 për Skocinë, nga viti 2022 deri në maj 2023”.

Më pas në këtë dokument kërkohen detaje për sa i përket kartonëve të verdhë që janë lëshuar, si dhe reaksioneve serioze apo edhe humbjeve të jetës, për shkak të vaksinimit. Bazuar në këtë shkresë, pretendimi për mijëra viktima nga efektet anësore të vaksinimit nuk mund të provohet.

Duke verifikuar më tej informacionet zyrtare nga autoritetet shëndetësore britanike, të dhënat e fundit të bëra publike në mars të këtij vitit theksojnë se për Mbretërinë e Bashkuar, 4,096 kartonë të verdhë janë raportuar për vaksinën bivalente COVID-19 Pfizer/BioNTech, 5,108 për vaksinën bivalente COVID-19 Moderna, 57 për vaksinën COVID-19 Novavax dhe për 2,319 raportime të tjera nuk është specifikuar lloji i vaksinës. Në Skoci, numri i rasteve të dyshuara si pasoja anësore të vaksinimit nuk i kalonte 680 rastet, ashtu siç prezantohet në tabelën më poshtë.

Tabela me rastet e raportuara nga qytetarët, sipas agjencisë britanike

“Çdo qytetar ose profesionist i shëndetësisë mund të paraqesë efekte anësore të dyshuara përmes skemës së kartonit të verdhë. Natyra e raportimit të kartonit të verdhë do të thotë që ngjarjet e raportuara nuk janë gjithmonë efekte anësore të vërtetuara. Disa ngjarje mund të kenë ndodhur, pavarësisht nga vaksinimi. Ky është veçanërisht rasti kur miliona njerëz janë të vaksinuar dhe kur kryesisht vaksinat u jepen njerëzve më të moshuar dhe njerëzve që kanë sëmundje kronike”, thuhet në sqarimin e Medical & Healthcare Products Regulatory Agency.

Më tej sqarohet se: “Është e rëndësishme të theksohet se të dhënat e kartonit të verdhë nuk mund të përdoren për të nxjerrë shkallën e efekteve anësore ose për të krahasuar profilin e sigurisë së vaksinave të ndryshme COVID-19, pasi mund të ndikojnë shumë faktorë të tjerë”.

Kjo agjenci ashtu si çdo institucion serioz shëndetësor argumeton se vaksinimi është mënyra e vetme më efektive për të parandaluar vdekjet dhe përkeqësimin e gjendjes si pasojë e COVID-19.

Ndërsa, një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vitin 2021 tregonte se rreth 28 mijë persona, të moshës 60 vjeç e lart, ishin shpëtuar në Skoci falë vaksinimit kundër koronavirusit.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img