Festimet e kampionatit të futbollit në Algjeri ngatërrohen me bomdardimet në Izrael

693

Në rrjete sociale po qarkullon një video për të cilën njerëzit pretendojnë se tregon ndërtesa të djegura në Gaza nga bombardimet izraelite. Verifikimet tregojnë se në fakt imazhet nga klipi në fjalë janë të vitit 2020 të xhiruara gjatë festimeve për fitoren e një ekipi futbolli në Algjeri.  

“Ferri ka ardhur në Gaza për të qëndruar për një kohë, forcat ajrore izraelite bombardojnë qytetin”. 

Ky është një nga mesazhet që po përhapet së bashku me një video që  përdoruesit pretendojnë se tregon pamje nga luftimet Izrael – Palestinë. Video e shpërndarë në Tik Tok pretendohet se është xhiruar në Izrael dhe tregon se si bombardimet e Hamas po djegin ndërtesat atje. 

‘Shikoni 2 videot makabre, shikoni se si vret njeriu-njeriun dhe disi kështu stisen dhe krijohen luftrat nga qeveritë dhe liderat dhe pastaj dërgohen popujt që të vriten dhe theren me njëri-tjetrin.’, shkruan një përdoruese në rrjetin social facebook teksa ndan të njëjtën video. 

E vërteta është se imazhet e shkëputura në këtë klip nuk janë nga luftimet mes Izraelit dhe Palestinës. Kolegët tanë të verifikimit të fakteve në Spanjë Maldita.es kanë verifikuar videon. Verifikimet tregojnë se video që po shpërndahet masivisht i përket vitit 2020. 

Xhirimet janë regjistruar në Algjeri dhe imazhet tregojnë se si njerëzit atje kanë festuar për fitoren e një ndeshje futbolli. Zjarret e supozuara janë dritat e kuqe dhe fishekzjarrët që tifozët algjerianë kanë përdorur për të festuar titullin kampion të skuadrës Cr Belouizdad.

Videon origjinale mund ta gjeni këtu. Ajo është shpërndarë në youtube nga profili i Ultras Fanatics Red, mbështetës të zjarrtë të skuadrës së futbollit CR Belouizdad në Algjeri. Pamjet tregojnë festimet për titullin kampion që skuadra mori në kampionatin algjerian në gusht të 2020. Por ky nuk është i vetmi rast ku njerëzit në rrjet bien pre e pamjeve të rreme nga lufta mes Izraelit dhe Palestinës. 

Verifikimi dhe informimi I saktë për ngjarjet në Izrael dhe Palestinë është shumë I rëndësishëm pasi lajmet e rreme mund të krijojnë konfuzione dhe të nxisin urrejtje në opinionin publik mbi palët në konflikt. Verifikimi i lajmeve është kritik gjithashtu për të bërë dallimin mes propagandës dhe realitetit, pasi secila nga palët e përfshira në konflikt mund të përdorë rrjetet sociale për të shpërndarë propagandë dhe për të prezantuar një version të ngjarjeve që i favorizon ata.