Nga Jona Cenameri
Në fund të gushtit 2026, mediat në Shqipëri dhe rajon raportuan se Shqipëria, bashkë me Serbinë, ishte identifikuar si njëri prej dy shteteve që, sipas kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiç, po përgatisnin “veprimtari hibride” për të destabilizuar vendin fqinj.
Lajmi u përhap shpejt, mori tituj të ndryshëm dhe u shndërrua për disa ditë në çështje diplomatike mes Tiranës dhe Podgoricës.
Por vetë kryeministri malazez nuk e përmendi (deri në publikimin e këtij lajmi) emrin e Shqipërisë, ndërsa televizioni publik i Malit të Zi, RTCG, e ka mohuar shprehimisht që Shqipëria të ketë qenë objekt i deklaratës.
Çfarë tha kryeministri malazez Spajiç?
Më 27 gusht 2026, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, shkroi në rrjetin X se qeveria kishte “informacione serioze operacionale të sigurisë” për veprimtari hibride të koordinuara, ku përfshiheshin zyrtarë të “të paktën dy shteteve të rajonit”. Sipas tij, synimi ishte destabilizimi i Malit të Zi dhe pengimi i rrugës evropiane të vendit.
Në postim, Spajiç nuk përmendi Shqipërinë, Serbinë apo ndonjë shtet tjetër. Ai nuk identifikoi as zyrtarët që pretendonte se ishin përfshirë.
Nga “të paktën dy shtete” në “Shqipëria dhe Serbia”
Pas deklaratës së Spajiçit, media e njohur në Malin e Zi “Vijesti” publikoi artikullin me titull: “Serbia dhe Shqipëria janë shtetet të cilave ju referohej Spajiç kur foli për veprimtari hibride”. Fjalia që identifikonte dy vendet nuk ishte citim i kryeministrit. Gazeta shkruante se këtë e kishte mësuar “nga disa burime”, pa i identifikuar ato.
Të nesërmen, më 28 gusht, “Vijesti” e zgjeroi raportimin, duke shkruar se identifikimin e Serbisë dhe Shqipërisë ia kishin konfirmuar katër burime. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk u identifikua dhe burimet nuk pranuan të jepnin hollësi të tjera për operacionin e pretenduar hibrid. Zyra e kryeministrit nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetës se cilat shtete dhe cilët zyrtarë kishte pasur parasysh Spajiç. Vetë “Vijesti” sqaroi se informacionet e publikuara përfaqësonin “vlerësime sigurie dhe gjetje operative”, jo fakte të vërtetuara.
Në të njëjtin shkrim, “Vijesti” pranonte se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie të mira, janë aleate në NATO dhe, sipas Ministrisë së Jashtme malazeze, nuk kanë çështje të hapura dypalëshe.
Përfshirjen e Shqipërisë gazeta (në raportimin e dytë të saj) e lidhi kryesisht me avancimin e saj në negociatat me BE-në dhe me letrën e përbashkët Rama-Vuçiç për një model të përshpejtuar integrimi pa të drejta të plota.
Përveç avancimit në BE dhe letrës Rama-Vuçiç, gazeta përmendte se lidhja me Shqipërinë ka edhe një dimension të brendshëm politik: pozita e komunitetit shqiptar në Malin e Zi ndonjëherë shkakton tensione, ku si shembull sillet përplasja e fundit qeveritare për emërimin e drejtoreshës së shkollës në Ulqin.
Mediat shqiptare
Raportimi u përhap shpejt në mediat shqiptare. Në shumicën e rasteve, emërtimi i Shqipërisë dhe Serbisë iu atribuua “Vijesti-t”, por lidhja e drejtpërdrejtë mes deklaratës së Spajiçit dhe raportimit të gazetës malazeze krijoi shpesh përshtypjen se vendet ishin identifikuar nga vetë kryeministri.
Disa tituj shkuan më tej, duke e paraqitur si të mirëqenë jo vetëm përfshirjen e Shqipërisë, por edhe një bashkëpunim të koordinuar Tiranë-Beograd:
- Pse Rama bashkëpunon me Vuçiçin për destabilizimin e Malit të Zi?!
- “A po bashkëpunon Shqipëria me Beogradin për destabilizimin e Malit të Zi?!“
- “Pse Shqipëria bashkëpunon me Beogradin për destabilizimin e Malit të Zi?!“
- “Plani i errët i Tiranës dhe Beogradit për të fundosur Malin e Zi, Bytyçi: Bashkëpunimi Rama-Vuçiç i rrezikshëm për rajonin”
Reagimet nga Tirana
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, reagoi më 28 gusht. Ai tha se kishte parë deklaratën e Spajiçit dhe “interpretimet dhe aludimet e ndryshme mediatike” që pasuan. Pjesa thelbësore e reagimit të tij ishte: “Nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë”. Hoxha mohoi që Shqipëria të ishte ose të mund të ishte pjesë e një skenari destabilizues ndaj një vendi fqinj dhe aleat në NATO.
Gazment Bardhi i quajti raportimet “jashtëzakonisht serioze” dhe kërkoi që qeveria shqiptare t’i përgënjeshtronte menjëherë ose të sqaronte nëse kishte bazë konkrete.
Pandeli Majko kërkoi prova dhe sqarime institucionale nga Mali i Zi. Ai vuri në dukje se emrat e Shqipërisë dhe Serbisë vinin nga “Vijesti” dhe tha se, nëse pretendimet ishin reale, duhej të shoqëroheshin me komunikim diplomatik ose të trajtoheshin në strukturat e NATO-s; përndryshe mbeteshin të paprovuara.
Serbia dhe Kroacia
Përpara se RTCG të raportonte se Spajiç nuk kishte pasur parasysh Shqipërinë, një tjetër gazetë malazeze kishte publikuar një version të ndryshëm nga ai i “Vijesti”. Më 28 gusht, “Dan” shkroi se dy shtetet ishin Serbia dhe Kroacia. Edhe kjo gazetë iu referua “disa burimeve”, pa i identifikuar ato.
“Dan” shkroi se, pavarësisht se një ditë më parë ishte raportuar për Serbinë dhe Shqipërinë, sipas “informacioneve të besueshme” të gazetës, mesazhi i Spajiçit lidhej me veprimtarinë e zyrtarëve të Beogradit dhe Zagrebit. Vetë artikulli pranonte se kryeministri nuk i kishte përmendur emrat dhe nuk kishte përcaktuar rolin e pretenduar të dy shteteve.
Gazeta e shpjegoi përfshirjen e Kroacisë me kontekstin e negociatave të anëtarësimit. Si shtet anëtar i BE-së, Kroacia mund të ndikojë drejtpërdrejt në mbylljen e kapitujve, për të cilën kërkohet konsensusi i vendeve anëtare. “Dan” përmendi çështjet e hapura mes Podgoricës dhe Zagrebit: kufirin në Prevlakë, pronësinë e anijes stërvitore “Jadran”, dëmshpërblimin e ish-të burgosurve, personat e zhdukur, ndjekjen e krimeve të luftës, pretendimet pronësore të shtetasve kroatë, pllakën përkujtimore në Morinj dhe emrin e pishinës në Kotor. Marrëdhëniet u rënduan gjithashtu pas rezolutës së parlamentit malazez për Jasenovacin, Dachau-n dhe Mauthausen-in.
Këto mosmarrëveshje shpjegojnë pse emri i Kroacisë mund të dukej i besueshëm në interpretimin e “Dan”. Gazeta nuk publikoi prova që lidhnin zyrtarë kroatë me një operacion destabilizues.
Në këtë pikë qarkullonin, pra, dy versione të papajtueshme, të dyja të mbështetura në burime anonime: “Vijesti” raportonte Serbinë dhe Shqipërinë; “Dan” raportonte Serbinë dhe Kroacinë.
Versioni i Beogradit
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se nuk besonte se Serbia ishte një prej vendeve dhe se Spajiç “njëqind për qind” kishte menduar për Kroacinë, sepse Zagrebi mund t’i vendoste kushte Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në BE. Vuçiç tha se nuk e dinte cili ishte shteti tjetër.
Deklarata erdhi pas disa muajsh tensionesh të dukshme mes Podgoricës dhe Beogradit. Në qershor, Vuçiç kishte akuzuar Malin e Zi dhe mediat e tij për “luftë hibride” kundër Serbisë, akuzë që Ministria e Jashtme malazeze e hodhi poshtë si të pabazë. Në gusht, Spajiç dhe zyrtarë serbë shkëmbyen mesazhe publike mbi lidhjet e Beogradit me Rusinë dhe eksportet serbe të armëve.
Radio Crna Gora
Më 28 gusht, fqaja e webit e televizionit publik malazez RTCG publikoi një artikull me titull: “Katër burime, dy shtete dhe një dashuri e pazakontë” që rrëzonte pretendimin për Shqipërinë.
Duke cituar burime në nivelet e larta të ekzekutivit, RTCG shkroi se “Spajiç nuk kishte parasysh Shqipërinë”. Sipas të njëjtit artikull, kryeministri Edi Rama kërkoi drejtpërdrejt sqarime nga qeveria malazeze për origjinën e informacionit. Sipas RTCG nga Podgorica atij iu komunikua se pretendimi për Shqipërinë nuk ishte i vërtetë.
“Pra, ‘informacioni’ i publikuar në media i kapërceu kufijtë dhe u shndërrua në një çështje diplomatike. Burimi i këtij informacioni ishte “Vijesti”, shkrun RTCG.
Konteksti
Postimi i Spajiçit e lidhte vetë paralajmërimin me mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian. Mali i Zi është vendi më i avancuar i rajonit në negociatat e anëtarësimit: ka hapur të gjithë 33 kapitujt dhe, sipas Komisionit Evropian, 18 prej tyre janë mbyllur përkohësisht.
Pesë ditë më parë, më 22 gusht, gazeta “Pobjeda” kishte raportuar për një plan të përshpejtuar të BE-së: mbylljen e kapitujve të mbetur deri në fund të vitit dhe përgatitjen e një drafti të parë të traktatit të anëtarësimit deri në fund të shtatorit. Po sipas burimeve anonime të gazetës nga Komisioni Evropian, Mali i Zi po përballej me ndikim hibrid rajonal “kryesisht nga Serbia”, që mund të synonte ngadalësimin e rrugës evropiane.
Qeveria e Spajiçit është formuar me mbështetjen parlamentare të koalicionit pro-serb dhe pro-rus “Për një Mal të Zi më të mirë”, i udhëhequr nga Andrija Mandiç, një detaj që e bën më kompleks çdo narrativ të thjeshtuar “kush destabilizon kë” brenda vetë politikës malazeze.
Digital Forensic Center
Analisti i Digital Forensic Center, Marko Banoviç, ofroi një shpjegim për deklaratën e Spajiç: kërcënimet hibride nuk janë fenomen i ri në Malin e Zi; fakti që Spajiç i ngriti tani mund të tregojë intensifikim të tyre ose se kryeministri ishte bërë vetë objektiv. Banoviç paralajmëroi se mosidentifikimi i shteteve e zhvendosi vëmendjen nga pyetja kryesore: çfarë provash kanë institucionet? dhe çfarë po bëjnë ato? tek pyetja për emrat e shteteve.
Ai shtoi se analizat shumëvjeçare të DFC-së e identifikojnë Serbinë si aktorin kryesor të ndikimit hibrid ndaj Malit të Zi, ndërsa nuk kanë regjistruar Shqipërinë ose Kroacinë si burime të një ndikimi të tillë.
“Vijesti” vetë raportoi më 29 gusht se institucionet kompetente nuk kishin dhënë përgjigje zyrtare për pretendimet e kryeministrit. Ekspertët e cituar prej gazetës argumentuan se një deklaratë në X nuk mjafton kur bëhet fjalë për një kërcënim kaq serioz dhe se institucionet duhet të sqarojnë nëse kanë prova dhe çfarë masash kanë marrë.
Presidenti malazez
Presidenti Jakov Milatoviç reagoi më 28 gusht, duke i cilësuar pretendimet e Spajiçit “shumë, shumë serioze” dhe duke kërkuar nga drejtuesit e sektorit të sigurisë informacion të saktë dhe një vlerësim të plotë të situatës. Kabineti presidencial njoftoi se për 31 gusht do të thirrej një mbledhje urgjente e Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë. Mbledhja, megjithatë, u shty. Sipas RTCG-së, qëndrimi i qeverisë ishte që çështja të shqyrtohej fillimisht nga Këshilli për Sigurinë Kombëtare, i drejtuar nga kryeministri Spajiç.
“Duke pasur parasysh pretendimet e bëra nga kryeministri, ngrihet pyetja se çfarë po bëjnë institucionet kompetente në këtë drejtim. Shqetësim shtesë shkaktojnë pretendimet mediatike se një zyrtar i lartë i qeverisë është nën ndikimin e personave nga strukturat kriminale”, u shpreh presidenti malazez.
Kabineti presidencial kërkoi që të bëhej publik identiteti i zyrtarit dhe të përcaktohej përgjegjësia, nëse informacionet për ndikimin e pretenduar kriminal ishin të njohura gjatë emërimit ose ushtrimit të detyrës. Milatoviç paralajmëroi gjithashtu se çështje kaq serioze të sigurisë nuk duhet të përdoren për përplasje politike të ditës.
Deri në një sqarim zyrtar dhe të dokumentuar nga Podgorica, përfshirja e Shqipërisë mbetet një pretendim mediatik i pakonfirmuar.






