EDIT NIKOLLI
Që prej shfaqjes së Covid-19, Ministria e Shëndetësisë nuk ndalet së apeluari për mbajtjen e maskës dhe respektimin e distancimit social, për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Por të parët që po shkelin këtë rregull janë politikanët, me daljet e tyre publike. Më 15 tetor hyri në fuqi Akti Normativ për mbajtjen me detyrim të maskave edhe në rrugë, përveçse në mjediset e mbyllura (përjashtuar shtëpinë). Në 4 ditë janë vendosur 1546 gjoba për të ‘pabindurit’. Po politikanët dhe ligjvënësit e pabindur ndaj këtyre rregullave, kush i ndëshkon?
Ministria e Shëndetësisë çdo ditë përsërit publikisht, se e vetmja mundësi për të parandaluar përhapjen e virusit nga infeksioni është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, vendosja e maskës në vende të mbyllura si dhe në ato momente kur nuk mund të mbahet distanca dhe së fundi edhe në rrugë.
“Faktoje” edhe më parë ka shkruar për politikanët ‘dhunues’ të rregullave anti-covid (https://faktoje.al/kush-po-e-promovon-thyerjen-e-rregullave-per-distancimin-social/).
Ne iu rikthyem kësaj teme me ashpërsimin e masave parandaluese ndaj pandemisë, duke vëzhguar sesi kanë reaguar politikanët prej 15 tetorit e në vazhdim. Në të njëjtën ditë kur hyri në fuqi akti normativ për mbajtjen e maskave kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ‘promovoi padashje’ shkeljen e tij.
Statusi i Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj në 15 tetor
Më 15 tetor ai, ndërsa prezantoi në fushatën e tij dy artistë shqiptarë, harroi respektimin e distancimit social dhe mbajtjen e detyruar të maskës. Fotot e shpërndara në rrjetet sociale e dëshmuan këtë.
E habitshme që më pak se një orë nga publikimi, statusi ishte ndryshuar dhe fotot e kryebashkiakut dhe pjesëmarrësve pa maska, ishin zëvendësuar me foto të tjera.
Statusi i ndryshuar i Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj 15 tetor
Presidenti me znj. Maria Royce
Edhe Presidenti Ilir Meta më datë 15 tetor takoi Sekretaren e Departamentit Amerikan të Shtetit për Arsimin dhe Kulturën, znj.Maria Royce, por ndryshe nga mysafirja nuk mbajti maskë gjatë gjithë takimit edhe pse gjatë daljeve publike u bën thirrje qytetarëve ta mbajnë maskën dhe respektojnë rregullat anticovid.
Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi me gratë në Durrës 18 tetor
Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi gjatë një takimi me gratë në Durrës në 18 tetor nuk mbante maskë, pavarësisht detyrimit ligjor.
Kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi
Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, gjatë një takimi ku vlerësoi me çertifikatë mirënjohjeje dy veteranë të luftës, nuk mbante maskë, ndryshe nga pjesëmarrësit e moshuar që po e respektonin protokollin, të paktën deri në momëntin që Subashi u shtrëngoi duart.
Po atë ditë u mbajt seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë, një rast i mirë që ligjvënësit mund ta përdornin për të promovuar respektimin e aktit të ri normativ dhe protokollit ekzistues anti-covid. Por disa deputetë shkelën rregullat publikisht. Të paktën atë ditë shkelja e aktit u ndëshkua sipas ligjit për deputetet si: Kujtim Gjuzi, Florenc Spaho si dhe Alban Zenelaj. Siç raportoi dhe Policia e Shtetit ditën e pare të vëndosjes së ligjit.
Faktoje përmes një ankete në rrjetet sociale, pyeti ndjekësit nëse po i respektonin politikanët masat anti-Covid. 94 për qind e tyre janë përgjigjur se politikanët nuk po i respektojnë rregullat anticovid, kundrejt 6 për qind që mendojnë se po.
Rezultati i Pyetësorit nga “Faktoje”
Si ndihet një qytetar i cili ndëshkohet me gjobë nëse thyen protokollin, kur sheh se politikanët vendimmarrës nuk preken nga të njëjtat detyrime?
Sipas raportimeve zyrtare, që prej 15 tetorit kur hyri në fuqi akti normativ për mbajtjen me detyrim të maskës edhe në rrugë, janë vendosur 1546 gjoba me vlerën 3.000 lekë.
Përtej ndëshkueshmërisë me dy standarde, çfarë pritet të ndodhë kur ende pa nisur zyrtarisht fushata për zgjedhjet e përgjithshme po mbahen takime të shpeshta të politikanëve të cilët po aq shpesh thyejnë detyrimet ligjore për protokollin anticovid?
“Faktoje” e pyeti MSH nëse ka parashikuar një plan për garantimin e respektimit të rregullave anticovid, sidomos në kohën e fushatës, kur parashikohen grumbullime për shkak të takimeve elektorale.
Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë
Ministria e Shëndetësisë nuk na dha një përgjigje edhe pas skadimit të afatit të paracaktuar nga ligji për të drejtën e informimit.
Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në rrjetin social në facebook postoi një video ndërgjegjësuese përmes zërit të epidemiologut Dr.Tritani cili bën këtë thirrje:
“Për të mbyllur mundësinë e përhapjes së infeksionëve në popullatë, një nga mënyrat për të mbyllur ose për të pakësuar rrezikun e infeksionit është pikërisht mbyllja e hyrjes së mikroorganizmave të Sars-Cov2, në rrugët tona të sipërme respiratore dhe mbajtja e një maske për të pakësuar sasinë e depërtimit të virusit në organizmin tonë, por dhe mundësine e transmetimit dhe largimit të ketij virusi nepërmjet këtij filtri që quhet mbulese e fytyrës.”
A u ndërgjegjësuan politikanët nga ky apel?!