.

.

BallinaPertejKu “çalon” respektimi i të drejtave të emigrantëve, refugjatëve dhe azilkërkuesve në Shqipëri?

Ku “çalon” respektimi i të drejtave të emigrantëve, refugjatëve dhe azilkërkuesve në Shqipëri?

Dëbimi i mësuesit turk, Harun Çelik, ngriti shqetësimin për shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Ministri i Brendshëm, Lleshaj argumentoi se dëbimi i tij nga Shqipëria ishte i ligjshëm. Organizatat e të Drejtave të Njeriut kërkuan rishikimin e zbatueshmërisë së ligjit për të drejtat e emigrantëve, refugjatëve dhe azilkërkuesve në Shqipëri. Në përgjithësi, sa respektohen të drejtat dhe liritë e kësaj kategori në vendin tonë?


Azil-azil” ishte togfjalëshi i thirrjes që dëgjohej nga makina e policisë që shoqëroi mësuesin turk, Harun Çelik në mbrëmjen e 1 janarit 2020. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në emisionin “Kapital” në Vizion Plus, deklaroi se dëbimi i Çelik ishte amplifikuar nga media, e cila sipas tij publikoi fakte të pasakta. Ministri i Brendshëm, Lleshaj deklaroi se shtetasi Çelik nuk kishte bërë kërkesë për azil me shkrim dhe për këtë shkak, dëbimi i tij nga Shqipëria ishte i ligjshëm.

Letërnjoftimi i Harun Çelik dhe pamje nga momenti i dëbimit

Ne nuk kemi asnjë dokument, të paktën kaq sa unë jam informuar, nga Polica e Shtetit, nuk ekziston asnjë dokument që të provojë që qytetari turk ka aplikuar apo ka kërkuar azil. Kërkesat për azil nuk janë verbale, kërkesat për azil janë të shkruara dhe unë nuk di që të ketë pasur një dokument të tillë“, – deklaroi Lleshaj.

Por deklarata e Lleshajt rezulton e pasaktë. Në ligjin Nr. 121/2014 “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 3, pika b thuhet shprehimisht: “Kërkesë për azil” është çdo deklaratë e të huajit ose personit pa shtetësi, e shprehur në çfarëdolloj mënyre e në çfarëdo kohë përpara autoriteteve kompetente në pikat e kalimit kufitar apo brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, i cili kërkon mbrojtje ndërkombëtare, sipas konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit shqiptar”.

A tregon rasti i Çelik se respektimi i të drejtave të emigrantëve, refugjatëve dhe azilkërkuesve çalon në Shqipëri?

Shqipëria konsiderohet si vend pritës tranzitor i flukseve të emigrantëve nga Lindja e Mesme apo Azia. Organizata për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht ato me fokus emigrantët, refugjatët dhe azilkërkuesit, po kërkojnë rritjen e kapaciteteve infrastrukturore dhe burimeve njerëzore për ofrimin e ndihmës për flukset e mundshme migratore. Aktivistë të drejtave të njeriut pranojnë se ligji mbi refugjatët dhe azil-kërkuesit është i qartë, por në zbatimin e tij hasen edhe problematika.

Në një raport të Komitetit Shqiptar të Helsinkit në kuadër të projektit ‘Kontribut për një respektim më të mirë të të drejtave të azilkërkuesve dhe refugjatëve në Shqipëri”,dalin problematika nga ato infrastrukturore deri te burimet njerëzore lidhur me trajtimin e kërkesave të kësaj kategorie.

Gjatë monitorimit në PKK-at Hani i Hotit, Muriqan, Kapshticë, Kakavijë dhe Stacioni i Kufirit Gosë, u vërejtën vakanca në organikë lidhur me pozicionin e efektivëve, të kontrollorit, trupës së shërbimit etj”, – evidentohet në raportin e KSHH.

Komiteti Shqiptar i Helsinik raporton gjithashtu problematika që lidhen me dokumentimin dhe regjistrimin e të dhënave personale.

U konstatuan mungesa në evidentimin e të dhënave në formatin e regjistrave në procedurën e intervistimit të shtetasve të huaj migrantë, si dhe për rastet e shtetasve shqiptarë që bien nën kategoritë INAD/DEPORTIV. Një rast i tillë u konstatua edhe në Stacionin e Kufirit Gosë ku dokumentimi bëhej elektronikisht ndërsa regjistrat nuk ishin të përshtatur me formatet e përcaktuara nga Ministria e Brendshme,” – theksohet në raportin e KSHH.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit pasqyron problemet e raportuara nga organizatat përkatëse dhe rekomandon më shumë vëmendje në respektimin e të drejtave të emigrantëve, refugjatëve dhe azilkërkuesve në Shqipëri.

Pati raportime të besueshme nga OJQ-të, migrantët dhe azilkërkuesit se autoritetet nuk ndiqnin procesin e duhur për disa azilkërkues dhe se në raste të tjera, ata që kërkonin azil nuk kishin akses në sistem”, – thuhet në “Raportin për të Drejtat e Njeriut 2019” të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ligji për azilin iu kërkon autoriteteve të akordojnë apo të mohojnë azilin brenda 51 ditësh nga kërkesa fillestare e aplikantit. Sipas ligjit, azilkërkuesit nuk mund të përballen me padi penale për hyrje të paligjshme nëse kontaktojnë autoritetet brenda 10 ditësh nga mbërritja e tyre në vend. UNHCR raportoi se sistemit të azilit i mungonte monitorimi i efektshëm”, theksohet në raportin e DASH.

Qendër pritëse e emigrantëve

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, IOM në “Strategjinë Kombëtare për Migracionin dhe Plani i Veprimit 2019–2022” kërkon rishikimin e kushteve dhe kapaciteteve nga Qeveria e Shqipërisë për sa i përket përballimit të flukseve migratore.

Rritja e numrit të refugjatëve dhe të imigrantëve ka nxitur nevojën për rritjen e kapacitetit të pritjes së azilkërkuesve dhe migrantëve në Tiranë dhe në kufij. Kapaciteti i përgjithshëm pritës në vend është 400 dhe deri tani ka qenë i mjaftueshëm duke pasur parasysh natyrën e përkohshme të lëvizjes, por do të ishte i pamjaftueshëm nëse rritet numri i personave që qëndrojnë në vend. Nuk ka streha të specializuara për gratë dhe fëmijët në rrezik, ndërkohë që referimet në qendrat rezidenciale të kujdesit të menaxhuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale kanë rezultuar të vështira për shtetasit e huaj,”- thuhet në raportin e IOM.

Juristi dhe profesori i të Drejtave të Njeriut, të Drejtës Kushtetuese dhe Procedurës Penale, Jordan Daci, në një prononcim për “Faktojen”u shpreh se ligji mbi refugjatët dhe azil-kërkuesit është i qartë, por praktika ka paraqitur problem në disa raste.

Në praktikën time nuk kam hasur probleme të karakterit ligjor për këtë kategori ashtu edhe për statusin e të huajve në tërësi. Nga analiza e këtyre rasteve del e nevojshme që të bëjmë disa ndërhyrje në ligj për të përmirësuar garantimin e të drejtës për t’u ndihmuar falas me përkthyes për azilkërkuesit, si për të garantuar edhe të drejtën e tyre për t’u ndihmuar në mënyrë të detyrueshme nga një avokat i licencuar, – u shpreh juristi Daci.

Është shumë e nevojshme të punohet për ngritjen e ndërgjegjësimit dhe organizimin e trajnimeve të posaçme të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve për çështjet e refugjatëve dhe azilkërkuesve, duke përfshirë domosdoshmërinë e shmangies së dënimit penal për ato që përdorin dokumente të falsifikuara për të hyrë dhe qëndruar ilegalisht në vendin tonë”, – shtoi Daci.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img