Të premten e 10 prillit, kryeministri Edi Rama lajmëroi se prej ditës së hënë, 13 prill do publikohej plani i riatdhesimit të shtetasve shqiptarë të mbetur jashtë kufiljve. Rama sqaroi se hapja do jetë graduale dhe cilido i riatdhesuar do vetëkarantinohet për 14 ditë, në kushte sigurie. Afati i paralajmëruar nga kryeministri Rama kaloi, por plani ende nuk është bërë publik. Një deklaratë të ngjashme Rama e kishte bërë edhe më herët, duke e shkelur për të dytën herë zotimin.
Bllokimi i kufijve me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit “Covid-19” bëri që shumë shtatas shqiptarë, rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në vende të tjera të bllokoheshin pa patur mundësinë e hyrjes në vend.
Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” më 10 prill, kryeministri Rama deklaroi se të hënën, më 13 prill do publikohej plani i riatdhesimit.
“Duke ju kërkuar 1000 herë ndjesë të gjithë atyre që janë rezidentë në Shqipëri dhe për arsyen madhore të mbrojtjes së popullit e të vendit tonë nga agresioni i armikut të padukshëm, kanë mbetur jashtë kufijve të mbyllur, si edhe duke u nisur nga mbajtja nën kontroll e kurbës së infeksionit deri tani, jemi gati të publikojmë të hënën planin e një hapjeje shumë graduale të rrugës së riatdhesimit, me kushtet përkatëse detyruese të karantinimit 14 ditor, nën rregulla të forta sigurie”, – shkroi Rama
Më herët, në 2 prill, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informoi të gjithë qytetarët shqiptarë të bllokuar jashtë kufijve të vendit, se plani i riatdhesimit ishte mbyllur me fluturimin e bërë nga Roma një ditë më herët.
Emigrantët shqiptarë të mbetur jashtë kufijve vijojnë të kërkojnë të rikthehen në vend. Pas bllokimit në tokën neutrale mes Shqipërisë dhe Greqisë së 27 shtatasve shqiptarë, mediat vijojnë të raportojnë edhe raste të tjera të qytetarëve të bllokuar në kufij. Edhe kryeministri Rama ka pranuar vështirësitë që po hasin qytetarët shqiptarë të bllokuar jashtë kufijve dhe ka premtuar publikimin e planit konkret të riatdhesimit.
Por ndryshe nga sa kryeministri Rama njoftoi, ditën e hënë, nuk u publikua një plan i mundshëm mbi procesin e riatdhesimit të shtetasve shqiptarë të mbetur jashtë kufijve. Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të “paketës së zgjeruar ekonomike” dje, ceku edhe çështjen e riatdhesimit të shtetasve shqiptarë të bllokuar jashtë kufijve duke e “shtyrë’ planin konkret të riatdhesimit për ditën e sotme.
“Ne kemi gati dhe planin për të hapur planin e riatdhesimit, nesër do të bëjmë publike modalitetet dhe sipas gjasave të shtunën e kësaj jave do të nisim fluturimet nga Roma. Do prenotojnë vetë hotelin përkatës si struktura karantine. Këtë luftë kemi vetëm një rrugë. Atë që duhet si rruga më e gjatë, kjo është rruga ta fitojmë me nder dhe shëndet. Për ata që është kaq e vështirë, besoj se duke parë vendet e tjera dhe duke parë familjen përditë, besoj se rrugë më të drejtë se kjo nuk ka! Prandaj durim, besim dhe kurajo, më herët se vonë ne do të ndihemi të gjithë krenarë,” – u shpreh Rama.
Deklaratën e kryeministrit Rama, referuar afatit nga vetë ai i përcaktuar, do e kategorizojmë për të dytën herë si “Premtim i pambajtur”