.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaKryeministri Rama shkel sërish afatet për pagën e parë të luftës

Kryeministri Rama shkel sërish afatet për pagën e parë të luftës

Paketa e parë financiare do të siguronte pagë lufte për rreth 60 mijë persona, ashtu siç është shprehur kryeministri Rama. Pak ditë më parë, më 16 prill, ai vendosi si afat për shpërndarjen e pagave fillimin e kësaj jave. Ndërsa i drejtohemi fundit të javës, a ka mbërritur paga tek të gjithë personat e identifikuar për ta marrë?


Prej më shumë se 1 muaji, që nga data 17 mars, kryeministri Rama ka dhënë disa afate për pagën e luftës, miratimi dhe dhënia e së cilës është shtyrë më shumë se një herë.

Më 17 mars, kryeministri Rama dha afatin e parë, me fundin e muajit mars si periudha në të cilën paga do t’u shkonte të gjithë atyre që qëndronin në shtëpi si pasojë e mbylljes së biznesit ku punonin. Dy ditë më vonë, më 19 mars, kreu i qeverisë bëri publike paketën e parë financiare, duke përcaktuar një page lufte prej 26 mijë lekësh për të punësuarit në biznesin e vogël.

Afati i dytë i dhënë nga kryeministri ishte jo për shpërndarjen, por për miratimin e pagave të luftës. Të hënën e datës 6 prill zoti Rama tha se brenda asaj jave do të miratohej dhënia e pagës së luftës për 60442 persona. Por në fillimin e javës pasardhëse, më 13 prill, drejtoresha e tatimeve znj. Delina Ibrahimaj tha se mbeteshin pa verifikuar thuajse 30 mijë të punësuar.

Gjatë po asaj jave, më 16 prill, kryeministri Rama gjatë një interviste për emisionin “Opinion” , duke folur për pagat e luftës, dha një afat për likuidimin e plotë të tyre.

“Sipas informacionit të fundit që unë kam marrë sot, praktikisht, në fillim të javës së ardhshme do jenë të gjithë të likuiduar”, tha ai.

Në fillimin e javës pasardhëse, të martën e datës 21 prill, kryeministri Rama foli sërish për pagën e luftës gjatë një komunikimi me qytetarët në faqen e tij në Facebook. Ai dha shifra të përditësuara mbi numrin e atyre që e kishin përfituar pagën e luftës, duke kërkuar ndjesë për vonesën dhe vendosur edhe një afat të ri.

“Sot ka shkuar në 52 mijë numri i atyre që kanë përfituar pagën e luftës. Deri ditën e premte kryejmë rreth 8 mijë verifikimet e fundit, plus dhe shqyrtimi i ankesave që mbyll dhe transhën e parë të paketës së parë.”, tha zoti Rama.

Këtë qëndrim ai e përforcoi edhe ditën e nesërme, më 22 prill, ku iu rikthye edhe një herë pagës së luftës nga paketa e parë ekonomike.

“Brenda javës mbyllen verifikimet e ankimimeve për paketën e parë, nga ku priten disa mijëra përfitues të tjerë”, tha zoti Rama.

Të premten e datës 24 prill, ditë në të cilën kryeministri Rama kishte vendosur afatin e radhës për mbylljen e transhës së parë të paketës së parë, zhvilloi një tjetër bashkëbisedim me qytetarët në Facebook. Duke folur për pagën e parë të luftës, ai bëri me dije se ishin dërguar në llogaritë e qytetarëve pak më shumë se 54 mijë paga lufte, nga 52 mijë që ishin ditën e martë.

“Tani që flasim, përpara se të vija këtu, 54,243 pagesa nga paketa e parë janë në kontot e personave. Sic ju kam thënë, faza e verifikimit të një pjese prej disa mijërash vazhdon.”, tha ai.

Duke u mbështetur në fjalët e kreut të qeverisë, nuk kanë arritur ende të kryhen 8 mijë verifikimet e fundit deri ditën e sotme, por kjo fazë po vazhdon. Nga numri total i përfituesve të shpallur nga kryeministri Rama, 60,442, mbeten ende pa përfituar rreth 6 mijë persona.

Në këtë mënyrë, dy afatet e tjera që kryeministri ka vendosur për këtë javë, likuidimi i plotë brenda ditës së martë i pagave të luftës dhe mbyllja e transhës së parë të paketës së parë brenda ditës së premte, nuk janë respektuar.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img