.

.

BallinaFaktometerE Pavërtetë“Kriza e vajit”, shifrat e INSTAT dhe importuesit: Nuk ka vend për panik

“Kriza e vajit”, shifrat e INSTAT dhe importuesit: Nuk ka vend për panik

Rusia dhe Ukraina vijojnë të jenë dy eksportuesit kryesorë të vajit në vend, pavarësisht luftës mes dy shteteve. Të dhënat e INSTAT të përpunuara nga Faktoje, pas alarmit të ngritur nga importuesit se vendi po rrezikon të mos ketë vaj në treg, tregojnë se në 4 muajt e parë të këtij viti, importi i vajit në total ka rënë vetëm 2%. Të dhënat gjithashtu tregojnë se çmimi i importit për njësi është rritur me 30%, por paniku për krizën e vajit pranohet dhe nga industria e importit që ishte i nxituar.

Në fund të muajit prill, importuesit e vajit në Shqipëri ngritën alarmin se vendi po shkonte drejt një krize për vaj.

“Po shkojmë rreth një situate që rrezikohet të mos ketë vaj në treg duke nisur nga stina e verës. Për këtë arsye importuesit së shpejti do të intensifikojmë kërkesat për rishikim të çmimit nga Bordi i Transparencës, pasi përveçse jemi në vështirësi të gjetjes të mallit, nuk kemi likuiditet për blerje”, deklaroi për “Monitor” një nga importuesit e mëdhenj të vajit të lulediellit më 28 prill.

Lajmi u përhap masivisht më mediat online në vendin tonë dhe në shumë raste titujt e tyre krijonin panik se ky produkt ishte në sasi të limituara në treg dhe shumë shpejt do të kishte mungesë të vajit në tregun tonë.

Lajmi i pasqyruar në media shqiptare

Në disa media, ky lajm u pasqyruar me “tituj bombastik”, duke ngjallur edhe panik te qytetarët për “nisjen e një krize” për një prej produkteve kryesore të shportës së ushqimeve.

Lajmi i pasqyruar në media

Lajmi i pasqyruar në media

Me anë të një kërkimi të thjeshtë në Google, duket qartë që ky lajm është pasqyruar gjerësisht në media.

Screenshot nga kërkimi në Google

Komentet e qytetarëve pas pasqyrimit të këtij lajmi ishin të shumta, ku një pjesë ngrinin shqetësimin për “krizën” që po i kanoset vendit dhe botës, ndërsa të tjerë besonin se këto lajme janë një mënyrë për të përhapur panik.

Screenshot nga komentet e qytetarëve

Screenshot nga komentet e qytetarëve

Screenshot nga komentet e qytetarëve

Screenshot nga komentet e qytetarëve

Po çfarë thonë shifrat?

Faktoje bëri një verifikim në lidhje me sasinë e importit të vajit në 4 muajt e parë të këtij viti duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, për të parë si është situata dhe nga cilat shtetet ne e importojmë më së shumti këtë produkt, që përdoret shumë në tryezat tona.

Referuar të dhënave zyrtare nga INSTAT dhe të përpunuara nga Faktoje, rezulton se sasia më e madhe e vajit imprtohet nga Rusia, ndjekur më pas nga Ukraina, Maqedonia e Veriut, Hungaria, Italia, Indonezia, Greqia, Serbia, Turqia, Kosova.

Vlen të theksohet se importi i këtij produkti në 4 muajt e parë të vitit 2021, krahasuar me 4 muajt e parë të 2022 ka një rënie të papërfillshme, vetëm 2% në total, ndërsa çmimi i importit për njësi është rritur me 30%, krahasuar me 4 muajt e parë të vitit 2021.

Sipas të dhënave, importi nga Rusia për këtë produkt në 2022 ka rënë më 1% krahasuar me një vit më parë, ndërsa nga Ukraina rënia është me 15%.

Tabela e përpunuar nga Faktoje referuar të dhënave nga INSTAT

Nga tabela vihet re se për importet që vijnë nga dy shtetet kryesore, si Rusia dhe Ukraina, çmimi për njësi është nën çmimin mesatar.

Gjithashtu, sipas këtyre të dhënave vihet re se ka një rritje të madhe të importit të vajit nga Franca, Bullgaria, Spanja, Australia apo edhe Koreja e Jugut.

Tabela e përpunuar nga Faktoje referuar të dhënave nga INSTAT

Në lidhje me sasinë e vajit të importuar nga Rusia dhe Ukraina, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave më 17 maj. Jemi ende në pritje të një përgjigje nga ky institucion, duke respektuar afatet ligjore për të drejtën e informimit.

Kërkesa për informacion dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, 17 maj 2022

Industria e importit: Mediat krijuan panik me lajme të rreme

Lidhur me këto lajme, drejtuesi i Unionit Tregtar Agroushqimor i tha “Zërit të Amerikës” se ato nuk ishin të vërteta  dhe se paniku tek qytetarët që nxituan të furnizohen në tregje, u nxit nga media përmes komenteve dhe analizave që nuk mbështeteshin në fakte.

“Industria jonë u vu në vështirësi, sepse duhet të prodhonim mbi kapacitetet tona. Raftet boshatiseshin në markete. Ndoshta ky fakenews ka qenë ngaqë janë trembur vetë gazetarët. Dëmi është shumë i madh, sepse këto janë elementë të sigurisë kombëtare.

Ne e kemi ndjerë shumë vështirësinë, të paktën ato 15 ditët e para pas fillimit të luftës në Ukrainë. Më vonë u qetësuan. Ajo që thoshim ne ishte një gjë reale. Ne kishim kontratat në dorë që mund t’i bënim në Francë, Rumani, Hungari dhe Serbi. E vetmja gjë që u shpjeguam njerëzve ishte që do ketë rritje çmimi dhe kjo ndodhi”, tha Theodhor Kristuli, Kryetar i Unionit Tregëtar Agroushqimor.

Rritja e çmimit të vajit

Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, çmimi i vajit në muajin prill të këtij viti ishte 24.2 për qind më i lartë se një vit më parë në të njëjtën periudhë.

“Ka një tendencë paniku dhe kjo ka çuar tregtarët që të abuzojnë me çmimet”, thekson eksperti i ekonomisë  Klodian Muço.

Në muajin mars, Faktoje raportoi se çmimi i vajit në supermarkete varionte nga 309 -335 lekë të reja.

Çmimi i vajit në një market në Tiranë, 19 mars 2022

Në muajin prill, ky produkt shte 319 lekë për litër, por ndryshonte në varësi të firmës prodhuese.

Çmimi i vajit në një market në Tiranë, 17 prill 2022

Ndërkohë, gjatë një verifikimi që Faktoje bëri në fund të muajit maj në një prej marketeve në Tiranë, vihej re se çmimi i vajit kishte arritur në 390 lekë.

Çmimi i vajit në një market në Tiranë, 31 maj 2022

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img