Geri Emiri

Hapja e “Eko Parkut” më 1 qershor përgjatë dy viteve, 2021 dhe 2022, në fushën kur dikur ishte vendgrumbullimi i mbetjeve urbane të Durrësit dhe Shijakut, është premtuar nga kryeministri Rama dhe kryebashkiakia e Durrësit, Emiriana Sako. Sot dhe pse vepra ka përfunduar, ajo qëndron ende e mbyllur për publikun në prijet të përurimit.

PORTO-ROMANO, DURRËS

Grupi i fëmijëve pasi ka përshkruar autostradën që lidh tashmë Porto-Romanon me Durrësin e më tej gjithë Shqipërinë, ndalet pranë zinxhirit që mban të varur tabelën me mbishkrimin, “Ndalohet hyrja”.

Nënat i kanë shtyrë në rresht të dytë dhe gati njëzëri drejtojnë lutje për hyrje në “Eko Parkun e Porto-Romanos”. Punonjësit e sigurisë çarmatosen shpejt përballë lutjeve të fëmijëve. Duke përsëritur disa herë thirrjet për kujdes të lartë dhe rrezikun e aksidentimit gjatë lojërave, burrat me ngurrim i hapin rrugën grupit të zhurmshëm të rreth 15 fëmijëve.

Dikur shërbente si pika e grumbullimit të mbetjeve urbane për bashkitë Durrës e Shijak, ndërsa sot zona ka marrë një pamje krejt tjetër. Me 6 fusha sportive, kënd lodrash dhe hapësira rekreative, fëmijët nuk i rezistojnë tundimit për ta vizituar në ilegalitet.

Përfundimi i punimeve dhe inagurimi i “Eko Parkut” është premtuar disa herë nga kryeministri Rama dhe kryebashkiakia e Durrësit, Emiriana Sako.

Për Sakon hapja e parkut më 1 qershor të këtij viti ishte premtimi elektoral që i dha banorëve të zonës së “Durrësit të Ri”, që përfshin Ish-Kënetën, Spitallën dhe Porto-Romanon, në disa takime që zhvilloi me ta.

“Dhe ne do të inagurojmë atë park më 1 qershor. Ndërkohë ata që deshën plehrat për Durrësin, ata që deshën Porto-Romanon si një zonë ku depozitoheshin mbetjet, do ta marrin përgjigjen më 6 mars…”, deklaroi ajo më 3 mars të këtij viti.

Emiriana Sako fitoi shumicën e votave për tu zgjedhur si kryetare e Bashkisë Durrës, por “Eko Parku” vijon të jetë i mbyllur zyrtarisht për vizitorët dhe pret hapjen e tij zyrtare.

Hyrja e Eko Parkut në Porto-Romano, Durrës. Foto Geri Emiri/ Media Amfora

 

Procedura të nxituara, por premtime të vonuara

Banorët e zonës së Porto-Romanos dhe jo vetëm kujtojnë ditët kur në territorin e “Eko Parkut” lëshoheshin pandërprerë shtëllungat e mbetjeve urbane që digjeshin në qiell të hapur.

“Shumë bukur krahasuar me çfarë ka qenë dikur. Nuk ma ka marrë mendja se do të bëhet kështu, asnjëherë”, komenton për Median Amfora, Lindita Doda, banore e zonës.

Ajo së bashku me fëmijët dhe fqinjët po e vizitojnë për herë të parë “Eko Parkun” nga brenda, pavarësisht se zyrtarisht ndalohet hyrja në të.

E gjendur rreth 4 kilometra larg qytetit, fusha shërbeu në dekada për depozitimin dhe djegien e mbetjeve në një sipërfaqe rreth 80.000 m2, të mbushur me mbeturina urbane, inerte, mbetje të rrezikshme dhe kafshë të ngordhura.

Në qershor të vitit 2018 kryeministri Edi Rama artikuloi për herë të parë publikisht idenë e ndërtimit të Eko Parkut që do të zëvendësonte fushën e mbetjeve urbane në Porto-Romano.

Pa dhënë detaje për procesin e menaxhimit të mbetjeve të bashkisë, ai deklaroi se vendgrumbullimi do të shndërrohej në një park të gjelbër brenda 18 muajve.

Rama dhe Sako e kanë promovuar herë pas here Eko Parkun dhe fazat e punimeve të tij, duke e premtuar se do të hapej, por ai zyrtarisht qëndron i mbyllur për publikun.

“Fëmijët po kënaqen këtu, ata më thanë çohu mami të ikim se është hapur më thanë se e kemi dëgjuar se do hapet më 1 qershor”, ngriti supet Lindita Doda, banore ne Lagjen Mirdita, e cila po përpiqej të kuptonte nëse Eko Parku ishte hapur realisht për publikun.

Një grup fëmijësh dhe prindërish teksa luajnë në këndin e lodrave të Eko Parkut. Foto Geri Emiri/ Media Amfora

“Xhuli [Zhyljen Varfaj, kryetar i komanduar i Bashkisë Durrës në atë kohë] më 1 qershor të 2021 duhet të jetë festa më e madhe që kanë parë kalamajtë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, këtu me parkun e ri të Durrësit”, u shpreh kryeministri Edi Rama më 7 dhjetor 2019, pak ditë përpara se ta shpallte idenë e tij me vendim zyrtar.

Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime dhe Mbetjeve të Ngurta (AKUM) zytrarisht njofton se afati i punimeve ishte 18 muaj dhe shkonte përtej qershorit, në periudhën 14 prill 2020 – 14 tetor 2021.

Teksa Rama shpërndante një seri videosh në kohë të ndryshme në rrjetet sociale, edhe kryebashkiakia Emiriana Sako ndoqi të njëjtën rrugë. Ajo ja premtoi hapjen e parkut më 1 qershor 2022 banorëve të zonës, teksa po i shpjegonte platformën e saj elektorale më 3 mars të këtij viti. Megjithëse më herët, në mars të vitit 2021 Emiriana Sako e premtoi përfundimin e parkut në tetor të vitit 2021, gjatë një bashkëbisedimi publik që ajo mbajti.

“Sot, zhvillimi i këtij projekti i iniciuar dhe i financuar tërësisht nga qeveria shqiptare është realizuar deri në masën 80% dhe përfundon në muajin tetor”, deklaroi Sako në mars të vitit 2021.

“Punimet në kuadër të projektit kanë përfunduar më datë 28.03.2022”, u përgjigj zyrtarisht Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta (AKUM).

Përgjigja e AKUM

“Ka patur pezullim të punimeve nga data 30 shtator 2021 deri në 24 janar 2022, për shkak të uljeve në bazamentin dhe strukturës të paparashikuara në komponentin Muri i Alpinizmit”, sqaroi AKUM mbi vonesat e krijuara gjatë zbatimit të projektit.

Banorët e zonës presin me padurim hapjen e parkut, i cili është i pari në këto përmasa në të gjithë territorin e Bashkisë Durrës.

“Po, do t’i sjell fëmijët edhe më shpesh se kënaqen e argëtohen se duan të dalin. Për ditët e diela e kam të sigurt që do vij se ditët e javës jemi në punë”, përfundoi rrëfimin e saj Lindita Doda, që banon aty pranë.

Dhomat e zhveshjes të Eko Parkut në Porto-Romano, Durrës. Foto Geri Emiri

Por ndërtimi i Eko Parkut krijoi një krizë tjetër për Durrësin dhe procedura e tenderimit pak ditë pas tërmetit të nëntorit 2019 dhe e bërë me negocim, pa garë të hapur, ngjalli reagime për qëllimin e projektit.

Mbyllja e vendgrumbullimit të Porto-Romanos e la Durrësin, Shijakun dhe fshatrat pa vendgrumbullim mbetjesh dhe e futi bashkinë në një situatë “emergjence mjedisore”, duke e detyruar atë që të negociojë për depozitimin e mbetjeve me pagesë tek koncesionari i Zonës së Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë.

Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta (AKUM) e kishte nisur ndryshe procedurën e tenderimit. Më 16 tetor 2019 ajo shpalli në Agjencinë e Prokurimit Publik tenderin për ndërtimin e Eko-Parkut, por e anuloi atë 3 ditë përpara hapjes së ofertave më 6 dhjetor.

Gjithçka ndryshoi kurs kur Shqipëria u godit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Qeveria nxitoi të dërgonte aty të gjitha mbetjet inerte të godinave, duke çuar drejt një krize artificiale edhe depozitimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Durrës.

Kur qyteti ishte ende i zbrazur nga paniku i tërmetit, kryeministri Edi Rama në cilësinë e kryetarit të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile vendosi më 16 dhjetor 2019 që mbetjet interte të krijuara nga tërmeti në territorin e Durrësit, Lezhës dhe Tiranës të dërgoheshin në vendgurmbullimin e mbetjeve në Porto-Romano.

Duke ngarkuar më tej AKUM-in që të merrte masa për inkapsulimin e mbetjeve urbane dhe të rijetësonte zonën përmes procedurave të përshpejtuara të prokurimit, në kuadër të emergjencës të krijuar nga tërmeti.

Bashkimi i kompanive “De mare s.r.l dhe Victoria Invest International sh.p.k”, ishin fitueset e garës pa tender, me një fond prej 1,583,685,032 lekë ose rreth 13 milion euro.

Tenderi i zhvilluar pa garë ngjalli interesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila nisi një hetim për veprat penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

“Procedimi penal për ngjarjen që ju kërkoni informacion është në hetim. Nuk mund të japim më shumë informacion”, u përgjigj SPAK për Median Amfora, pas një Kërkese për Informacion mbi hetimin që ka nisur gati 2 vite më parë.

Nisur nga deklarata e kryebashkiakes Emiriana Sako, më herët të kryeministrit Edi Rama, përgjigja zyrtare e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta (AKUM) dhe verifikimi që mediat Amfora dhe Faktoje realizuan në terren, këtë premtim do ta kategorizojmë “TË PAMBAJTUR”.

*Ky shkrim u publikua si një bashkëpunim i Medias Amfora me Median Faktoje.al, pjesë e nismës “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Shqipëri, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqisë- Faza II”, mbështetur nga Bashkimi Evropian.