BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëKopshti publik në Vorë ende nuk është ndërtuar

Kopshti publik në Vorë ende nuk është ndërtuar

Fëmijët e Vorës nuk e kanë ende kopshtin e ri publik. Pavarësisht premtimeve të shumta për dhënien prioritet të objekteve arsimore, në këtë Bashki kopshti publik ende nuk është ndërtuar. Gjatë një verifikimi në terren, Faktoje konstatoi se punimet për godinën e re kishin vetëm një muaj e gjysmë që kishin nisur, ndërsa nuk dihen afatet për përfundimin e saj. Aktualisht, fëmijët po e zhvillojnë procesin mësimor në një banesë private të marrë me qira.

———————————————————————————————————————

“Rindërtimi i objekteve arsimore vijon me prioritet”, shkroi në një postim në Facebook më 14 qershor 2021 kryebashkiaku asokohe i Vorës, Gentian Picari.

Screenshot, postimi i ish-kryebashkiakut të Vorës

Në janar të këtij viti Faktoje verifikoi se kopshti ende nuk kishte nisur të ndërtohej, ndonëse objektet arsimore janë konsideruar si prioritet i kësaj bashkie, por edhe i qeverisë.

Për shkak të interesit të lartë publik që ka rindërtimi i kopshtit, ne vendosëm të bëjmë sërish një verifikim për këtë çështje. Fillimisht, iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së Vorës, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje. Pas tejkalimit të afateve ligjore për të Drejtën e Informimit, i jemi drejtuar me një ankimim zyrës së Komisionerit.

Faktoje ishte në Vorë më 21 shtator, ku pamë nga afër nëse kishte nisur puna për ndërtimin e kopshtit të ri publik. Gjatë verifikimit në terren konstatuam se më shumë se një vit e gjysmë pas shembjes së kopshtit të vjetër, më në fund kishte nisur ndërtimi. Mirëpo, objekti ishte ende një strukturë që po ngrihej dhe dukej qartë që kishte ende punë për përfundimin e tij.

Kopshti i ri publik që po ndërtohet në Vorë, 21 shtator 2022

Faktoje bisedoi me drejtuesin e punimeve në këtë kopsht, ku na u bë e ditur se kishte vetëm një muaj e gjysmë që kishte nisur ndërtimi. Në kantierin e ndërtimit nuk kishte një tabelë, ku të tregoheshin afatet e punimeve dhe hollësi të tjer rreth projektit, edhe pse ky është një detyrim ligjor.

I pyetur nga Faktoje në lidhje me këtë, drejtuesi i punimeve u shpreh: “Nuk është zbardhur leja dhe prandaj nuk ka një afat për këtë.”

Kopshti i ri publik që po ndërtohet në Vorë, 21 shtator 2022

Po, cili është projekti për kopshtin? Inxhinieri që ndjek zbatimin e projektit sqaron: “Godina do të jetë 2 katëshe. Kati I parë ka dy klasa për mësim, një dhomë gjumë, dy dhoma shërbimi (vendndërrim pelenash dhe banjo) kuzhinë dhe dhomë ngrënieje. Kati i dytë ka dy klasa mësimi, një dhomë gjumi, një zyrë pediatrie, një infermierie, një zyrë personeli, një dhomë ngrënie dhe dy dhoma shërbimi. Nuk ka kënd lojërash, pasi nuk ka hapësirë të mjaftueshme jashtë”.

Projekti i kopshtit të ri në Vorë

Aktualisht, fëmijët e kopshtit po e zhvillojnë procesin mësimor në një banesë 2-katëshe të marrë me qira. Drejtoresha e kopshtit, Albana Muzhaqi i tha Faktoje se presin që në muajin dhjetor të futen të ambientet e reja që po ndërtohen.

“Kopshti ka 135 fëmijë, të ndarë në tre grupe. Kemi 8 klasa dhe 4 tualete. Orari i qëndrimit për fëmijët është 07:30-13:30, pra nuk ofrohet dreka. Kopshti i ri do të jetë me drekë. Mezi po e presim”, tha Muzhaqi.

Godina ku po qëndrojnë aktualisht fëmijët e kopshtit, 21 shtator 2022

Në përgjigjen e dhënë për Faktoje në muajin tetor 2021, Bashkia e Vorës bënte të ditur se vlera e projektit për ndërtimin e kopshtit publik të Vorës ishte 88.433.787 lekë.

Përgjigjia e Bashkisë Vorë, tetor 2021

Nisur nga verifikimi në terren, premtimin për dhënien përparësi të objekteve arsimore, në këtë rast ndërtimin e kopshtit publik në Bashkinë Vorë, do ta kategorizojmë si Të Pambajtur.

 “Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img