BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookFjalimi i shefit të NATO-s në ‘Deutsche Welle’ nuk u hakerua

Fjalimi i shefit të NATO-s në ‘Deutsche Welle’ nuk u hakerua

Nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjetet sociale, portalet në Shqipëri pretendojnë se u hakerua fjalimi i Sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë trasmetimit live në “Deutsche Welle”. Faktoje verifikoi se në fakt nuk bëhet fjalë për një hakerim, por thjesht një gabim teknik gjatë transmetimit live.

————————————————————————————————

Më datë 3 tetor, nëpërmjet një postimi në Facebook, ku shfaqet një video 21 sekonda, portali ‘Puls7news.com’ shfaq një fjalim të shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg. i cili ndërpritet nga fjala e presidentit rus, Vladimir Putin. Krahas videos së postuar, portali pretendon se është hakeruar trasmetimi live i “Deutsche Welle”.

“Hakerohet kanali televiziv gjerman DW gjatë fjalës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s z. Stoltenberg dhe hyn menjëherë në transmetim fjalimi i Putinit nga Sheshi i Kuq- në Moskë!”, shkruan portali Puls7news.com.

Screenshot, publikimi i videos nga portali

Në lidhje me këtë, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim për të kuptuar realisht se çfarë ndodhi me tramsmetimin e DW, si dhe për të informuar audiencën në mënyrë të saktë.

Gjatë një kërkimi të bërë në kanalin e “Deutsche Welle” në Youtube, ne gjetëm videon e plotë të fjalës së shefit të NATO-s. Në minutën e 6:46 të kësaj videoje shihet se ka një ndërprerje të fjalës së Stoltenberg dhe në transmetim futet presidenti rus, Vladimir Putin. Deri këtu, video e publikuar e portalit është e saktë.

Por, çfarë ndodhi në të vërtetë, a u hakerua DW, siç pretendon portali? Në lidhje me këtë çështje, Deutsche Welle ka sqaruar audiencën e gjerë, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për ndonjë hakerim, por thjesht një problem teknik.

“Në rast se po pyesni veten, jo, ne nuk jemi hakuar. Ndërprerja e shkurtër e mbulimit tonë të drejtpërdrejtë të kësaj konference për shtyp nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg ndodhi nga një ndryshim në transmetimin e drejtpërdrejtë të ofruar nga EBU (Unioni Evropian i Transmetuesve). Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje në sistemet e transmetimit të DW, në asnjë moment”, sqaron gjigandi mediatik gjerman.

Screenshot sqarimi i DW në videon e publikuar në Youtube

Në një kërkim të bërë në Youtube, shihet se video prej 21 sekondash, me pretendimin se fjalimi I DW është hakeruar, është publikuar që më 30 shtator nga kanali “Shots Story”, që ka 3870 abonentë (subscribers). Pra, duket qartë se nuk është një burim i besueshëm, të cilit mund t’i referohemi për lajme. Publikimi i komenteve të tilla, pa asnjë bazë dhe burim të besueshëm informacioni, dizinformon audiencën.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img