BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookFBI nuk konfirmon prezencën e entiteteve ndërdimensionale

FBI nuk konfirmon prezencën e entiteteve ndërdimensionale

Lajmi për konfirmimin nga FBI të ekzistencës së “entiteteve ndërdimensionale” rezulton jo i vërtetë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se pretendimet e konspiracionistëve të 2022 mbështeten vetëm në pretendimet e konspiracionistëve të 1947, jo në dokumentet zyrtare të Byrosë.

Patris Pustina

Që kur Byroja Federale amerikane e Hetimit (FBI) bëri publike në internet, në 2011, një pjesë të dosjeve të saj, konspiracionistët e alienëve filluan të pretendojnë se FBI kishte konfirmuar, kështu, ekzistencën e jashtëtokësorëve. Ky pretendim vazhdon të riciklohet rregullisht, edhe pas një dekade. Ky është rasti i portalit info24.al, i cili njofton më 2 shtator se “Entitetet ndërdimensionale po vizitojnë njerëzimin, FBI konfirmon lajmin”. Dikush mund të mendonte, me të drejtë, se nëse ky lloj zbulimi do të ishte konfirmuar, ai do ta kishte dëgjuar nga një burim më zyrtar se info24.al. 

Foto e përdorur në artikull, zbuloi “Faktoje”, është në fakt një foto e modifikuar e marrë nga një skenë e filmit fantastiko-shkencor të 2009 “Knowing”.

Artikulli i referohet faqes online ku FBI ka publikuar disa nga dosjet dhe memorandumet nga arkivat e saj, The Vault. Specifikisht, bëhet fjalë për një numër memorandumesh nga vitet 1947-1954 mbi objekte të panjohura fluturuese (UFO) të raportuara në Amerikë në vitin 1947.

Si fillim, duhet përmendur se këto raporte përgjithësisht konsistojnë në denoncime të publikut për objekte fluturuese që janë ruajtur në arkivat e FBI, jo dokumente zyrtare të përgatitura nga FBI. Për shembull, në Korrik 1947, një grua në Illinois denoncoi gjetjen e një disku fluturues në oborrin e shtëpisë së saj. Agjenti special lokal arriti në përfundimin se disku ishte shpikje e disa të rinjve të zonës, një përpjekje për t’u tallur.

“Dokumentet, të cilat janë nxjerrë nga arkivat e Byrosë, sugjerojnë se këto të ashtuquajtura entitete ndërdimensionale na vizitojnë prej kohësh dhe kanë marrë masa paraprake shtesë për të mos u parë në spektrin tonë vizual,” raporton artikulli. Ai nuk sqaron specifikisht cili dokument në dosjen me mbi 60 faqe e sugjeron këtë. Megjithatë, ai i referohet gjithashtu faqes konspirative në gjuhën angleze Soul:Ask. Artikulli i Soul:Ask i referohet specifikisht atij që njihet si “Dokumenti 6751”, ose faqja 22 e dosjes.

Ky dokument i është dërguar Byrosë, nuk është përgatitur nga një agjent i saj, dhe pretendon se disqet fluturuese përmbajnë ‘vizitorë’. Autori më pas përshkruan natyrën e këtyre ‘vizitorëve’ dhe jep disa rekomandime se si duhet të komunikohet me ta.

Ç’është më me rëndësi për verifkuesin e fakteve, që në krye të dokumentit autori deklaron se “të dhënat e këtij dokumenti janë siguruar me anë të mënyrave të ashtuquajtura supernormale.” 

Fjalët “The Round Robin” dhe “The Flying Roll” mund të duken të pakuptimta, por në fakt janë tregues të origjinës të këtij dokumenti. Round Robin dhe Flying Roll janë publikime të organizatës Borderland Sciences Research Foundation, një grup i formuar në 1946 që merret me ‘studimin’ e spiritualizmit, mjekësinë alternative, dhe disqeve fluturuese.

Fakti që ky dokument është ruajtur në arkivat e FBI nuk do të thotë se mund të jetë i vërtetë, thjesht do të thotë se Byroja në ato vite ka qenë në procesin e mbledhjes së informacionit për fenomenin e objekteve të panjohura fluturuese. Nuk ka asnjë provë që FBI e ka marrë këtë dokument seriozisht dhe është përpjekur të kryejë ndonjë hetim më të thellë, si pasojë. Fjalët “No Action” (Asnjë veprim) të shkruajtura me shkrim dore në të majtë tregojnë se Byroja e ka klasifikuar këtë dokument si diçka që nuk kërkonte vëmendje.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img