Një vit pas ngritjes, komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit Meta u mbyll me vendimin se “shkeljet nuk ishin aq të rënda sa të sillnin shkarkimin e tij”. Kryetari i komisionit të parë në historinë e Parlamentit për shkarkimin e Presidentit, dhe zyrtarë të maxhorancës, deklaruan që në fillim dhe gjatë procesit se Presidenti duhej dhe do shkarkohej. Përtej vendimit, komisioni pati edhe kosto financiare në disa milionë lekë, ndërsa në aspektin ligjor nuk prodhoi ndonjë vendimmarrje.
Më 11 korrik 2019, pas kërkesës së 55 deputetëve, u zhvillua mbledhja e parë e Komisionit Hetimor, për ligjshmërinë e veprimeve të Presidentit në çdekretimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Pas disa muajsh, me përplasjen e re institucionale Parlament-President për emerimet në Kushtetuese, u shtua edhe një objekt tjetër hetimi dhe u iniciua nga të njëjtët deputetë ndryshimi i ligjit mbi betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në deklaratat për median, pa u ngritur ende Komisioni Hetimor, shprehej se presidenti Meta duhet dhe do të shkarkohej.
Edhe kreu i Komisionit të Ligjeve, njëherësh kryetar i Komisionit të Posaçëm për hetimin e Presidentit, Ulsi Manja tha se zoti Meta duhet të shkarkohej.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, shprehu bindjen se Presidenti do shkarkohej “madje edhe me ceremoni”.
Presidenti ka pozicion honorifik. Ishte në nderin e tij të ikte, njëherë thoshte do të vras veten, njëherë do të jap dorëheqjen, ne themi as njërën as tjetrën, ndërkohë që ty të shkarkojnë me ceremoni dhe vazhdo me punën tënde – u shpreh Veliaj më 28 qershor 2019 në Report TV.
Përtej retorikës politike, vendimi për shkarkimin e Presidentit është tërësisht kompetencë e Gjykatës Kushtetuese e cila vijon të jetë jashtë funksionit, prej të paktën 2 vitesh.
Shkarkimi, që të jetë i vlefshëm, duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Parlamentit, pra duhen 94 vota. Votimi është i fshehtë. Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës i dërgohet në çdo rast Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij – thuhet në Kushtetutën e Shqipërisë.
Kushtetua detyron Parlamentin që vendimin për shkarkim t’ia çojë Gjykatës Kushtetuese, e cila kur vërteton fajësinë e Presidentit, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.
Deklaratat e zyrtarëve, përfshirë edhe ligjvënësit, për shkarkimin e Presidentit, në këtë aspekt mbeten në kufijtë e retorikës politike dhe janë të pavërteta.
Megjithatë, ndonëse ishte komisioni i parë në historinë e Parlamentit për shkarkimin e Presidentit, rezultati përfundimtar, për Institutin e Studimeve Politike, ishte zhgënjyes.
Një nismë kaq serioze kërkon përgjegjësi serioze, rezultate serioze dhe reflektime serioze, pritshmëri që nuk u përmbushën as në formë dhe as në përmbajtje si dhe nuk priten të kenë impakt pozitiv për standardet e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale në Shqipëri. Parlamenti mbetet po ai, Presidenti po ai, Kushtetuta po ajo, por secili/secila në raport të ndryshëm me të drejtën – thuhet në reagimin e ISP.
Deputeti socialist dhe njëherazi anëtari i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, Bashkim Fino, ishte ndër ata që nuk e fshehu zhgënjimin nga përmbyllja e punës së komisionit.
Jam gati të votoj kundër shkarkimit të presidentit nëse raporti është i saktë, por me këto që janë bërë këtu, unë mendoj se ne njollosim veten tonë – u shpreh Fino më 20 korrik.