ANXHELA RUÇI
Turizmi cilësohet si një nga sektorët më të rëndësishëm dhe fitimprurës të vendit tonë, ndaj dhe vëmendja që i kushtohet është gjithmonë në rritje. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në një interviste për median izraelite “Passaport”, deklaroi: “Gjatë 10 muajve të parë të 2017-ës, vizituan Shqipërinë 6.7 milionë turistë, një rritje drastike prej 1 milion turistësh në krahasim me nje vit më parë”.
Duke u nisur nga kjo deklaratë, “Faktoje” nisi verifikimin nëse shifrat e dhëna nga ministri Klosi përkonin me numrin real të turistëve që vizituan Shqipërinë gjatë 10- mujorit të parë të 2017-ës dhe nëse numri i turistëve është rritur me 1 milionë krahasuar me 2016-ën.
“Faktoje” dërgoi kërkesë për informim tek Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si edhe tek Agjencia Kombëtare e Turizmit, por nuk mori asnjë përgjigje sesa ishte numri i turistëve që vizituan vendin gjatë 2017-ës. Ne u përpoqëm të kontaktonim edhe me ministrin për të njëjtin informacion, por dhe prej tij nuk arritëm të merrnim një përgjigje. Informacionin për numrin e turistëve mundëm ta siguronim vetëm përmes platformës së “Bashkëqeverisjes”.
Shifrat e Ministrisë së Turizmit nuk përputhen me shifrat e ministrit Blendi Klosi
Numri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë në vitin 2017-të, sipas ‘’Bashkëqeverisjes’’, ishin të njëjtat shifra të publikuara në Institutin e Statistikave (INSTAT), në të cilën llogariteshin vetëm turistët e huaj. Kështu numri i turistëve që vizituan Shqipërinë 10- mujorin e parë të 2017-ës ishte 4.6 milionë, jo 6.7 milionë siç deklaroi gjatë intervistës për median izraelite ministri Klosi. Edhe pjesa tjetër e deklaratës se numri i turistëve krahasuar me një vit më parë kishte patur rritje drastike prej 1 milionë turistësh, sipas përballjeve të shifrave nuk është e vërtetë. Në 10-mujorin e parë të 2016-ës, Shqipërinë e vizituan 4.3 milionë turistë, ndërsa 10-mujorin e parë të 2017, 4.6 milionë turistë. Diferenca mes dy viteve është 300 mijë turistë, jo 1 milionë siç deklaroi ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.
Duke qenë se shifrat e përmendura nga ministri Blendi Klosi gjatë intervistës në median izraelite nuk përputhen me shifrat e dhëna nga platforma e Bashkëqeverisjes, por as me shifrat e dhëna nga INSTAT, “Faktoje” e klasifikon këtë deklaratë si GËNJESHTËR.