Djali në këtë foto nuk është një shqiptar që shërben në ushtrinë e Izraelit. Verifikimi i Faktoje zbuloi se ai është në të vërtetë polici kufitar izraelit Asil Sawaed i cili u vra në Shkurt 2023.
———————————
Në rrjete sociale po qarkullon foto e një djali i cili pretendohet se është një shqiptar që shërben në ushtrinë e Izraelit.
Megjithatë, një kërkim me anë të motorit të kërkimit të imazheve Tineye zbuloi se foto e mësipërme nuk tregon ndonjë djalë shqiptar të quajtur Gëzim Palaj.
Në të vërtetë, djali në foto është një polic kufitar izraelit i quajtur Asil Sawaed.
Sipas një artikulli të gazetës izraelite The Times of Israel, 22-vjeçari Sawaed vdiq më 13 shkurt 2023, pasi “u godit me thikë nga një adoleshent palestinez dhe u qëllua aksidentalisht me armë nga një koleg në një pikë kontrolli në Jeruzalemin Lindor.”
Artikulli i gazetës izraelite e identifikon djalin në foto si Asil Sawaed nga fshati Hussniyya
Në Qershor 2023, ushtria izraelite njoftoi familjen e 13-vjeçarit që goditi me thikë Sawaed se shtëpia e tyre do të shembej. Sipas The Times of Israel, është politikë e Izraelit të shembë shtëpitë e palestinezëve që akuzohen të kenë kryer sulme vdekjeprurëse. Efektiviteti i kësaj politike është debatuar shumë, edhe brenda vetë organeve të sigurisë izraelite, ndërsa aktivistët e të drejtave të njeriut e dënojnë praktikën si dënim kolektiv i padrejtë.